13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Ish-inspektori në Prizren: Nuk u rrënuan objektet pa leje për shkak se nuk na erdhi në asistim Policia

Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Kransiqi, ka deklaruar se deri te mos ekzekutimi i vendimeve për rrënimin e objekteve pa leje ka ardhur si pasojë e mos asistencës së Policisë së Kosovës.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në të cilën seancë ai ka dhënë mbrojtjen e tij, si dhe në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi.

Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi sipas aktakuzës, gjatë vitit 2014, nuk e ka ekzekutuar vendimin e Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, për rrënimin e kompleksit “Crazy Love”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Krasniqi ka thënë se i kishte ndërmarr të gjitha veprimet për rastin e shtëpizave “Crazy Love”.

Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj, se përse nuk ishte bërë ekzekutimi i konkluzionit, i akuzuari ka thënë se këtë ia kishte pamundësuar mos asistenca e Policisë.

“Kam dal në vendin e ngjarjes por nuk kemi mundur ta ekzekutojmë konkluzionin pasi që policia nuk ka ardhur në asistencë. Edhe nga dokumentacioni shihet që kemi ndërmarr të gjitha veprimet që i takojnë inspektorit të ndërtimit, besoj që punën e kam kryer deri në fund me kompetencat që i kam pas”, ka thënë i akuzuari.

Ai ka thënë se te këto raste ku nuk ekziston plani detal rregullues, Kuvendi Komunal merr vendim që të bëhet ekzekutimi i konkluzioneve për rrënim apo që pronarët t’i pajisë me leje të ndërtimit.

Në seancën e së premtes, dëshminë e tij e ka dhënë ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi, i cili gjithashtu ka deklaruar se deri te mos ekzekutimi i vendimeve për rrënimin e objekteve pa leje ka ardhur si pasojë e mos asistencës së Policisë së Kosovës.

Dëshmitari Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Metush Biraj, ka deklaruar se inspektorët janë të pavarur në punën e tyre dhe drejtori sipas tij, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në asnjë çështje.

“Inspektori në fjalë i cili edhe e nxjerrë konkluzionin është përgjegjës deri në ekzekutim dhe mendoj që ky e ka kryer detyrën me mjaftë përgjegjësi, sepse e kam parë gatishmërinë e tij që ta kryej deri në fund punën e tij. Mirëpo ka qenë mungesa e policisë në këtë rast që ka pamundësuar ekzekutimin e konkluzionit edhe pse kjo zonë nuk ka plan detal rregullues urbanistik, si inspektor megjithatë i ka ndërmarr të gjitha veprimet”, ka deklaruar dëshmitari.

Ai ka thënë se ish-inspektori Krasniqi, përveç konkluzioneve kishte vazhduar me kallëzim penal, ka shqiptuar edhe dënime mandatore.

Pasi që policia nuk e ka dhënë mbështetjen, sipas tij, ish inspektori kishte vënë edhe shiritat apo vulat zyrtare përreth objektit.

Duke u përgjigjur në pyetjen mbrojtësit të të akuzuarit Bashkim Krasniqi, avokatit Driton Shehu, dëshmitari ka thënë se prioritet për drejtorin e Inspektorateve janë zonat e rregulluara me plan detal urbanistik.

“Prioritet me sa kujtoj, janë zonat urbanistike të rregulluara me plan detal urbanistik. Duke pas parasysh që Komuna e Prizrenit është komunë e madhe dhe me një staf të vogël në këtë fushë, megjithatë ne jemi munduar që edhe në ato zona ku s’ka plane rregullative, që të bëjmë ndalim edhe aty të mos lejonim ndërtime pa leje”, ka thënë dëshmitari Bytyqi.

Gjithashtu, ai ka thënë se afati i ruajtjes së konkluzionit dhe dokumenteve është 10 vjeçar dhe sipas tij, gjatë kësaj kohe mund të ndërhyhet kurdo që krijohen kushtet.

Më pas, trupi gjykues ka ndërprerë seancën e së premtes, kurse seancën e radhës ku do të jepen fjalët përfundimtare e ka caktuar më 29 tetor 2019, në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqi, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

AAK merr iniciativë për shkarkimin e Qeverisë Kurti, përgatit mocion mosbesimi dhe Rezolutë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rastin e 3 vjetori të Qeverisë Kurti, ka prezantuar një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë se Kosovës. shkruan...

25 vjet nga ndërhyrja historike për paqen në Kosovë

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit...

Lajmet e Fundit