15.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Tetor, 2024

“Enver Hoxha u pushua si mësues se pati lidhje intime me nxënëset”

enver-hoxha-si-mesues-300x289Botimet “Uegen” publikon biografinë e re për diktatorin.

Enver Hoxha u pushua si mësues se pati marrëdhënie intime me nxënëset e Liceut.

Për të mbyllur skandalin në Liceun e Korçës, Hoxha kërkon transferimin në Gjirokastër, por edhe aty shkarkohet.

Si u retushuan fotot e Liceut

Fshirja e miqve dhe zhvendosja e hapësirave duke krahasuar fotografitë.

Nexhmije Hoxha: Ka pasur retushime, por jo me urdhër 

Jeta intime e Enver Hoxhës gjithnjë ka mbetur një mister. Me gjithë hamendësimet dhe supozimet e ndryshme, dokumentacioni për privatësinë e diktatorit rezulton i zhdukur, përveç disa dëshmive dytësore aty-këtu.
“Enver Hoxha në një optikë të re”, biografia më e fundit për diktatorin, me autor dr. Vasfi Barutin, tenton që të mbushë boshllëqet me fakte dhe materiale të reja, e në mungesë të tyre – përqasje rrëfimesh. Siç kuptohet edhe nga titulli, gjithçka në këtë libër vjen në një këndvështrim të ri, që i referohet periudhës 12 maj 1908–28 nëntor 1944. Autori e nis pikërisht me 12 majin, pasi ajo është data e vërtetë e lindjes së diktatorit (nga shtatë të publikuara) për ta mbyllur me çlirimin e Shqipërisë. Vepra voluminoze me 400 faqe është e redaktuar nga Xhevair Lleshi dhe vjen nën logon e shtëpisë botuese “Uegen”. Në tre numrat e kaluar, gazeta “Panorama” përzgjodhi disa nga pjesët e librit që kishin të bënin me Enverin si liceist në Gjirokastër e Korçë dhe më pas bursist në Francë e Belgjikë, ku arriti të bëhej sekretar i dy Konsullatave të Nderit të Shqipërisë në Bruksel e Anversë. Duke qenë se si në lice, ashtu edhe në universitet rezultonte tejet i dobët në mësime, biografi Vasfi Baruti ngriti pikëpyetjen se si arriti Enver Hoxha që për shumë vite studimi të mbahej me franga ari nga qeveria e Zogut, kur ai e ka konsideruar gjithnjë veten armik të Mbretit? Bashkë me përgjigjen se “Enveri ishte agjent sekret i Zogut”, autori i librit përballi ligjet e kohës dhe dokumentet e tjera, që sipas tij, vërtetojnë teorinë e spiunazhit. Sot biografia për diktatorin ndalet te intimiteti i tij, që shndërrohet në perversitet nëse është e vërtetë ajo që thotë dr. Vasfi Baruti – që Enver Hoxha u pushua nga puna si mësues në Lice në vitin 1939 për shkak se ngacmonte seksualisht nxënëset e tij…

(Pjesë nga libri biografik “Enver Hoxha në optikë të re”, me autor Vasfi Baruti)

Marrëdhënie intime me nxënëset
Në memorien e ish-studentëve të Liceut të Korçës dhe të korçarëve, profesor Enveri ishte sevdalli për dashuri dhe s’ka qortim për këtë, por teprim ishin marrëdhëniet e palejueshme të tij me vajza të Liceut ku jepte mësim morali. Panajot Plaku, bashkëkohës me Enverin: “Enveri, mësimdhënës në Liceun e Korçës. Në vitin 1939 u përjashtua nga Liceu në arsyetimin oficiel (zyrtar) se ka pasur marrëdhënie intime me nxënëset që u jepte edhe mësim morali!”. Panajot Plaku ka qenë ish-ministër dhe anëtar i Komitetit Qendror në vitet ‘50, më pas u arratis në Jugosllavi. E vërteta e Panajot Plakut kryqëzohet me studiuesin Pavle Goraniç: “Enver Hoxha përjashtohet nga shkolla me arsyen se kishte lidhur me nxënëset e tij marrëdhënie të palejueshme”. Dosja e Liceut ka kapërcim me një numër faqe dokumenti, është një fletë që hiqet nga dosja, dhe në dosje shkruhet: “Enver Hoxha, me kërkesën e tij, largohet” (AQSH, fondi i Liceut, dosja 305, 1939). Enveri e ndiente se do të përjashtohej dhe i bën kërkesë drejtorisë së Liceut për largimin e tij. Kjo përkon me motivimin e largimit të Enverit nga Liceu, siç shihet në vendimin e Ministrisë së Arsimit, që i dërgohet Liceut të Korçës dhe Liceut të Gjirokastrës.
Meraku i Enverit ishte të ndëshkonte me burg shokë e të njohur që dinin për jetën e tij intime. Këtë rrëfen dhe një ish-shoku i tij në Korçë në vitet ’30, Nesti Konomi: “Enverin e kam njohur në qytetin e Korçës në vitet ‘30. Kam pasur shoqëri të madhe me të. Ai më tregonte me mburrje të gjitha horrllëqet e tij me gratë e shtëpive publike të Korçës. Kur shkoi atje një natë i dehur, pa asnjë lek në xhep, ato e nxuarrën jashtë me forcë… Më 1968-n, kur unë isha punëtor ndërtimi në Voskopojë, një ditë vjen papritur Enver Hoxha bashkë me Mihallaq Ziçishtin, sekretar i parë i rrethit. Kur i pashë më ngriu shata e llaçi në dorë… Enveri vuri duart në mes dhe u gajas së qeshuri. ‘Uuuuu! Nesti qenke bërë kllasë punëtore… Mos ke qenë në hapsanë dhe ke vjellur helm kundër pushtetit… Po ti nuk e njeh Nestin, o Mihallaq…’. Mihallaqi më vërente nga koka në këmbë… Mbas një muaji më arrestuan dhe më dënuan 10 vjet burgim për propagandë fetare. Si mora vesh nga të tjerë, Enveri i la porosi Mihallaqit për të më rregulluar, dhe e mbajti fjalën”.

