28.8 C
Prizren
E diel, 14 Korrik, 2024

Dëshmitari Zyrapi thotë se ngjarja në Rahovec s’kishte të bënte me Shtabin e Përgjithshëm

Dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Derisa po fliste për ngjarjen në Rahovec, në të cilën kishte luftime dhe pretendohet se disa civilë serbë ishin rrëmbyer, Zyrapi tha se ajo nuk kishte të bënte me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kompania “G&M Stone”, lidere në përpunimin dhe prodhimin e gurëve në Kosovë

Dëshmitari po merret në pyetje nga avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, i cili u fokusua tek ngjarja në Rahovec për çka Zyrapi tha se kur kishte shkuar aty ngjarja tashmë kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, tha se as ai dhe as Selimi nuk ishin në dijeni për këtë plan përpara se të fillonin luftimin në Rahovec.

Më pas, Roberts pyeti dëshmitarin se a është e drejtë të thuhet se diskutimi që ka mundur të zhvillohet lidhur me mundësinë teorike të zhvillimit të operacioneve, ishte shumë larg të zhvillimit faktik të një operacioni asaj kohe. Për çka, dëshmitari u përgjigj ‘po e saktë’.

I pyetur nëse anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ose të Drejtorisë Operative ishin të mendimit që kjo nuk ishte diçka që UÇK-ja mund ta bënte asaj kohe.

“Bashkimi Reisen” organizon udhëtime turistike çdo natë: Prizren – Ulqin dhe Ulqin – Prizren

“Po, kam folur në bisedën që kemi bë në Drejtorinë Operative në atë kohë, ishin në të njëjtin mendim se njësitë nuk janë hala të gatshme në operativë për këto veprime dhe duhet të punohet në këtë drejtim”, tha Zyrapi.

“(Ishte mendimi) i zotëri Selimit, i Bashotës, i imi, Agimit (Qelajt), që ishim në këtë drejtori e që punojshim bashkë”, tha ai.

Roberts vazhdoi duke i thënë dëshmitarit se për ZPS-në ai kishte thënë se kur ka shkuar në Rahovec iu kanë thënë se luftimet nuk filluan nga Shtabi i Përgjithshëm, por vetë nga shtabet lokale.

Po ashtu, dëshmitari kishte deklaruar se pasi kishte shkuar në Rahovec, dikush i kishte thënë atij se aksionet fillestare ishin marrë nga Shtabi lokal i Rahovecit dhe zëvendëskomandanti i këtij shtabi quhej ‘Viktori’, por që emrin e vërtetë e kishte Gëzim Muabazi.

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

Roberts vazhdoi duke cituar se çfarë kishte thënë dëshmitari për ZPS-së, e që si rrjedhojë shpjegonte se ai kishte treguar se ‘Viktori’ së bashku me një grup ushtarësh ishin futur në Rahovec për të vizituar familjen, por që ishin zbuluar nga forcat serbe të cilat ishin në qytet e që i kanë rrethuar.

Pastaj, ai shpjegoi se sipas dëshmitarit atij iu është thënë se pjesëmarrës në luftime ishin edhe Shtabet tjera lokale të Rahovecit, e që këto luftime më pas janë zgjeruar, duke u kërkuar ndihmë edhe nga njësitë e tjera.

Për këto fjalë që i ishin thënë atij lidhur me këtë ngjarje, dëshmitari Zyrapi tha se nuk ka mundur të dyshojë në vërtetësinë e tyre.

“Nuk kam mujtë të dyshoj. Unë e kam pyet komandën edhe masanej të Shtabit lokal që kanë qenë bashkë me ato dhe pastaj këtë e kam vërtetu nga bisedat e këtyre kolegëve të tjerë të këtij shtabi dhe kështu që nuk dyshoj”, tha Zyrapi, duke shtuar se kështu ia kishin shpjeguar anëtarët e Shtabit lokal të Rahovecit se si kishin filluar luftimet atje.

Zyrapi shtoi edhe se pas luftës kur ka biseduar me disa anëtarë të komandës së atij Shtabi, të njëjtat fjalë ia kanë thënë çdo herë.

Pos kësaj, ai shtoi se kishte forca të mëdha serbe gjatë kësaj kohe duke përfshirë këmbësorinë dhe atelierinë, e që u detyruan shumë shqiptarë të largoheshin nga Rahoveci.

