30 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025

Ja çka kërkuan në gjykatë 18 policët nga Prizreni, të akuzuar për marrje të ryshfetit

8 zyrtarët policorë, të akuzuar për marrje të ryshfetit, të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, kanë kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tyre.

Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj, në gjykimin e së premtes, kanë kundërshtuar aktakuzën e prokurorisë.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, ndër arsyet kryesore për hudhje të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, kanë theksuar selektimin në ngritjen e kësaj akuze pasi që, sipas tyre, ka persona që janë lënë jashtë kallëzimit penal nga ana e Inspektoratit Policor.

Mbrojtësit kanë thënë se aktakuza nuk përshkruan konkretisht veprimet e të akuzuarve, porse në përgjithësi shkruan se kanë kërkuar dhe marrë ryshfet nga palët e ndaluara për kundërvajtje në trafik, duke shtuar se edhe ligji u lejon policëve që të falin vozitësit nëse duan.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Zogaj, avokati Sahit Bibaj, ia ka dorëzuar gjykatës një provë me të cilën, sipas tij, dëshmon se klienti i tij ka qenë në pushim vjetor në ditën për të cilën akuzohet se ka kërkuar dhe marrë ryshfet. Bibaj ka thënë se video-incizimi e shfajëson klientin e tij për rastin e 4 dhjetorit 2016, pasi që sipas tij, aty dëgjohet kundërvajtësi duke iu lutur të mbrojturit të tij, për ta liruar edhe duke i ofruar një kafe, por ai ka refuzuar.

Mbrojtësit, po ashtu kanë thënë se organi i akuzës nuk ka precizuar lartësinë e dëmit dhe se kujt i është shkaktuar ai dëm, kush janë dëshmitarët me të cilët të akuzuarit do të ballafaqoheshin për të vërtetuar nëse u kanë kërkuar atyre ryshfet.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka kërkuar që kërkesat e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre të refuzohet dhe ky rast të vazhdojë në shqyrtim kryesor ku, sipas tij, do të vërtetohet aktakuza.  Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes për selektim në këtë rast, prokurori Nixha ka thënë se një gjë e tillë nuk është bërë nga organi i akuzës, duke shtuar se prokuroria i është përmbajtur kallëzimit penal të bërë nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka njoftuar palët se rreth kërkesave të mbrojtjes do të vendosë jashtë seance dhe me vendimin do të njoftohen të gjitha palët. Ai po ashtu, i ka njoftuar palët në procedurë për të drejtën e tyre në ankesë, nëse nuk do të jenë të kënaqur me vendimin e tij.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarë policorë të njësisë së autostradës “Ibrahim Rugova”, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej 2 dhe 3 zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro, e pastaj ato i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast janë të akuzuar 20 policë, mirëpo në shqyrtimin fillestar, policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani, kanë pranuar fajësinë.

Më Shumë

60 mijë euro investim në Dragash: Nis ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit Kapre–Rrenc

Ka nisur zyrtarisht realizimi i projektit për shtrirjen e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit përgjatë rrugës së asfaltuar Kapre–Rrenc, një investim i rëndësishëm për...

Gjakova për herë të parë mbështet Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Gjakovës i është bashkuar për herë të parë si bashkëfinancuese edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, që po zhvillohet në Universitetin...

Lajmet e Fundit