Zhdukja e dosjes arkivore
Në historitë e shumta të Luftës shkruhet se Enveri u pushua nga puna e mësuesit në Liceun e Korçës me motiv “element kundër regjimit”, dhe ky “motiv” ndryshoi nga koha në kohë. Kishin kaluar shtatë vjet nga viti 1939 dhe motivi i pushimit nga puna i Enverit në Liceun e Korçës është ky: “Një ditë fashistët, me demagogjinë e tyre shpallën një manifestim të madh që do të bënte populli i Korçës të nderojnë kujtimin e dëshmorit Themistokli Gërmenji. Në vendin e festimit shkojnë autoritetet më të larta. Por Grupi Komunist i Korçës dha kushtrim për sabotimin e manifestimit dhe në shesh shkuan vetëm kryetarët fashistë. Enveri që në atë kohë pushohej nga puna me motivacionin: Është kundër regjimit, nuk ka pranuar të shkruhet fashist dhe kanë shkruar kundër tij shumë raporte në Luogotenca nga ana e Tefik Mborjes. Autoritetet fashiste kanë të drejtë” (Biografia e shkurtër 1947). Ngjarja nuk ka ndodhur siç shkruhet. Në fakt, manifestimi është bërë, por jo entuziast: E pavërtetë është se “Grupi Komunist i Korçës dha kushtrim për sabotimin e manifestimit”, sepse Grupi që në mars 1938 kishte shpërndarë celulat e kishte pushuar si grup, në zbatim të direktivës së Kominternit. Meqë nuk ngjiste ky motiv i pushimit nga puna i Enverit, siç jepet më parë, u gjet “motiv” tjetër edhe më absurd, i shkruar një vit më pas, kur Enveri ishte në varr – tek “Enver Hoxha 1908-1985”. Në këtë libër shkruhet: “Për veprimtarinë revolucionare dhe qëndrimin e vendosur e të hapët antifashist, pas daljes në ballë të demonstratës së 28 nëntorit 1939, Enver Hoxha pushohet nga puna dhe nxirret jashtë kuadrit të arsimit”. Në faqet e “motivimit” të pushimit nga puna jepet edhe një faksimile me diçiturën: “Faksimile e vendimit të pushimit të Enverit”. Shihet qartë absurdi i parë: Vendimi i “pushimit” nga puna daton më 13 nëntor, 15 ditë më parë se të vinte demonstrata e 28 nëntorit dhe vendimi i “pushimit” s’ka asnjë lidhje me demonstratën. Absurdi i dytë: Është vendimi që nuk e shpall Enverin “element kundër regjimit fashist”, por e lë “jashtë kuadrit mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim” si profesor: Teksti i vendimit të pushimit nga puna është ky:

“Vendim
Ministria e Arsimit
Nr. 66 21/4X
Tiranë 13.11.1939
Gjimnazit të Gjirokastrës
Shkurtimi: Ju njoftohet se z. Enver Hoxha, mësues i transferuar aty prej Liceut të Korçës, shkarkohet nga detyra dhe mbetet jashtë kuadrit mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim.
Ministri
Drejtorisë së Liceut Korçë”.

Faksimile e vendimit të pushimit nga puna e Enver Hoxhës

Siç shihet dhe kuptohet lehtë, vendimi është i shkurtuar (dhe vendimi i arsyetuar nuk gjendet në dosje), me domethënie të qartë se transferimi i Enverit ka qenë i arsyetuar gjatë dhe arsyeja kryesore e vetme është motivacioni që e jep qartë Panajot Plaku për marrëdhënie intime me vajzat e Liceut, apo Pavel Goraniç, të cituar më parë. Nëse do të ishte ndryshe, përse mungon/është hequr nga dosja arkivore vendimi i arsyetuar i pushimit nga puna të Enverit?!
Vendimi i Ministrisë për transferimin e Enverit në Gjirokastër, i marrë më 13 nëntor, vjen më vonë në Korçë dhe i komunikohet më 8 dhjetor 1939.

