11.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Jo lehtë për Qeverinë

RizaSmaka-profesorProfesori i së Drejtës Kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë të lehtë t’i sigurojë votat e mjaftueshme të deputetëve në Kuvend për miratimin e propozimeve të saj.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Smaka ka thënë se kjo Qeveri nuk do ta ketë të lehtë ta çojë deri në fund mandatin qeverisës. “Jam skeptik për sa i përket funksionimit të kësaj Qeverie. Kjo Qeveri do të ketë halle për vota dhe për kalimin e propozimeve në Kuvend. Dhe kur Qeverisë nuk i kalojnë propozimet, ajo do të duhej ta rishikonte pozicionin. Nuk dëshiroj që kjo gjë të ndodhë, por i druhem një skenari të tillë. Me mundime të mëdha, arnime dhe negociata të prapaskenave do të mund ta vazhdojë punën Kuvendi”, është shprehur Smaka.
Ai ka thënë se PDK-ja do ta çojë deri në fund mandatin e kësaj Qeverie. “Besoj se PDK-ja do t’ia dalë ta çojë deri në fund mandatin qeverisës. Mendoj se do të përdoren metoda të sofistikuara për t’i bindur deputetët të votojnë pro çështjeve të caktuara. Brenda grupit parlamentar të PDK-së mund të jenë 7-8 deputetë të cilët mund të votojnë kundër”, ka thënë Smaka, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që AAK-ja ta mbështesë Qeverinë deri në përmbylljen e mandatit të saj. “Mund të supozoj se AAK-ja do ta mbështesë Qeverinë, sepse ajo esencialisht është duke e mbështetur këtë Qeveri, me përjashtim të rastit të fundit. Në shumë çështje delikate AAK-ja e ka mbështetur Qeverinë”, ka thënë Smaka.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se nuk është interes as i pozitës e as opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Nuk besoj se është në interes të partive opozitare të shpërbëhet Kuvendi e të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Partitë opozitare frikësohen se nëse shkojnë në zgjedhje të parakohshme rezultati i zgjedhjeve do të ishte përafërsisht i njëjtë me atë të vitit 2010”, ka thënë Smaka.

“Epoka e re”: Profesor, si i shihni zhvillimet brenda Kuvendit të Kosovës, ku në fillim të sesionit vjeshtor kemi dy ndërprerje të seancave për shkak të mungesës së kuorumit?
Smaka: Këtë legjislaturë që nga fillimi e kam vlerësuar me defekte të konsideruara. Po ashtu, kam krijuar përshtypjen se kjo legjislaturë nuk është kompetente, e vlefshme dhe nuk ka autoritet për shkak se një numër i deputetëve janë falsë në bazë të votave artificialisht dhe ilegalisht të grumbulluara. Mund të them se një numër i deputetëve janë pasivë, joproduktivë dhe nuk janë analizues të zhvillimeve politike, ekonomike, arsimore, kulturore etj. Duke u përgjigjur në këtë pyetje, tani ka plasaritje brenda partisë në pushtet. Këto plasaritje janë vërejtur qysh në seancat e para të këtij sesioni, ku kishte mungesë të kuorumit. Kjo çështje më brengos sepse temat e mëdha duhet të analizoheshin dhe shtjelloheshin me seriozitet të madh. Interesat e ngushta partiake nuk mendoj se nuk do të duhej të ndikojnë në votime dhe trajtime të ndryshme. Interesat e ngushta le të mbesin për fushata politike. Kur kam qenë deputet opozitar ka ndodhur që krejt opozita ka dalë nga salla, ndërsa unë kam qëndruar në Kuvend. Deputeti e ka vendin në Kuvend, në foltore dhe në sallat ku mbahen mbledhjet e komisioneve. Deputeti e ka vendin të japë kontribut afirmativ në Kuvend.

“Epoka e re”: Vlerësoni se fushata parazgjedhore është bartur në Kuvend?
Smaka: Mjerisht është bartur. Fushata në Kuvend është bartur në mënyrë implicite. Kjo fushatë është bartur një vit më herët. Një gjë e tillë është e keqe. Unë jam ithtar që deputeti të punojë e të veprojë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Epoka e re”: Besoni se Qeveria aktuale do të mund ta çojë deri në fund mandatin qeverisës?
Smaka: Unë jam skeptik për sa i përket funksionimit të kësaj Qeverie. Kjo Qeveri do të ketë halle për vota dhe për kalimin e propozimeve në Kuvend. Dhe kur Qeverisë nuk i kalojnë propozimet, ajo do të duhej ta rishikonte pozicionin e saj. Unë nuk dëshiroj që kjo gjë të ndodhë, por i druhem një skenari të tillë. Me mundime të mëdha, harrime dhe negociata të prapaskenave do të mund ta vazhdojë punën Kuvendi. Besoj se PDK-ja do t’ia dalë ta çojë deri në fund mandatin qeverisës. Mendoj se do të përdoren metoda të sofistikuara për t’i bindur deputetët të votojnë pro çështjeve të caktuara. Brenda grupit parlamentar të PDK-së mund të jenë 7-8 deputetë të cilët mund të votojnë kundër.

