Komuna e Prizrenit ka miratuar kërkesën e Shoqatës së Biznesmenëve dhe Zejtarëve të Prizrenit “Esnaf” drejtuar Sektorit për Pronë pranë Drejtorisë së Administratës për dhënie me qira të objektit të ish-çerdhes së fëmijëve afër SH.F. “Mustafa Bakiu”, në afat të shfrytëzimit deri më 31.12.2014 me mundësi vazhdimi. Qiraja mujore për këtë shoqatë do të përfshijë obligimin prej 1 euro në muaj.
Monitoruesja e OJQ “ Ec Ma Ndryshe” Elmedina Baxhaku tha se në këtë mbledhje ekzekutivi lokal ka miratuar njëzëri edhe kërkesën e Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik, në lidhje me shpalljen e tenderit për shumëzimin e 1000 CD-ve të filmit promocional “Mirë se vini në Prizren” dhe të spoteve televizive për promovimin e turizmit.
Me kërkesën e Drejtorisë Komunale për Shëndetësi, Ekzekutivi ka lejuar shpalljen e tenderit për qasje të internetit në objektet e shëndetësisë primare, për komunikimin dhe shkëmbimin e informatave më efektive në këto institucione. Parallogaria kap vlerën prej 8,500 euro e cila shumë ndahet nga granti qeveritar për shëndetësi.
Ekzekutivi lokal me kërkesat e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, po ashtu ka marr vendim për mbështetje materiale të klubeve sportive të Prizrenit, duke pasur parasysh gjendjen e tyre të vështirë financiare. DKRS do të mbështesë këto klube me gjithsejtë 16,000 euro. (Klubi i Hendbollit femrat “Prizreni” merr 3,000 euro, Klubi i basketbollit femrat “Bashkimi”, Klubi i hendbollit meshkujt “Prizreni”, Klubi çiklistik meshkujt “Prizreni”, Klubi i mundjes “Prizreni” dhe Klubi i atletikës “Prizreni” marrin nga 1,500 euro, pastaj nga 1,000 euro do të marrin klubet e boksit, xhudos dhe tenisit, derisa nga 500 euro i janë ndarë Klubit të shahut “Zhupa”, Klubit të pingpongut “Prizreni”, Klubi të pingpongut “Elif 19” dhe Klubit të karatesë.
DKRS-së i është dhënë drita e gjelbër edhe për përkrahjen financiare të Teatrit Profesionist të Prizrenit në lidhje me realizimin e projekteve teatrore, në shumë prej 5,000 eurosh.
Në këtë takim është përzgjedhur edhe komisioni për hartimin e draft-statutit të Teatrit Profesionist në përbërje: Fetah Paqarizi, Sefer Avduti dhe Urim Ukimeri.
Nga Zyra për Barazi Gjinore, ndërkaq është kërkuar mbështetja financiare për “Qendrën për strehim të grave dhe fëmijëve”, me ç’rast qeveria lokale do të vazhdojë me mbulimin e shpenzimeve operacionale siç janë: uji, higjiena, rryma dhe mirëmbajtja e Qendrës edhe për gjashtë muaj.
Gjithashtu ka kaluar edhe kërkesa për mbështetje financiare të Shoqatës të Verbërve për kursin e gjuhës angleze për një numër të konsiderueshëm të studentëve të verbër si dhe familjarë që kanë fëmijë të verbër. Projekti përkrahet me 800 euro./PrizrenPress.com/