Si u retushuan fotot e Liceut
Fshirja e miqve dhe zhvendosja e hapësirave duke krahasuar fotografitë

Nexhmije Hoxha: Ka pasur retushime, por jo me urdhër 
Të gjitha vendet ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë, dallohen për retushimin e fotove apo laminimet e dokumenteve.
Librat e historisë, albumet për Luftën Nacionalçlirimtare etj., janë spastruar nga të gjithë emrat dhe fotografitë e “armiqve të klasës dhe tradhtarëve”, për interesa biografike të Enver Hoxhës. Në ish-Institutin e Marksizëm-Leninizmit që drejtohej nga Nexhmije Hoxha ishte një zyrë për retushimin e fotografive. Vetë Nexhmije Hoxha me gjysmë zëri e ka pranuar se ka pasur retushime të fotove, por fajin për këtë ua lë disa shoqatave pa emër: “Është e vërtetë se retushimi është përdorur dhe ka qenë, për mendimin tim, një budallallëk që vjen nga pikëpamje injorante në këtë drejtim. E para, nuk është bërë me urdhër. Unë kam qenë pikërisht në atë aparat që merrej me propagandën në atë kohë pas çlirimit, por shumë organizata e shoqata e bënin këtë”. Përtej këtij interpretimi të Nexhmije Hoxhës duhet pasur parasysh se gjatë diktaturës dhe për kohën kur janë bërë retushimet e fotove nuk ka pasur organizata e shoqata, përveç “Shoqatës së Gjahut”, që u legalizua në vitin 1963, ku ishte anëtarësuar edhe vetë Enveri. Disa nga fotot që publikohen sot në gazetën “Panorama”, të cilat i përkasin kohës kur Enveri ndiqte Liceun e Gjirokastrës dhe më pas atë të Korçës, duken qartë që janë hequr disa nga liceistët apo mësuesit e tij. Fotot e njëjta shfaqen herë me persona më shumë dhe herë më pak, si dhe duke lëvizur hapësirat ndërmjet tyre, sipas prerjeve dhe fshirjeve profesionale. Duke shpalosur më tej albumin e retushimeve, fotot e të cilit do t’i publikojmë ditët në vijim, vihet re se janë hequr fare apo retushuar ish-miq të Enverit, të cilët më pas janë përndjekur, internuar, burgosur apo edhe pushkatuar, si Nako Spiru, Omer Nishani, Medar Shtylla etj. Gjithashtu, pjesë e retushimeve kanë qenë edhe fotografitë e Enverit në aktivitete të ndryshme që çojnë lart glorifikimin e tij si luftëtar dhe udhëheqës i madh i popullit shqiptar, si fjala e mbajtur në mbledhjen e Beratit, Kongresi I i Frontit Demokratik, deklarata para hotel “Dajtit” më 1944-n etj.


Foto të njëjta, por duket që ka pasur prerje të njërit person dhe lëvizje të të tjerëve. Në foton majtas, Enveri (në rreth) është me 6 shokë liceistë, ku ka pak hapësirë mes katër dhe dy prej tyre. Ndërsa në foton djathtas është prerë personi i fundit (djathtas) dhe është afruar hapësira.

1. Enveri i treti në radhë, rreshti i dytë nga e majta, në Liceun e Gjirokastrës. Nga ekspertiza e fotove janë zbuluar këmbë të tepërta. Janë gjithsej 5 persona që janë të retushuar, që për ilustrim i kemi futur në rreth bosh.

2. E njëjta foto nga Liceu i Gjirokastrës si nr. 1, Enveri ndodhet i treti në radhë, rreshti i dytë nga e majta. Por nga e djathta janë prerë dy persona mësues, plus katër persona të tjerë të retushuar që janë shënuar me rreth bosh.

3. Mësues dhe nxënës të Liceut të Gjirokastrës në vitin 1927. Enveri ndodhet në rreshtin e dytë, i dyti nga shkallët. Fotoja në rreshtin e dytë nga sipër shihet se ka të retushuar të paktën 5 shokë që janë shënuar me rreth bosh; midis të parit dhe të dytit, të dytit dhe të tretit./panorama/

Më Shumë

Islamic Relief Kosova nga Kanada përkrah financiarisht fermerët e Suharekës

Komuna e Suharekës ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me përfaqësuesit e Islamic Relief Kosova nga Kanada, për të ndihmuar financiarisht fermerët e kësaj...

Kastrati pas spekulimeve se do të përfshihet në politikë: Nuk do të jem pjesë e asnjë partie

Kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka reaguar pas disa spekulimeve që janë bërë, ku thuhej se ai do të përfshihet në...

Lajmet e Fundit