“Epoka e re”: Ka rrezik që Kosova të ketë krizë qeveritare?
Smaka: Po, ka rrezik. Ta marrim rastin e fundit, ku gjakrat brenda Kuvendit janë nxehur, janë shfaqur plasaritjet dhe kanë dalë aspiratat për krijimin e subjekteve të reja politike nga njerëzit brenda pushtetit.

“Epoka e re”: Sipas jush, është e gatshme opozita të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Smaka: Është edhe nuk është. Dua ta ilustroj me shembuj këtë që them. Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK) më shumë i pëlqen të jetë kryetar i kryeqytetit sesa shef i grupit parlamentar. Disa parti politike nuk janë të konsoliduara si duhet. Nuk besoj se është në interes të partive opozitare të shpërbehet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Partitë opozitare frikësohen se nëse shkojnë në zgjedhje të parakohshme rezultati i zgjedhjeve do të ishte përafërsisht i njëjtë me atë të vitit 2010. Prandaj ato nuk janë të gatshme të kenë rezultate të njëjta zgjedhore.

“Epoka e re”: Ka dikush interes të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Smaka: Nuk është në interes as të pozitës e as të opozitës të shkohet në zgjedhje. Konsideroj se jam njohës i mirë i këtyre rrethanave dhe individëve të caktuar. Në këtë drejtim nuk shihet ndonjë interes të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Të jemi të qartë, interes për këto zgjedhje mund të ketë ndonjë parti minoritare opozitare që nuk ka peshë të madhe politike.

“Epoka e re”: Është momenti i duhur që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Smaka: Kushtet mund të krijoheshin në rast se nuk funksionon Kuvendi. Një gjë e tillë nuk do të ishte aspak e mirë. Pse? Sepse Kuvendi i Kosovës e ka ngritur një komision për reformën zgjedhore. Se sa ka punuar ky komision nuk mund ta di, por ai ka mundur ta bëjë një hap drejt modifikimit të Ligjit për Zgjedhjet. Partitë politike duhet të merren vesh për çështjen e Ligjit për Zgjedhjet, pastaj të mendojnë për zgjedhje. Vlerësoj se do të ishte më mirë që Qeveria ta çojë deri në fund mandatin dhe të përfundohet reforma zgjedhore.

“Epoka e re”: Për të funksionuar Qeveria dhe Kuvendi deri në fund të mandatit duhet të gjendet një zgjidhje. Sipas jush, do të jetë dikush nga opozita që do ta mbështesë Qeverinë deri në fund të këtij mandati?
Smaka: Mund të supozoj se AAK-ja do ta mbështesë Qeverinë sepse ajo esencailisht është duke e mbështetur këtë Qeveri, me përjashtim të rastit të fundit. Në shumë çështje delikate AAK-ja e ka mbështetur Qeverinë. Nuk besoj se AAK-ja do të votonte të shpërbëhej Kuvendi sepse nuk do t’i përshtatej të hyjë në koalicion.

“Epoka e re”: Z. Smaka, ka rrezikuar PDK-ja në këtë mandat duke pasur afër vetes partnerë të vegjël qeverisës?
Smaka: Nuk mund të them se ka rrezikuar, por konsideroj se PDK-ja nuk ka fituar. AKR-ja është parti e vogël, prandaj nuk ka perspektivë të madhe.

“Epoka e re”: Në zgjedhjet e ardhshme, për çfarë formati të koalicionit duhet të angazhohen partitë politike?
Smaka: Besoj se pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të tentohet të bëhen koalicione stabile dhe më të gjera. Në mënyrë hipotetike po them, një koalicion i mundshëm në mes të PDK-së dhe AAK-së do të krijonte një qeverisje të fortë dhe stabile. Dhe një koalicion i tillë do të sigurohej që në mënyrë të padiskutuar do të shkonte deri në fund të mandatit. Mund të bëhet edhe një koalicion tjetër më i gjerë, por ky është më afër mendjes. Për Kosovën, sidomos në këtë kohë kur kemi shumë çështje të hapura dhe të pazgjidhura, është më mirë të kemi koalicion më stabil dhe më të fuqishëm.

Më Shumë

Mourinho mund të jetë zëvendësues i Kloppit në Liverpool

Të zëvendësosh Jurgen Kloppin nuk është aspak e lehtë, trashëgimia që tekniku gjerman ka lënë në Liverpool është shumë e madhe, por tifozët e...

Tentim vrasje në Dragash: Dyshohet se dhëndri e ka plagosur vjehrrin

Një tentim-vrasje ka ndodhur sot në Dragash. Dyshohet se dhëndri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vjehrrit të tij. Si pasojë ai ka...

Lajmet e Fundit