15.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Furtuna e Speciales nis pas Epopesë së UÇK-së

Kalimi i nismës së deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi në Qeveri, nga analistët politikë po shihet si një taktizim i politikës kosovare që të blejë edhe pakëz kohë derisa të fillojë publikimi i aktakuzave të para dhe furtuna e arrestimeve nga prokuroria, e që llogaritet të jetë pjesa e dytë e muajit shkurt dhe fillimi i marsit, pikërisht ajo koha kur edhe mund të nisë rundi i parë i arrestimeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Raportohet se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka gjetur prova për të akuzuar mbi 60 ishdrejtues dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emrat e të cilëve nuk bëhen akoma publikë. Aktakuzat nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe me vepra të tjera të kryera deri në fund të vitit 2000. Dërgimi i këtij projektligji të iniciuar nga një grup deputetësh për shqyrtim nga ana e Qeverisë shihet karta e fundit e lojës së orkestruar nga ana pushtetarëve vetëm për të blerë kohë dhe shtyrë fillimin e arrestimeve të para deri në kalimin e shënimit të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Megjithëse nuk përjashtohet edhe ndonjë tentativë e re e paramenduar e presidentit Hashim Thaçi, me ndihmën e kryeministrit Ramush Haradinajt dhe “agjenteve të tij” që ta ndryshojë Ligjin me anë të Kuvendit, për të negociuar me ndërkombëtarët arrestimin e tij eventual. Analistët theksojnë se një veprim i tillë vetëm sa do t’i ngarkonte akoma më shumë raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar, deri në izolim të plotë.

 

Politologu Gurakuq Kuçi vlerëson se kjo gjykatë është e padrejtë, megjithatë nuk është e drejtuar kundër vlerave të pastra të UÇK-së, por vetëm kundër individëve që mund të kenë rënë ndesh me ligjet e luftës dhe si e tillë duhet të kuptohet dhe të pranohet, madje pa nevojën e tentimit të bllokimit të saj me nismën që është në procedurë. “Gjykata Speciale e brengos klasën politike për pasluftën, do të thotë gjysmën e vitit 1999 dhe vitit 2000. Për këto vite nuk brengosen pjesëtarët e UÇK-së, por të përfshirët në raste të ndryshme, sepse UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte dhe kjo gjykatë nuk është për këtë, por për disa njerëz që vijnë nga klasa politike apo të lidhur me ta dhe kanë kryer krime politike, të cilat mund të lidhen edhe me krime ekonomike”, u shpreh ai.”Brengosëse për një pjesë të klasës politike mbetet fakti se në rast se Gjykata arreston dhe automatikisht hiqen nga pushteti, do të lirohet rruga për klasë të re politike dhe nëse kërkohet zgjerimi i kompetencave të Gjykatës Speciale edhe për krime e korrupsion ekonomik dhe rrugë mafioze, klasa e re politike do ta bëjë pa asnjë mëdyshje, sepse do kërkohet pastrimi i vendit nga falangat e krimit dhe korrupsionit”, vijoi më tutje Kuçi.”Andaj, çdo përpjekje e tyre për ta shfuqizuar Gjykatën është e kotë, sepse nuk i kanë votat dhe nuk lejohet nga bashkësia ndërkombëtare, konkretisht miqtë e Kosovës, që të bëhen veprime të tilla të pamatura të dëmshme, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në aspektin e jashtëm për Kosovën, por edhe për miqtë tanë perëndimorë, pasi nëse do të krijohej një gjykatë nga KS i OKB-së kjo do t’i bie fuqizim i Rusisë në Ballkan dhe dëmtim i aleatëve tanë”, tha politologu Kuçi për “Kosova Sot”.

