3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Irfan Fusha: Jetmire Vrenezi kërkonte me çdo kusht rrënimin e aneksit “Abi Çarshia” në Prizren

Në gjykimin ku tashmë deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jetmire Vrenezi, së bashku me të akuzuarit Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka vazhduar dëshminë e tij bashkëpronari i objektit “Abi Çarshia”, i dëmtuari Irfan Fusha.

Gjatë seancës së mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, i dëmtuari Fusha ka deklaruar se i akuzuari Islam Thaqi e kishte lutur atë që të hyjnë brenda dhe ta kryejnë rrënimin e objektit, të cilin rrënim tha se e akuzuara Jetmire Vrenezi e kishte kërkuar me çdo kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam tri sqarime, e të cilat janë: pyetja që më ka bërë më herët avokati e për të cilat deklaroj se kush kanë qenë prezent në ditën e rrënimit që kanë apllauduar në objektin e “Abi Çarshisë” para rrënimit, kanë qenë disa persona që ka apllauduar kur ka filluar rrënimi. Janë edhe incizimet. Në ditën e hapjes, në ditën kritike, nga ana e inspektoratit kanë ardh dhe kanë ndaluar që të bëhet hapja e objektit “Abi Çarshia”, në të cilin kanë qenë të pranishëm me mijëra persona. Ditën e rrënimit, diçka që më ka prekë kur erdhën për rrënim, zotëri Islami, drejtori i inspektorateve, më ka lutë dhe më ka thënë më lejoni të hyjmë të rrënojmë pak dhe ta kryejmë urdhrin, por urdhrin e kujt nuk e di”, deklaroi Fusha, si informacion shtesë gjatë dëshmisë së tij.

“Në ndërkohë zonjusha Jetmira ka thënë që ju në rast se nuk e rrënoni, ju më jepni çekiçin, unë do ta rrënoj vet. Ka aty persona që e kanë dëgjuar këtë, ka qenë ditë pune, kanë filluar rrënimin, pa e ndërpre rrymën, pa e ndërprerë ujin dhe kanë qenë një masë e madhe e njerëzve brenda nëpër lokale. Konsideroj se me këto veprime kanë shkaktuar rrezik”, deklaroi tutje Fusha.

“A e keni dëgjuar ju vet personalisht këtë fjalë të thënë siç e cekët me lartë që e ka thënë e pandehura Jetmire?”, ishte pyetja e mbrojtësit të të akuzuarës Vrenezi, avokatit Ardian Morina, për të cilën Fusha u përgjigj: “E kam dëgjuar edhe vet, por edhe kolegët e saj e kanë dëgjuar”.

Në fillim të dëshmisë së tij, Fusha tha se që kur e njeh të akuzuarin Islam Thaqi, që nga koha kur ka qenë drejtor i Inspektorateve nga të gjitha takimet që ka pasur me të, asnjëherë nuk është ndier i kërcënuar nga ai. I dëmtuari Fusha shtoi se ka pasur shumë takime me të akuzuarin Thaqi dhe se nuk i kujtohet ai i 14 korrikut 2018, që sipas të akuzuarit, ishte takimi i tyre i parë.

“Meqenëse është objekt i akuzës vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pyetja është, a i kujtohet deklarata e tij e datës 27.08.2018, në procesverbalin e drejtorisë së Inspektorateve me numër 0004528? Kemi të bëjmë me një procesverbal për skjarim ku inspektori ka hartuar procesverbal për rrënim të pjesës që ka pasur tejkalim të lejes së ndërtimit, ka të bëjë me periudhën para nxjerrjes së vendimit, meqenëse vendimi ka ardh në orët e pasdites”, tha i akuzuari Thaqi.

Kjo pyetje u kundërshtua nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hodaj, me arsyetimin se pyetja e parashtruar me një datë dhe procesverbal nuk përkon me periudhën për të cilën akuzohet i njëjti dhe se më shumë pyetja është e drejtuar sikur i dëmtuari të ishte i akuzuar.

Mirëpo, kjo pyetje u lejua nga ana e trupit gjykues, kryesuar nga gjykatësja Kymete Kicaj, për të cilën i dëmtuari tha se nuk i kujtohet detajisht.

Tutje, Fusha deklaroi se hapja e objektit afarist “Abi Çarshia” është bërë me 29 shtator 2018, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pavarësisht hapjes, pjesa ku janë ndërprerë punimet nga ajo kohë, nga data 29 shtator 2018 deri më datën 28 mars 2019, ju nuk keni pas as inspektim dhe nuk ka pasur asnjë punim në pjesën ku është bërë tejkalimi i lejes së ndërtimit?”, ishte pyetja e radhës nga i akuzuari Thaqi, për dëshmitarin Fusha, ku ky i fundit u përgjigj se me datë nuk e di, por se punimet janë ndërprerë dhe se për inspektime nuk po i kujtohet.

