9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Jacobson: SHBA vazhdon mbështetjen e Kosovës në integrimet euroatlantike

Tracey Ann Jacobson-ambasadore amerikanePërvjetori i 238-të i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festuar edhe në Kosovë. Ambasada e SHBA-ve ka zhvilluar një ceremoni në selinë e saj në lagjen Arbëria ku pjesëmarrës ishin personalitete të ndryshme.

Së bashku me 238 vjetorin e SHBA-ve, ambasadorja Tracy Ann Jacobson ka festuar edhe zhvillimet demokratike në Kosovë, duke u ndalur kryesisht në zhvillimin e zgjedhjeve të fundit që u mbajtën në Kosovë, ato lokale dhe parlamentare dhe që u zhvilluan në tërë territorin e Kosovës.

Ajo i ka uruar qytetarët e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ha shprehur gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i ndihmuar edhe më tutje këtij vendi.

“Sfidat mbesin, por unë jam e bindur se nëse Kosova e mban përkushtimin ndaj parimeve të saj demokratike dhe rrugëtimit evropian atëherë ajo do të vazhdojë të përparoj. Mirëpresim vazhdimin e partneritetit të ngushtë që kemi me njëri-tjetrin, duke ju mbështetur në punën e rëndësishme që keni përpara dhe në integrim et euroatlantike”, ka thënë ambasadorja Jacobson, transmeton Telegrafi.

Ambasadorja amerikane, është shprehur e lumtur që dy shtetet janë miq dhe i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje.

Falënderimet nuk kishin munguar as nga ana e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës. Ishte presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga që ju drejtua të pranishmëve dhe falënderoi shtetin e Amerikës për mbështetjen që po i jep Kosovës.

Ajo ka ngre dolli për urimin e 238 vjetorit të SHBA-ve dhe për miqësinë që kanë populli i Kosovës dhe ai amerikan.

“Të bashkuar me qëllimin tonë të përbashkët për liri, barazi dhe demokraci. E dashura ambasadore ju falënderoj nga zemra, përjetësisht për ndihmën tuaj që ne sot të jetojmë në paqe. Dhe kjo ka një domethënie të veçantë për popullin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj. Ju falënderoj për besimin e vazhdueshëm në vizionin tonë që të ndërtojmë një shtet dhe një demokraci dhe një vizion tonin të mëtutjeshëm që dita e ditës ne po i japim formën dhe ne po e fuqizojmë shumë e më shumë”, ka thënë Jahjaga.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ka qenë edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, liderët e partive politike në vend, kryetarët e komunave, ministra, prijës fetarë etj.

Më Shumë

Lajmet e Fundit