 

Mision të pamundur e sheh përpjekjen e ndryshimit të ligjit dhe mandatit për Gjykatën Speciale edhe analisti Ali Hertica.”Tani thuajse është e përfunduar çdo gjë rreth funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Gjykatës Speciale, që është shumë e pritshme se do të fillojnë së shpejti me aplikimin e arrestimeve të para për të gjithë ata që janë të dyshuar në këtë drejtim, për aq sa pretendohet nga Prokuroria se kanë fakte dhe dëshmi. Është e pritshme që ky proces të fillojë diku kah fundi i shkurtit ose gjatë muajit mars, por ajo që është e pritshme mund të thuhet se fillimi i pranverës do të jetë me një furtunë pak sa të nxehtë pasi që edhe po pritet të fillojë rundi i parë i kapjes, arrestimit të të akuzuarve të parë nga kjo Prokurori dhe Gjykata Speciale”, u shpreh ai.

“Tanimë po thuhet që do të nisin arrestimet për të gjithë ata që janë të akuzuar kinse nga radhët e UÇK-së, por është shumë e pritshme që të akuzuarit do të jenë edhe të fushave të tjera të keqpërdorimeve të asaj kohe, që kanë vazhduar edhe me keqpërdorimin e pasurisë së shtetit nga grupet e ndryshme kriminale dhe ata ordinerë të zhvatjes së ekonomisë e të shtetit dhe atyre që uzurpuan prona shoqërore, që i morën ato me dhunë ose blerje të kundërligjshme sa për sy e faqe me çmime tejet të ulëta, vetëm për t’u pasuruar nga djersa e qytetarit”, potencoi Hertica.”Është shumë e qartë se dërgimi i kësaj nisme ligjore për ta shqyrtuar Qeveria dhe jo sikur kishte filluar më parë, që kjo të bëhet nga Kuvendi drejtpërdrejt, është rasti i fundit i skenarit të lojës së disa individëve para shënimit të 10- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dihet që nisma e papritur, e cila erdhi si e mistershme për ta penguar këtë gjykatë, për ta shfuqizuar fillimin e kësaj gjykate nuk do të ketë sukses”, vlerësoi më tutje ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, ka mjaft forca politike, të cilat nuk do të lejojnë që fati i shtetit të vendoset mbi fatin e disa individëve, të cilët po mundohen që për qëllime personale ta privatizojnë edhe shtetin.

 

Analisti Gani Qarri konsideron se, përkundër paralajmërimeve se pikërisht pjesa e dyte e muajit shkurt dhe fillimi i muajit mars do të jetë koha kur pritet të nisë përfundimisht rundi i parë i arrestimeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk beson se kjo mu në këtë kohë edhe do të ndodhë. Ai thotë se këtë bindje personale e ka pikërisht se kjo do të jetë një kohë e atmosferës festive, me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë e më pas Epopesë së UÇK-së në fillim të marsit.

“Ndaj sado që thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka gjetur prova për të akuzuar mbi 60 ishdrejtues dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe megjithëse aktakuzat nuk kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti vetëm me krime lufte, por edhe me vepra të tjera të ndodhura deri në fund të vitit 2000, besoj se për shkaqet e lartcekura Gjykata Speciale mund të vihet në veprim dhe të nisë arrestimet vetëm pas kalimit të atmosferës festive dhe përkujtimit të këtyre ngjarjeve historike për kombin, përgatitjes së opinionit me ato që do të ndodhin në fazën pasuese, fazë e cila do të jetë tejet sfiduese, aspak e lehtë dhe që mund të zgjasë e të marrë më së paku disa muaj kohë”, theksoi ai.

“Ajo që dihet botërisht dhe konsiderohet e sigurt tanimë nga të gjithë është e vërteta se Gjykata Speciale mbetet fakt i kryer, e për aq më tepër ka kaluar çdo afat i mundshëm për mënjanimin e saj dhe tanimë ajo nuk mund të zhbëhet as të shfuqizohet, me asnjë përpjekje nga kushdo qoftë në Kosovë. Kështu që dërgimi i çfarëdo ligji për shqyrtim lidhur me këtë Gjykatë nga ana e Qeverisë mbetet karta e fundit e lojës së pandershme e pushtetarëve aktualë, për të blerë sadopak kohë, zgjatur lirinë e tyre, për aq sa të jetë e mundur dhe shtyrë fillimin e arrestimeve të para”, ka pohuar Gani Qarri për “Kosova Sot”. Ai shton se tani çdo përpjekje dhe tendencë e sërishme edhe nga vetë Hashim Thaçi, që me ndihmën e Ramush Haradinajt dhe “agjenteve të tij” ta ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale me anë të Kuvendit, mund të bëhet vetëm e vetëm për të rritur pazarin e lëkurës së vet dhe negociuar me ndërkombëtarët (mos)arrestimin e tij eventual, por “do të jenë pa efekt dhe tërësisht të dështuara”.

