6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dosjet si puzzle shpifjesh e denigrimesh

Shkruan: Enver Sulaj

Shërbimi sekret amerikan CIA këto vitet e fundit ka vënë në dispozicion të publikut miliona faqe dokumentesh të deklasifikuara, që nga Lufta e Parë Botërore e deri në fund të shekullit të kaluar, që janë sigurisht të një rëndësie të veçantë.

Secili mund të hulumtojë në këto dokumente gjërat që i interesojnë, por është e dëmshme që një thesar i tillë të përdoret me qëllim të shtrembërimit të së vërtetës historike, përbaltjes së personaliteteve të njohura të kohës, duke prekur edhe njëherë plagët e shumë shqiptarëve të vuajtur, të burgosur, të vrarë e të përbëuzur nga regjimi komunist. Nuk mund të pretendohet të ndriçohet një periudhë apo të krijohet profili i një personaliteti me copëza dokumentesh të shërbimeve të zbulimit, që të ngjajnë në puzzle ku gjejnë strehë argëtimi fëmijët.

Dokumentet e shërbimeve të zbulimit nuk duhet të shkëputen nga konteksti kohor, dhe çka është më e rëndësishmja, ato duhet të përdoren me profesionalizëm, paanësi, e, para së gjithash, me etikë njerëzore e profesionale. Nuk më takon ta bëj avokatin as të Martin Camajt e as të Ernest Koliqit, ndaj të cilëve këto ditët e fundit janë drejtuar shigjeta shpifjesh e sajesash të paqena e të pakonfirmuara, por dua të them se ka kaluar koha kur partia-shtet dhe spiunët e saj arritën deri aty sa të përcaktonin hierarkinë e vlerave të personaliteteve të kombit, artit dhe letërsisë.

Ka kaluar koha e ekskomunikimit të shkrimtarëve e artistëve, siç bënë dikur me ajkën e kulturës dhe letërsisë shqiptare të proviniencës gege. UDB-ja nuk ishte nevojë ta rekrutonte Camajn si agjent të saj, kur ajo kontrollonte komplet PKSH-në, ngase në dokumentet e CIA-s shihet qartë roli i të dërguarve jugosllavë në Tiranë, Miladin Popoviqit, Dushan Mugoshës e Svetozar Vukmanoviq- Tempos, të cilët në fjalimet servile të politikanëve shqiptarë, sipas CIA-s vlerësohen si „zot nga parajsa“.

Asokohe CIA vëzhgonte me vëmëndje zhvillimet në Shqipëri e Kosovë, sepse interesat amerikane ishin të lidhura jetësisht me shqiptarët; kishte informacione mbi jetën e Enver Hoxhës, qëndrimin e tij në Francë e Belgjikë, kthimin në Shqipëri, mënyrën si u infiltrua në radhët e PKSH-së, gjendjen e tij shëndetësore, vizitat që i bënin kohëpaskohe mjekët e huaj, duke arritur deri aty sa përshkruhej edhe karakteri moral i tij. CIA, poashtu, kishte një listë emrash të familjeve antikomunsite në veri të Shqipërisë, grupet politike dhe drejtuesit e tyre; hartonte raporte mbi gjendjen politike e ekonomike, etj.etj, madje kishte raporte të sakta edhe mbi numrin e ushtarëve në pikat kufitare në kufi me ish-Jugosllavinë.

Nuk mungonin as raportet me qindra faqe për historinë shqiptare, që ishin hartuar nga departamente të këtij shërbimi, ku përmblidheshin të dhënat mbi historinë shqiptare që nga antika, duke përmendur dëshmitë e Strabonit, dyndjet sllave, Skënderbeun, pushtimin osman, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalin, Prenkë Bibë Dodën, Esad Pashë Toptanin, Ahmet Zogun, Fan Nolin, Mithat Frashërin e « Ballin Kombëtar », « Komitetin e Prizrenit », etj. etj.

Të gjithë ata që duan t‘i hyjnë lojës me dosjet, duhet ta dinë se shqiptarët, kur kanë arritur të ngadhënjejnë mbi diktaturën e komunizmin, që ishte synim edhe i vet qeverisë amerikane për 50 vjet, do të dinë të mos bien as në kurthet dashakeqëse të lojës me dosjet e shërbimeve sekrete (aq më pak të dy shërbimeve famëkeqe, Sigurimit e UDB-së). Për hir të vuajtjeve dhe të dhembjeve që shqiptarët përjetuan gjatë komunizmit, është mirë që plagët e tyre të mos ngacmohen, në të kundërtën do të riciklohet e keqja, që besoj s’e do kush ndër ne. Amerikanët na kanë njohur më mirë se sa e kemi njohur ne veten e kanë punuar për ne, edhe atëherë kur grupe të caktuara punonin kundër vetes e kundër tyre.

Por, ata asnjëherë nuk hoqën dorë nga shqiptarët, përkundrazi na kanë shtrirë dorën e ndihmës e na e kanë mbrojtur shpinën. Le të lihen të qetë ta bëjnë punë e tyre historianët, studiuesit e letërsisë dhe të gjithë ata që udhëhiqen nga parime profesionale e shkencore. Asnjë njollë reje në qiell, nuk mund t‘ia humbë shkëlqimin diellit, rrezet e të cilit bien në tokë me plotë shpresë e ngrohtësi. Camaj e Koliqi në letërsinë tonë janë zëra të fuqishëm të qenësisë dhe identitetit tonë, që ngadhënjeu mbi ideologjinë dhe djallëzinë, misioni i të cilit qe krijimi i njeriut zombit-të një trushpëlari, pa identitet nacional e fetar, gjenet e të cilit do të hanin veten një ditë.

Më Shumë

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Barcelona refuzon një ofertë të majme për Raphinhan, kërkon 20 milionë më shumë

Raphinha pritet të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të verës, por vetëm për ofertën e duhur. Sulmuesi brazilian ka shpërthyer në javët e fundit...

Lajmet e Fundit