16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Gjykimi ndaj nëntë doganierëve të Prizrenit/ Gjykata do të marrë vendim jashtë seancës për kundërshtimet e mbrojtjes

Me propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve për korrupsion në seancën e shqyrtimit të dytë të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, gjykata do të marrë vendim jashtë seancës lidhur me kundërshtimet e paraqitura nga mbrojtja.

Në këtë rast, 9 zyrtarët doganorë Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dritan Hasimja dhe Driton Kurshumlia ngarkohen edhe për “Marrje ryshfeti”. Kurse, të akuzuarit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar”.

Ndryshe, propozimin për vendosjen e kundërshtimeve të mbrojtjes e ka bërë mbrojtësja e të akuzuarit Vullnet Syla, avokatja Elvira Heta-Vata, e cila tha se avokatët mbrojtës kanë paraqitur kundërshtimet me shkrim dhe për këtë propozon që gjykata të vendos jashtë seancës.

Qëndrim të njëjtë kanë pasur edhe avokatët mbrojtës të akuzuarve të tjerë në këtë rast si dhe prokurorja Ervehe Gashi.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi ka aprovuar propozimin e mbrojtjes dhe me këtë e ka ndërprerë seancën e së martës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021-ës, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019,  në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve  të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.

Ndërsa, të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.

Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.

Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.

Aktakuza thotë se më 8 shkurt 20219, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale: “Marrje e ryshfetit’’ në vazhdimësi nga neni 421, par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milionë e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Me këtë, ngarkohen se kanë kryer veprat penale  “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe  “Tregtia e ndaluar”, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth tre milionë euro.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale; “Kontrabandim me mallra” nga neni  317, par 2, veprën penale “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, par 2 si dhe veprën penale “Tregti e ndaluar “, nga neni 305, par 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit