Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se janë gjetur dhe ndaluar pije energjike me afat të skaduar të cilat për destinacion kanë pasur tregun e Kosovës.
“Gjatë kontrollit të detajuar të ngarkesës inspektori kufitar ka gjetur brenda ngarkesës produkte me afat të skaduar. Për të njëjtat menjëherë ka nxjerrë vendim refuzimi duke pamundësuar hyrjen e tyre në treg të Republikës së Kosovës. Produktet tilla do të asgjësohen nën mbikëqyrje të autoriteteve kompetente. Me rritjen e fluksit të importit të produkteve ushqimore në prag të festave të fund vitit, AUV ka shtuar masat e kontrollit në import në të gjitha fazat e kontrollit inspektues”, thuhet në njoftim.
Shkolla Fillore “Loyola” shpall konkurs për një mësimdhënës/e të mësimit klasor
Po ashtu theksohet se aty janë gjetur edhe sasi të tjera produktesh ushqimore të dyshimta.
“Po ashtu është rritur edhe frekuenca e mostrimit me qëllim testim/ekzaminimi laboratorik në parametra të sigurisë ushqimore. Përveç produkteve të klasifikuar si të pasigurta për konsum, për të cilët është nxjerrë vendim refuzim, në të njëjtën maune janë hasur edhe sasi tjera produktesh ushqimore të klasifikuara si të dyshimta për konsumim”, thuhet aty.
Autoritetet kufitare ( AUV, DK dhe PK) kanë ndaluar ngarkesën në fjalë.
“Produktet e tilla do qëndrojnë në pikë kontrolli kufitar deri në konfirmim të rezultateve laboratorike. Varësisht nga rezultatet e testeve laboratorike merret vendimi përfundimtar”, thuhet në njoftim.
Më tej AUV thekson se ngarkesa/produktet e klasifikuar si të pasigurta në aspektin e sigurisë ushqimore janë refuzuar (në mbikëqyrjeje të autoriteteve kufitare do të asgjësohen), ndërsa produktet e klasifikuar si të dyshuara (pas procesit të mostrimit) do të qëndrojnë në pikë kontrolli kufitar deri në eliminimin e të gjitha dyshimeve të ngritura dhe pastaj do merret vendimi përfundimtar.