18.3 C
Prizren
E shtunë, 23 Gusht, 2025

‘EC Ma Ndryshe’: Komuna e Mamushës nuk po i zbaton rekomandimet e Auditorit

Mamusha5-16Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Mamushës, “EC Ma Ndryshe” gjatë muajit korrik ka shqyrtuar të gjeturat e Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Mamushës në vitin 2013, me një vështrim retrospektiv edhe në raportet e viteve 2012, 2011, 2010 dhe 2009.

Konkluzioni i përgjithshëm i Auditorit është se administrimi dhe raportimi financiar brenda kësaj komune vazhdon të përballet me dobësi marrë parasysh faktin se qeveria komunale nuk i ka zbatuar rekomandimet e mëhershme të ZAP-it. “Komuna nuk i ka adresuar rekomandimet tona nga vitet e shkuara. Komuna nuk ka ndërtuar një proces të fortë që do të siguronte zbatimin e plotë dhe në kohë të rekomandimeve tona”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Ky autoritet shtetëror ka konstatuar se gjatë viteve të fundit, komuna e Mamushës ka adresuar vetëm pjesërisht rekomandimet e ZAP-it lidhur me nenin 16 – Shpalosja e pasurive dhe pagesat nga palët e treta – dhe rrjedhimisht kjo fushë vazhdon të paraqesë një rrezik domethënës, pasi si pasojë e natyrës së regjistrimeve bazë dhe mungesës së dokumenteve mbështetës ekzistojnë disa pasiguri lidhur me të drejtat e pronësisë, plotësinë dhe vlerësimin e pasurive, objekteve dhe pajisjeve.

ZAP prej vitesh tërheq vërejtjen se komuna ende nuk ka një sistem automatik faturimi për të gjitha llojet e të hyrave vetanake dhe llogarive të arkëtueshme lidhur me to, ndërkohë që edhe ekzekutimi i buxhetit mbetet një nga fushat kryesore ku nevojiten më shumë përmirësime.

Auditori po ashtu ka nënvizuar se mospajtimet e identifikuara në prokurime lidhen me klasifikimet e gabuara të shpenzimeve dhe në tejkalimin e buxhetit për to. Si një shqetësim tjetër paraqitet edhe mos krijimi i një Departamenti të Auditit të Brendshëm dhe Komitetit të Auditit, që po ashtu është rekomandim që përsëritet vit pas viti nga ZAP-i.

Në raportin e fundit, ZAP konstaton se komuna e Mamushës nuk e ka zbatuar asnjërin prej 9 rekomandimeve të dhëna për vitin financiar 2012, përderisa prej 11 rekomandimeve të dhëna për vitin 2011, vetëm 1 është zgjidhur dhe 3 pjesërisht janë zgjidhur. Ndërkohë prej 6 rekomandimeve të dhëna për vitin financiar 2010 komuna ka adresuar vetëm një në tërësi dhe një tjetër pjesërisht, duke injoruar 4 të tjera.

“EC Ma Ndryshe” vlerëson se mos adresimi i rekomandimeve të ZAP-it nga ana e komunës së Mamushës ka bërë që administrimi dhe raportimi financiar të përballet me probleme që rrezikojnë qeverisjen e mirë të buxhetit komunal.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto të dhëna, “EC Ma Ndryshe” rekomandon Komunën e Mamushës që:

– Të nisë zbatimin e menjëhershëm të të gjitha rekomandimeve të ZAP-it;
– Të ndërmerr veprime serioze për përmirësimin e administrimit dhe raportimit financiar, në të gjitha fushat e identifikuara nga ZAP-i;
– Të rris transparencën në vendimmarrje me qëllim të menaxhimit më të mirë të parasë publike;

Gjithashtu, EC Ma Ndryshe rekomandon anëtarët e Kuvendit Komunal të Mamushës që të ushtrojnë presion më të madh te ekzekutivi komunal për zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

LDK: Skandali me “Sarajin e Vjetër” zbulon qeverisjen klienteliste në Prizren

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren ndaj drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe...

Gratë nga Prizreni po interesohen për kurse profesionale pa pagesë

Në Prizren kurset profesionale dita-ditës po preferohen shumë nga gratë. Një bashkëpunim ndërmjet komunës së Prizrenit dhe komunës së Konjas nga Turqia, ka bërë që...

Lajmet e Fundit