19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

“Engjëjt janë larg”, rrëfim për luftën e Kosovës

refugjate e luftes“Engjëjt janë larg” filmi më i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani ka qenë dhe prodhimi kinematografik, i cili ka marrë shumë vëmendje gjatë kësaj kohe. Filmi me regji dhe skenar të Xhuvanit përqendrohet te drama kosovare, dhe kjo ka bërë që në kastin e aktorëve të përfshihen edhe artistë nga Kosova, por nuk mungojë edhe aktorë nga Italia. Në rolet kryesore interpretojnë aktori italian Rinaldo Rocco dhe Teuta Krasniqi. Gjithashtu pjesë e kastit është Fatmir Spahiu dhe shënohet pjesëmarrja e aktorit të njohur shqiptar Ndriçim Xhepa. Producenti Dritan Huqi tregon se filmi edhe pse ka në vëmendje luftën e Kosovës, në qendër të tij ka histori njerëzore, me dramën e saj. “Historia njerëzore, përfshihet në atmosferën e luftës së Kosovës, por nuk është vetëm ajo. E gjitha vjen nga historia e personazheve, nga fëmijëria e tyre, është një film dramatik, ka situata të vështira”, tregon mbi filmin producenti Dritan Huqi, duke shtuar se më e rëndësishmja e filmit, është fakti se filmi do të shfaqë një atmosferë të luftës nga fytyra e fëmijëve.

“Në fund të luftës të gjitha personazhet dalin të ndryshuar, sepse kanë përjetuar një situatë tejet të vështirë dhe kanë mbijetuar në luftë”, shton më tej producenti Dritan Huqi. Filmi i cili është miratuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në vitin 2010, përballë problemeve me buxhetin që nuk kanë qenë të pakta vetëm gjatë muajve të fundit të 2013 arriti të niste xhirimet për të qenë tashmë pranë fundit të tyre. “Problemet me buxhetin tashmë dihen dhe nuk kanë qenë të pakta. Imagjinoni që ky film është miratuar si projekt për tu financuar që në vitin 2010 nga QKK, por dihet se në çfarë vështirësie është me buxhetin QKK, ku buxheti vjetor nuk e lejon të financojë filmat brenda vitit”, tregon producenti Huqi. Xhirimet e këtij filmi përfshijnë Gjakovën në Kosovën, Bajram Currin dhe një pjesë e tyre do të jenë në Itali. Tashmë xhirimet në Kosovë kanë mbaruar dhe zgjatën 4 javë, për të vijuar më pas dhe në Bajram Curri dhe Itali për disa ditë. Filmi i cili këtë herë vjen si një prodhim dramatik, me histori njerëzore, pritet ta ketë premierën vitin që vjen. Edhe pse me jo pak vështirësi, sipas producentit Dritan Huqi në vjeshtë të 2014 “Ëngjëjt janë larg” mund të vijë premierë.

“Edhe disa ditë na kanë mbetur për xhirimet, ku 4 javë janë xhiruar në Gjakovë, por filmi ka dhe faza të tjera, si montazhi i tij, etj. Kur të mbarojë do të jetë dhe në festivale të ndryshme, dhe shpresojmë që në vjeshtë të 2014 filmi do të vijë premierë për publikun”, tregon mbi filmi producenti Dritan Huqi.Historia e filmit “Ëngjët janë larg” zhvillohet në mars të vitit 1999, Kosovë. Periudha e bombardimeve të NATO-s, shpërngulja masive me karakter etnik të shqiptarëve. Terrori, frika, pasiguria, uria ka pllakosur qytetin e Gjakovës në kufi me Shqipërinë. Ngjarjet e filmit zhvillohen në harkun e 70 ditëve të bombardimeve. Zhanri i filmit është dramatik, por kjo duket se nuk përjashton që përgjatë narracionit të vijnë llogjikshëm situata, momente humori, erotizmi, që shmangin herë pas here zymtësinë e rrethanave që përshkojnë fabulën e filmit. “Filmi zhvillohet fillimisht në dy linja paralele që më pas puqen, lidhen në një fill të përbashkët, e më në fund secila i kthehet fatit të vet”, tregon producenti Dritan Huqi.

Ndërkohë gjatë zhvillimit të filmit do të ndërthuren dhe dhjetëra karaktere paramilitare, ushtare të UÇK dhe banorë qyteti dhe fshati. Kohëzgjatja e filmit do të jetë 90 minuta. Filmi është co produksion shqiptaro-italian dhe nga Kosova. Ashtu si çdo film tjetër shqiptar, që nga momenti i miratimit në Qendrën Kombëtare Kinematografike, deri në fillimin e xhirimeve, duhet të kalojë një kalvar të gjatë për gjetjen e bashkëprodhuesve, financimeve etj, edhe filmi më i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani nuk i ka shpëtuar kësaj “procedure”, dhe që nga 2010 vetëm në vjeshtën e vitit 2013 u bë e mundur që filmi të niste xhirimet

Më Shumë

Lajmet e Fundit