Manovrat e dështuara të liderëve kosovarë

Analisti Faton Mehmeti konsideron se Hashim Thaçi është manipulatori dhe mashtruesi më i madh që ka njohur Kosova në politikën e saj, prandaj tani në favor të tij e ka gjetur Ramush Haradinajn, të cilin po e manipulon.”Thaçi po bën përpjekje maksimale për të manovruar me Gjykatën Speciale, duke u munduar që të fusë në pazar arrestimin e tij të mundshëm. Besoj se i pari i arrestuar nga Gjykata Speciale do të jetë nga PDKja dhe kjo pritet t”i dridh themelet e kësaj partie. Thaçi po mundohet që të “shitet” tek ndërkombëtarët vetëm që mos të arrestohet, duke u munduar që të tjerët t”i dërgojë prapa hekurave, në mënyrë që të ketë duart e lira për të vepruar pastaj”, u shpreh ai.”Gjykata Speciale është nevojë për Kosovën, pasi pa u pastruar e vërteta nuk ka të ardhme ky vend, që është i kapur nga banditë dhe kriminelë të thirrur në emër të luftës, e që kanë bërë çdo gjë të keqe për këtë vend. Fatkeqësisht Kosova po rëndon nga oreksi i Thaçit dhe Veselit, të cilët nuk janë njerëz të duhur për vendin. Gjykata Speciale do ta tronditë edhe këtë koalicion, i cili do të bjerë krahas me arrestimin e parë për të pasur dhe prodhuar trazira”, vijoi më tutje Mehmeti për “Kosova Sot”.

Ndërkohë, sipas Ibrahim Kelmendit, një veprimtar i LPRKsë në Diasporë, nuk mund të dihet saktë- sisht se kur fillon me arrestime Prokuroria ndërkombëtare dhe as nuk mund të shpallë askush askënd të fajshëm në këtë fazë, sado që mund të thuhet sa janë siguruar prova, mirëpo ai thotë se do të jetë një proces i pavarur dhe i drejtë. Edhe Kelmendi beson se përpjekjet për ta penguar veprimin e Speciales do të mbeten në gjysmë të rrugës, vetëm si një tentativë e dëmshme, fontanë dëshirash. “Rëndom, secili prokuror, kur ngrit aktakuzë, pretendon se ka prova. Por është trupi gjykues që i shqyrton aktakuzat dhe provat e prokurorit, duke i gjykuar ato konkretisht. Deri atëherë ato që ofron prokurori, quhen vetëm pretendime për prova. Prandaj, nëse 60 ish-pjesë- tarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të akuzohen nga prokurori, nuk do të thotë se janë të fajshëm, derisa të mos ketë përfunduar gjykimi i tyre. Asnjë “fizkulturë” e Kuvendit dhe e Qeverisë më nuk mund të ndryshon funksionimin e “Gjykatës Speciale” dhe prokurorisë së saj dhe krejt do të varet nëse ajo prokurori i ka të gatshme aktakuzat. Në atë institucion nuk janë të angazhuar prokurorë të sojit Sylë Hoxha, që të komandohen nga eprorët politikë, kur dhe kë duhet ta akuzojnë dhe ta arrestojnë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, tashmë Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj janë mall i skaduar dhe nuk mund të shantazhojnë e kushtëzojnë asgjë!

Më Shumë

Vajza në Rahovec raporton se i është zhdukur nëna

Një vajzë nga Rahoveci, ka raportuar në Polici se nëna e saj është larguar nga shtëpia të shtunën e javës së kaluar dhe nuk...

S’ka fitues në klasiken evropiane, gjithçka vendoset në ‘Santiago Bernabeu’

Ka mbaruar pa fitues derbi i gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Real Madridit. Përballja ishte e zjarrtë nga minuta e parë,...

Lajmet e Fundit