Pas kësaj, i akuzuari Thaqi deklaroi se me 28 mars 2019, nga inspektorët e ndërtimtarisë është hartuar një procesverbal, me të cilin dëshmohet se në pjesën e objektit pa leje ndërtimore i dëmtuari ka vazhduar punimet, në të cilin procesverbal saktësohen edhe cilat punime dhe se njëkohësisht është i pajisur me fotografi për të bërë përshkrimin e plotë të tyre. I njëjti e pyeti të dëmtuarin se a është në dijeni lidhur me atë procesverbal, të cilin se bashku me foto dokumentacion, me lejen e gjykatëses, ia prezantoi Fushës.

“Siç po shihet në këtë procesverbal unë nuk kam qenë prezent atë ditë, ndërsa kush ka qenë prezent janë të shënuara në atë procesverbal dhe në këto foto si po shihet krejt punimet kanë qenë të kryera, por me siguri ka qenë ndonjë lyerje apo diçka e tillë, ne gjithmonë vazhdojmë mirëmbajtjen dhe lyerjen”, u përgjigj Fusha.

Tutje, i pyetur lidhur me pagesën e bërë nga njëri staf i tij, e shqiptuar nga inspektorët e ndërtimit komunal në vlerë 500 euro, më 8 prill 2019, Fusha tha se për një gjë të tillë duhet të kenë njohuri kontabilistët pasi është bërë pagesa.

“A ju ka njoftuar përfaqësuesi ligjor për parashtrimin e padive dhe propozimin për masë të përkohshme në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër vendimeve të nxjerra nga Drejtoria e Inspektorateve në vitin 2019?”, ishte pyetja e radhës nga i akuzuari Thaqi, për çka Fusha u përgjigj: “Të gjitha këto janë të shënuara, të shkruara”.

Seanca ka vazhduar me pyetjet e avokatit Ardian Morina, mbrojtës i të akuzuarës Jetmire Vrenezi, ku fillimisht e ka pyetur dëshmitarin nëse e ka njohur klienten e tij para rastit në fjalë.

“Nuk e kam njohur”, u përgjigj Fusha, pas së cilës avokati nuk pati pyetje tjera.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Egzona Morina-Thaqi, avokatit Valdet Hoxha, dëshmitari Fusha deklaroi se dy aktet për rrënim vullnetar dhe për ndërprerje të punimeve me siguri i kanë pranuar para aplikimit për legalizim.

Tutje, në pyetjen e avokatit Hoxha, se përse në kallëzimin penal të datës 22 korrik 2020 (tri ditë pas rrënimit), të parashtruar ndaj disa zyrtarëve komunal përgjegjës për rrënim, nuk gjendet emri i të mbrojturës së tij, dëshmitari tha se avokatët e kanë bërë kallëzimin penal dhe se ata janë më të njoftuar me çështjen.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Kymete Kicaj, dëshmitari deklaroi se tani ka legalizuar edhe pjesën në të cilën ishte bërë tejkalimi i lejes së ndërtimit, duke shtuar se me 17 korrik 2019 kanë aplikuar, kurse me 2 tetor 2020 e kanë legalizuar atë pjesë, e se kushtet për legalizim kanë qenë të njëjta sikurse më parë.

Pas dëgjimit të tij, vërejtje në dëshminë e dëshmitarit kanë dhënë i akuzuari Islam Thaqi me mbrojtësin e tij, avokatin Blerim Mazreku, si dhe e akuzuara Jetmire Vrenezi me mbrojtësin e saj, avokatin Ardian Morina.

Pas kësaj, avokati Mazreku, ka kërkuar nga trupi gjykues që seanca e sotme të ndërpritet, pasi që ai është i angazhuar në një rast tjetër.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e lartpërmendur, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më  29 prill 2021, në ora 09:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Vrenezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë, thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi në cilësin e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi inspektore të ndërtimtaris, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në drejtorin e Inspektoratit si dhe Shqipëron Krasniqi përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, në cilësin e përsonave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks objektit të “Abi Çarshija”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative si dhe vendimet e Ministris së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor nr. A-213/18 dhe A-179/19 me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtaris në Prizren.

Sipas Prokurorisë këto vendime obligojnë organet Komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshija”, “Abi” SHPK, në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Festivali “Prizren Rock and Blues Festival” rikthehet edhe këtë vit me emra shumë të njohur — mbahet më 4-5-6 korrik

Festivali “Prizren Rock and Blues Festival” po rikthehet në edicionin e dytë me emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti...

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Lajmet e Fundit