3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Edhe në rigjykim, ish-rektori Ramë Vataj deklarohet i pafajshëm për cenim të të drejtave në punësim

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e rigjykimit, i akuzuari Ramë Vataj, ish-rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se ia ka mohuar ose cenuar punësimin në këtë universitet, Vehbi Miftarit.

“Jo, bile jam i dëmtuar në këtë rast, kam me dalë i dëmtuar”, tha Vataj.

Po ashtu, Vataj shtoi se Inspektorati i Arsimit nuk është kompetent të vlerësojë punën e nivelit të lartë të arsimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ligji nuk ia jep të drejtë inspektorit me rrëzu 9 instanca të universitetit…nuk ka kompetencë se janë me bachelor”, ka thënë Vataj në seancën e së enjtes.

Gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi ka thënë se deri në shqyrtimin e radhës, gjykata dhe prokuroria do të bëjë plotësimin e dispozitës së veçantë materialo-juridike, e cila do jetë më sqaruese lidhur me dispozitën e percaktimit të veprës penale.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 nëntor 2022.

Ndryshe, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 23 gushtit 2022, ka kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar mirë të drejtën materiale

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkon Ramë Vatajn se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të 14 shtatorit 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e 1 gushtit 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par.1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi 

Më Shumë

Lajmet e Fundit