11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Ilmi Pulaj nga Prizreni ankohet se nuk u kompensua për punën nga Komisioni Zgjedhor(Video)

Ilmi Pulaj nga Prizreni, ankohet se nuk mori kompensim nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, pavarësisht se punoi si komisioner në zgjedhjet e përgjithshme në qershor të vitit të kaluar.

Kanë kaluar gati dhjetë muaj nga koha kur Ilmiu është dashur të kompensohej për punën e tij gjatë ditës së zgjedhjeve. Ai e pranon se fillimisht pati probleme me xhirollogarinë e tij bankare, të cilën thotë se më vonë e kishte rregulluar.

“Unë kam qenë komisionar në zgjedhjet e fundit parlamentare, komisionar i Aleancës dhe për atë punë që e kam kry nuk jam pagu. Thjesht, pagesën time nuk ma kanë lëshuar ende KQZ-ja. Arsyeja është se në fillim e kam pasur xhirollogarinë e bllokuar, pastaj, edhe pse e kam zhbllokuar xhirollogarinë, prapë sot e kësaj dite nuk m’i kanë lëshuar mjetet”, thotë Ilmiu.

Ai thotë se fillimisht është ankuar në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ) në Prizren, mirëpo këta të fundit thotë ta kenë drejtuar për në KQZ në Prishtinë.

KALLXO.com kontaktoi edhe me kryesuesin e KKZ-së në Prizren, Nysret Bytyqin, i cili tha se është tentuar të bëhet ekzekutimi i pagesës te qytetari Ilmi Pulaj, mirëpo nuk ka mundur të realizohej për shkak të xhirollogarisë së bllokuar.

“Ne dy herë kemi provuar të bëjmë ekzektumin e pagesës, mirëpo Ilmi Pulaj ka pasur probleme me xhirollogarinë, tani e kemi drejtuar që të shkojë ta realizojë të drejtën e tij përmes KQZ-së në Prishtinë”, thotë Bytyqi.

Ilmiu që pret ekzekutimin e pagesës prej 66 eurove, thotë se për të është e pamundur të shkojë në Prishtinë për të kërkuar paratë që i takojnë, ngase sipas tij, mbi gjysmën e tyre do t’i shpenzojë për rrugë.

Për t’u ikur shpenzimeve, Ilmiu thotë t’i ketë shkruar mbi 5 herë e-mail zyrtar Sekretariatit të KQZ-së, mirëpo thotë se asnjëherë nuk mori përgjigje.

“Prishtinës iu kam drejtuar – Sekretariatit të KQZ-së me e-maila pesë herë rresht dhe as përgjigje nuk më kanë kthy, por as mjetet nuk m’i kanë lëshu”, thotë Ilmiu.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi, i cili përmes e-mailit ka premtuar se KQZ-ja do ta kryejë obligimin ndaj Ilmiut.

“KQZ-ja do të bëjë kompensimin pas plotësimit të dokumenteve të nevojshme, pasi personi në fjalë atëkohë ka sjellë llogari pasive. Tani pas sjelljes së llogarisë aktive do të kryejmë obligimin”, tha zëdhënësi Elezi.

Më Shumë

Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje interesante

Sot do të zhvillohen dy ndeshje tepër interesante në futbollin kosovar. Ndeshjet janë të vlefshme për javën e 31-të të AlbiMall Superligës së Kosovës. Në stadiumin...

Europa League: Leverkuseni i Granit Xhakës përballet me Romën

Pas gjysmëfinaleve të para të Champions League, në rend do të jenë ato të Europa League. Në këtë fazë të garës së dytë më të...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit