Kompozitorit Fahri Beqiri, iu nda Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” për vitin 2013, nga Ministria e Kulturës. Gjithashtu, Ministria ndau edhe tri çmime të tjera vjetore në fushën e muzikës. Kontributi i kompozitorit Beqiri u vlerësua lart nga juria profesionale, duke theksuar angazhimin e tij në ngritjen e kuadrove të reja.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e muzikës, Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se këto janë momente në të cilat nderohet puna dhe kontributi i krijuesve tanë. Ministri Krasniqi, tha se themelimi i çmimeve vjetore në muzikë dhe Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”, janë një nga kontributet e mira që Qeveria e Kosovës ka bërë në kuadër të nderimit të veprave të personaliteteve të shquara në fushën e muzikës.
“Ajo që më bën të ndihem mirë sot është fakti që juria profesionale ka vendosur që çmimin kombëtar për vepër jetësore t’ia japë një personaliteti shumë të nderuar të muzikës sonë, një njeriu që ia ka kushtuar gjithë jetë krijimtarisë muzikore, i cili ka kontribuuar shumë për dekada me radhë në skenën muzikore të Kosovës, përmes bashkë themelimit edhe të ansambleve të rëndësishme. Padyshim që të gjithë po e dini që po flas për profesorin e nderuar Fahri Beqiri”, tha ai, transmeton RTK.
Kompozitori i njohur Fahri Beqiri, duke falënderuar për çmimin që iu nda, shprehu edhe mirënjohjen e tij ndaj atyre që kanë bashkëpunuar me të.
“I falënderohem ministrit dhe ministrisë që e ka parë ët arsyeshme me e vulosë vullnetin e anëtarëve të jurisë dhe të nderohem unë me këtë çmim. I jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me mua dhe unë me ta. Edhe njëherë po e them që merita shkon në rend të parë për ata që kanë qenë shumë të talentuar dhe kemi dhënë së bashku kontributin që sot po kurorëzohet me këtë çmim”, theksoi ai
Ministria e Kulturës ndau edhe tri çmime të tjera vjetore në fushën e muzikës. Fituesit e këtyre çmimeve janë: Mendi Mengjiqi, Rafet Rudi dhe Kreshnik Aliçkaj.