“Përafërsisht, ajo vetëm brenda përbrenda para se të fillojë kjo i ka pas diku afër 1 mijë trupa brenda Rahovecit në tërësi si komunë dhe kanë ardhur nga drejtimet tjera njësitë. Nga drejtimi i Gjakovës dhe nga i Prizrenit diku llogaritet që kanë ardhur edhe 1 mijë tjera. Në përgjithësi diku 2 mijë trupa përafërsisht kanë qenë në drejtim sulmi me armët e tyre dhe me përcjelljen e artelirisë së rëndë ose armëve të rënda që i kanë përdorë në atë kohë”, tha tutje Zyrapi.

Zyrapi tha se qëndron fakti se e kishte parë Rexhep Selimin dhe Sokol Bashotën që ishin duke ndihmuar në ngritjen e vijave të mbrojtjes. Ai tha se është e saktë të thuhet se ishte Selimi që e informoi se çfarë po përpiqeshin të bënin.

“Disa ditë kemi qenë aty deri sa e kemi forcu vijën e mbrojtjes. Faktikisht i kemi pas katër a pesë sulme të forcave serbe që kanë tentu të depërtojnë këtë vijë të frontit. Muj me të thanë që katër ditë apo pesë të mira kemi qenë, mos edhe më tepër”, tha Zyrapi tutje.

Sipas avokatit Roberts, dëshmitari i kishte thënë ZPS-së që nuk e dinte që ishin kapur civilë serbë gjatë kësaj kohe sepse kishte qenë në vijën e frontit dhe nuk ka pasur kohë që të shikojë për këto gjera për shkak se i është dashur që të shkojë edhe në vijat e tjera të frontit.

“Po është shumë e saktë”, u përgjigj dëshmitari, duke theksuar se nuk kanë pasur asnjë lloj informacioni të tillë.

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

Roberts gjithashtu njoftoi se pyetjet e tij pritet të përfundojnë përpara pushimit të drekës.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III dha një urdhër me gojë lidhur me një listë të provave materiale, për të cilën ZPS-ja kishte kërkuar të ndryshohet, ndërsa mbrojtja e Thaçit përjashtimin e tyre.

“Trupi gjykues rikujton se më 24 maj 2024 i kemi informuar palët dhe pjesëmarrësit që do të lëshonte një vendim procedural mbi kërkesën e ZPS-së për të ndryshuar listën e provave materiale dhe mbi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për përjashtimin e materialeve. Pasi Paneli i Gjykatës së Apelit të kishte nxjerrë vendimin e vet mbi çështjet që rridhnin nga vendimi i gjykatësit të vetëm që autorizonte masat hetimore. Trupi gjykues ka vërejtur se Paneli i Gjykatës së Apelit e ka nxjerrë vendimin e vet më 4 korrik 2024. Trupi gjykues rikujton se mbrojtja e Selimit, mbrojtja e Veselit, mbrojtja e Krasniqit kanë kërkuar një përcaktim të seancave informuese për ta përbërë parashtrimin sipas rregullës 138 lidhur me materialin në fjalë dhe me kërkesën e ZPS-së dhe atë të mbrojtjes së Thaçit”, tha Smith III.

Lidhur me këtë, Charles Smith III përcaktoi afatet kohore se kur mbrojtja duhet t’i bëjë parashtrimet e veta si dhe kur ZPS-ja duhet të bëjë përgjigjet e saj në këto parashtrime.

“Nëse mbrojtja dëshiron që të parashtrojë parashtrimet e veta lidhur me këtë vendim të Panelit të Gjykatës së Apelit, mbrojtja urdhërohet që ta bëjë këtë jo më vonë se 16 korriku 2024; çdo përgjigje ndaj këtyre parashtrime duhet të bëhet jo më vonë se 22 korriku 2024. Kundërpërgjigjet tjera nuk do të pranohen. Këtu mbyll urdhrin me gojë”, tha Smith III.

Avokati i Thaçit, Mishetiq kërkoi sqarim nëse do të përfshihet edhe mbrojtja e Thaçit në këtë, mirëpo gjykatësi foli pa mikrofon dhe nuk u dëgjua.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Moti sot: Me diell e temperatura deri në 37 gradë

Këtë të premte pritet të mbajë mot i nxehtë, me diell e vranësira të pakta gjatë ditës. Temperaturat minimale do të lëvizin në mes 18...

Moti sot: Me diell, temperaturat deri në 33 gradë Celsius

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, ka njoftuar se edhe e marta do të jetë goxha ditë e nxehtë. Sipas IHMK-së, moti do të jetë me diell...

Lajmet e Fundit