11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Kadare s’ka respekt për Hamitin

IsmailKadare6-30“Një tempull, më pak se gjithçka, e duron baltën. Ndaj e kam thënë e përsëritur dhe prapë do ta përsëris, se në tempullin e letërsisë hyhet vetëm me dashuri”. Kështu e përmbyll rrëfimin e tij shkrimtari Ismail Kadare, në librin e autores Aida Tuci, “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferi”.

Në vitin 1968 në Klubin e Shkrimtarëve në Tiranë, do të mbahej një diskutim për romanin “Dasma” të Kadaresë. Ky libër për Xhaferin nuk ishte asgjë tjetër “veçse rryma e Golfstrimit, që përshkon tej e tej oqeanin Atlantik, çka nënkupton frymën e huaj në realizmin socialist”. Pse-të e kritikës së para katër dekadave, marrin përgjigje sot përmes rrëfimeve të njëpasnjëshme të pjesëmarrësve në atë diskutim, që përpos kujtimeve japin edhe një portret psikologjik të Xhaferit, miqësitë e tij, disa shënime mbi familjen dhe më pas arsyet e ikjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa dëshmi nga punonjësit e kufirit, nëse ai u arratis apo u ndihmua të arratisej. Në fund, vetë Kadare flet për njohjen me të, habinë që i shkaktoi kritika, dëmin që mund t’i sillte në atë kohë e jo vetëm. Pwr Xhaferin, shkrimtari flet edhe në librin e tij “Ftesë në studio”. Babanë e tij e cilëson si fashist, prandaj thotë se e kanë vrarë. Kadare shton se Xhaferi e kishte kritikuar ashpër “Dasmën”, për shkak se donte të bëhej i njohur nëpërmjet këtij akti gjë që nuk arriti e prandaj u arratis në SHBA. Por arratisja e Xhaferit në publik njihet ndryshe. Për shkak të kritikave që ia kishte bërë Kadaresë, Xhaferit i ishte hequr e drejta e botimit dhe ishte internuar në fshatin Hamalle të Durrësit. Një vit më vonë ai ishte arratisur nga Shqipëria, për shkak se Sigurimi i Shtetit kishte përgatitur dosjen për arrestimin e tij. Rasti i Xhaferit, bëhet shkas që Kadare të flas për akademikun nga Kosova, Sabri Hamiti. Gazeta sjellë fragmentin nga libri ku shkrimtari shqiptar nuk e vlerëson mirë Hamitin dhe ku shfaq mosrespektin që ka ndaj tij.

Hamiti mosbesues ndaj diskutimit të Xhaferit
Autorja Tuci në fund të bisedës i thotë Kadaresë se akademiku kosovar nuk pranon të jap komente për vlerësimet e Xhaferit kundrejt “Dasmës”, sepse sipas tij, ato deklarata nuk janë të botuara askund.

“Meqenëse jemi në fund të bisedës sonë, jam e detyruar të them se më ka bërë përshtypje pozitive gatishmëria e njerëzve për të dhënë sqarime. Të paktë kanë qenë ata që kanë refuzuar. Ose që nuk kanë treguar fragmente të diskutimit të plotë të B. Xhaferit, që disponojnë. Përshtypja ime është se ato fragmente e rëndojnë më shumë Xhaferin. (Ndër to është për shembull, vërejtja se Kadare tallet me kinezët.) Për sa u përket dëshmitarëve, ata përputhen. I vetmi që ka shfaqur mosbesim ndaj tyre ka qenë akademiku nga Kosova, S. Hamiti, ngaqë, sipas tij, fjalët e B. Xhaferit nuk janë të botuara asgjëkund!”, shkruan Tuci në librin e saj.
Kadare nis përgjigjen e tij ngadalë. Fillimisht nuk pranon të merret me Hamitin, por e ndjen për detyrim që ta arsyetoj mosrespektimin që ka ndaj tij. Por më pak përgjigje ndaj pyetjes së Tucit, Kadare duket sikur më shumë dëshiron t’i laj hesapet më Hamitin.

“S’dua të merrem me gjëra të tilla. As me enigmat e tjera, siç i quani ju, të kësaj ankete. Sa për akademikun që përmendni, së pari po shpjegoj mungesën e nderimit tim për akademikë të tillë.
Me sa duket, s’është e rastit që, pasi ka qenë një nga zelltarët e këtij fabrikimi, ka mbetur mbrojtësi i fundit i tij. Veç kësaj, ngaqë ka qenë dhe vazhdon të jetë për gati dyzet vite rresht poet dhe prozator i Kosovës, më saktë një poet dhe një prozator i rëndomtë i Kosovës, ky njeri ka të drejtë të japë mendime sikurse çdo letrar tjetër, çdo lexues e çdo studiues”, thotë Kadare. Ai shton se ky lloj letrari, siç i referohet Hamitit, nuk mund ta harrojë statusin e tij modest në letërsi dhe të kthehet befas në një ‘arbitër të elegancës’, siç quheshin dikur sistematizuesit, kanonizuesit e letërsisë dhe përcaktuesit e hierarkisë së vlerave.

