Prodhimi më i fundit i kinematografisë shqiptaro-angleze, filmi ”Ada”, më 29 prill do të shfaqet premierë në Kosovë, në kuadër të Festivalit PriFilmFest. Edhe pse nuk do të jetë në konkurencë zyrtare, “Ada” e regjisorit Spartak Pecani dhe skenaristit Matt Maude, pritet të zgjojë interesimin e publikut kosovarë, e veçanërisht të kritikëve të kinematografisë e të artistëve në përgjithësi edhe për faktin e përfshirjes së një kaste të madhe aktorësh të gjeneratave të ndryshme nga Kosova e Shqipëria.
Në rolet kryesore paraqiten dy aktorët e rinj kosovarë Afrim Muçaj dhe Lira Blakaj, bashkë me emrat e njohur të kinematografisë shqiptare, të tillë si Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Enver Petrovci, Reshat Arbana, Eshref Durmishi etj.
Filmi “Ada”, i cili është bazuar në romanin e Fatos Kongolit “Te porta e Shën Pjetrit”, ka në qendër dy histori dashurie të ndërprera verbërisht, kufomën e braktisur të një të riu dhe një inspektor të ndjekjes së krimeve në kërkim të vrasësve. Një vajzë e re në stacionin policor, duart e saja janë të lidhura, një inspektor është i ulur përballë saj. Ajo është e akuzuar për vrasje, ka dëshmi; armë e zbrazët në dorën e saj, gjak në mur. Shumë trupa të larguar nga rruga. Duhet përgjigje për dy pyetje. Pse? Si? I ndërtuar si ndërthurje me personazhe të mjediseve nga më të ndryshmet, kryeqytetase dhe periferike, intelektuale apo mafioze, filmi zhytet në realitetin e sotëm shqiptar.
“Ada” do të shfaqet në “Teatrin Kombëtar të Kosovës” më 29 prill, në orën 21:00, si film mysafir i Festivalit PriFilmFest 2014. Ndërkaq, repriza e tij do të jepet në një ambient të hapur, në një ekran gjigand, më 1 Maj, në orën 21:00, në pllatonë e Sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë, hyrja do te jetë falas.
Filmi është kooproduksion shqiptaro-anglezo-kosovar dhe si i tillë është realizuar me bashkëfinancimin e Qendrës Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë dhe të kompanive filmike “Sea Trimex” producent Agim Halili “Left Eye Blind” nga Anglia producent Harvey Ascott dhe “Concordia Pictures” nga Kosova producent, Nehat Fejza.