Në Krushë të Madhe ka nisur të hënën ndërtimi i kompleksit përkujtimor për dëshmorët dhe martirët e këtij fshati. Në ceremoninë e rastit kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Rahovecit Smajl Latifi tha se, gjaku i dëshmorëve dha martirëve është faktori kryesor që përcakton vlerën e lirisë. “Prandaj edhe liria jonë ka rrënjë të thella, sepse ne marrim fuqi nga gjaku i derdhur i dëshmorëve e martirëve. Ky fshat, jo vetëm i madh me emër, por edhe me vepra, i dha lirisë tonë kuptim”, tha Latifi.
Sipas tij, përpjekjet e atdhetarëve si Ukshin Hoti dhe dhjetëra dëshmorëve e qindra martirëve, vërtetojnë dëshirën dhe etjen e madhe që populli shqiptar ka për lirinë. “Ngritja e kompleksit përkujtimor për të rënët i shërben historisë, i shërben forcimit të identitetit tonë kombëtar. Prandaj, përpjekjet institucionale në nivel lokal e qendror duhet të jenë vazhdimisht të fokusuara në ruajtjen dhe kultivimin e traditave tona”, tha Latifi.
Ai tha se hartimi dhe zbatimi i këtij projekti është vepër e përbashkët e institucioneve lokale e atyre qendrore, që dëshmon se institucionalizimi i vlerave tona kombëtare është përgjegjësi e të gjithëve. “Duke ngritur vepra të tilla monumentale i japim kuptim sakrificës së njerëzve dhe vetë vlerës së lirisë. Brezat që vijnë do të përkulen para kësaj sakrifice dhe do të dinë ta çmojnë çdo arritje. Ky projekt do të arrinte të kurorëzohej me sukses nëse familjarët e të pagjeturve do të dinin për fatin apo fatkeqësinë e më të dashurve të tyre”, theksoi Latifi.
Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala tha ndërkaq se ndërtimi i kompleksit përkujtimor për dëshmorët në Krushë të Madhe është obligim kombëtar e institucional. Ky fshat që i dha aq shumë Kosovës meriton të ketë një vend nderimi e kujtimi për gjakun e derdhur”, tha Shala.
Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Idriz Vehapi foli për sakrificën madhore të qytetarëve të këtij fshati. Ai bëri thirrje që të nderohet kujtimi për të rënët me punë e përkushtim për ndërtimin e forcimin e shtetit të Kosovës.
Rregullimi i varrezave do të zgjatë 3 vite dhe për këtë janë ndarë 450 mijë euro nga MMPH. Projekti do të realizohet në tri faza dhe pritet të përfundojë në vitin 2015. /PrizrenPress.com/