Intelektualët kosovarë adhuronin Jugosllavinë
Më tutje ai vlerëson se statusi i Hamitit në letërsi është modest, prandaj nuk e lejon në asnjë rast shkeljen e ligjit numër një të artit: kriterin e vlerave.

“Përndryshe do të kishim një model të pastër të asaj që quhet ‘trafik influence’ (ndikimi). Kurse autorët që merren me të, do të ishin trafikantë, po aq të dëmshëm sa gjithë trafikantët. Kjo do të çonte në fitoren e mediokritetit, i cili për letërsinë dhe artet është më i keq se murtaja.
Sundimi i mediokritetit shpallet kur shkrimtari i rëndomtë, bashkë me rolin e arbitrit, merr atë të përjashtuesit nga letërsia të shkrimtarëve më të shquar, pra më të rëndësishëm se ai vetë” shprehet shkrimtari i njohur shqiptar.

Sipas tij, nxjerrja nga letërsia e shkrimtarëve më të mirë është synimi i parë dhe i fundit i mediokritetit. Përjashtimi nga letërsia, shton Kadare, ai që në një rend tiranik bëhet me burg dhe me dekret, në rendet demokratike kryhet me anë të akuzave të rënda, pas të cilave asnjë shkrimtar nuk mund të mbetet pjesë e asnjë letërsie. “Shembull për këtë është rasti kur shkrimtari akuzohet se i kërkon tiranit forcimin e terrorit. Këtu, pas idesë se shkrimtari është më i keq se Hitleri, Stalini ose Hoxha, mbaron diskursi letrar dhe nis kërkesa për rrëzimin e tjetrit. Nuk njihet asnjë shkrimtar në Evropë që t’i jetë bërë një akuzë kaq e egër. Dhe të mendosh se këtë e bën një letrar i Kosovës kundër kolegut nga Shqipëria! Letrarë si ky, duke spekuluar politikisht me ‘realizmin socialist’, përpiqen të mohojnë vazhdimësinë e letërsisë së Shqipërisë histo-rike në shekullin e 20-të, me anë të tezës thellësisht përçarëse se këtë rol e mori letërsia e Kosovës, meqenëse ajo, falë shansit të ‘jugosllavizmit liberal’, mund ta kryente atë rol. S’ishte herë e parë që kjo mahnitje e ky adhurim gjysmë i fshehtë për jugosllavizmin shfaqej te disa intelektualë të Kosovës”, konsideron Kadare.

Stili i Hamitit në nivel të mjerueshëm
Popujt sipas tij, duke përfshirë edhe Kosovën, nuk e fitojnë e as nuk e humbin lirinë e tyre për shkak të letërsisë. Liria e Kosovës, thotë Kadare, përpara se të varej nga përdorimi ose jo i formave kinse “postmoderne”, kishte lidhje me ngjarje dramatike si rebelimi i vitit 1981, i cilësuar si rebelimi i tretë, pas atij të Hungarisë dhe të Polonisë, që u shtyp me armë dhe gjak, siç shtypen kryengritjet.

“Ndërsa letërsia e socrealizmit shqiptar s’ka tagër të jetë paternaliste, ndaj letërsisë së Kosovës të së njëjtës periudhë, po aq kjo e fundit nuk mund ta sfidojë tjetrën. Janë dy socrealizma, njëri shqiptar e tjetri jugosllav, të dy pa arsye për të qenë krenarë. Ideja e Sigurimit shqiptar, për të shkarkuar mbi letërsinë fajet e regjimit, ngjan çuditërisht me idenë e UDB-së jugosllave për t’i veshur merita anës tjetër”, thekson shkrimtari. Megjithëse ka çka të thotë edhe më tepër, Kadare nuk ka dëshirë të zgjatet për Hamitin. Në këtë intervistë ai ia përmend akademikut kosovar edhe akuzat për plagjiaturë, që sipas Kadaresë është më e rënda që mund t’i bëhet një intelektuali.

“Pa përmendur nivelin e mjerueshëm të stilit të S. Hamitit, siç janë përçartjet e mëposhtme që sjell dr. S. Bytyçi: ‘Kritika tematike diferencon terminologjinë e semantikës strukturale në ‘semat nukleare’ dhe ‘semat kontekstuale’ të temës. Atëherë vjen akti i ven-dosjes së temës në tekst duke përdorur intuitën fenomenologjike, me një analizë tekstuale nëpërmjet një udhe strukturale…’. Më falni për dhimbjen e kokës! S’do të doja që ky motiv të ishte pjesë e kësaj bisede, ndaj dhe s’kam dëshirë të zgjatem më tej”, përfundon Kadare. Akademiku kosovar, i cili në vitin 1996 ka shkruar një monografi për Xhaferin “Poeti i nemun”, nuk dëshiron të përfshihet në një debat të tillë me Kadarenë. Ai thotë për gazetën se intervista e shkrimtarit shqiptar nuk përbën nivel dialogu, prandaj “Daja” siç i referohet ai Kadaresë në disa raste, konsideron se nuk ka asgjë tjetër, përveçse një përpjekje për ta ‘larë’ vetën.

Më Shumë

Hilë Mosi, poeti dhe luftëtari i çlirimit të trojeve shqiptare

Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më...

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Lajmet e Fundit