19.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Kërcënimi si kauzë

Imer MushkolajShkruan:Imer Mushkolaj

Ata që kërcënojnë e kanë veç një kauzë: të përpiqen për të ndalur të vërtetën që të tjerët duan ta tregojnë – të përpiqen për të ndalur dekonstruktimin e të vërtetës së tyre. Ata kërcënimin e kanë të vetmen kauzë.Para 15 vjetësh një grup politik, shumica e tyre të sapodemilitarizuar nga UÇK’ja, kishin zgjedhur të më frikësojnë dhe kërcënojnë me jetë, në mënyrë që të mos raportoja dhe publikoja asgjë që ka lidhje me ta. Kërcënimi kishte ardhur pas një shkrimi të publikuar, në të cilin ata paraqiteshin jo çfarë pretendonin të ishin.

Ata besonin se bëmat e tyre në luftë mjaftonin që të pranoheshin nga të gjithë si heronj, si njerëz që iu lejohet të bëjnë gjithçka, pa e pasur frikën se mund të ndëshkohen. E t’iu përmendej emri në gazetë, nuk bënte hiç. Sepse e vërteta e tyre kurrsesi nuk duhej të kontestohej. Ata që merrnin guximin ta bënin një gjë të tillë, rrezikonin me jetë. Ishin kohë të vështira dhe jeta e njeriut nuk vlente as pesë para. Kauzë e tyre ishte që me çdo kusht të mbyllnin gojën e atyre që mëtonin të tregonin diçka tjetër nga ato që thonin ata.

Vite më pas, më kërkuan falje dhe më thanë se kishin gabuar që kishin vepruar ashtu ndaj meje. Më thanë, po ashtu, se koha ka qenë e atillë dhe nuk e kishin kuptuar sa duhet rëndësinë e mediave dhe të fjalës së lirë.

Kërcënime nga të tjerë tipa të politikës dhe jo vetëm vazhduan gjatë gjithë viteve më pas. Njerëz të parapolitikës e kinse politikanë, njerëz të biznespolitikës e bizneskulturës nuk përtuan që kërcënimet e tyre t’i drejtojnë ndaj meje dhe kolegëve të mi, të cilët nuk bënin gjë tjetër veçse kryenin punën që iu takonte. Frikësimi dhe kërcënimet vazhdojnë edhe tash.

* * *

Në përpjekje për të ndalur kauzën e të vërtetës, pushtetarë, parti politike e grupe të tjera të interesit krijuan rreth vetes “mure mbrojtëse” – armata të tëra propagandistësh, të cilët shpesh luanin edhe rolin e atyre që përpiqeshin të denigronin gazetarë e opinionistë, vetëm se ata binin ndesh me agjendat dhe interesat e tyre. Ata të shpallnin tradhtar, të shitur, udbash e njeri të Serbisë me lehtësinë më të madhe. Mjaftonte të mos pajtoheshe me shefat e tyre, ose të shkruaje dhe flisje për luksin e tyre të krijuar “në emër të luftës” me para të taksapaguesve të varfër, ose të kritikoje veprime të tyre që ishin në dëm të qytetarëve, në dëm të shtetit.

Veteranë të luftës, të cilët tash kanë bërë vend në parti politike, por edhe kanë zënë pozita qeveritare me privilegje e përfitime të majme financiare, shfaqen kujdestarë të ruajtjes së të vërtetës që ata vetë e kanë krijuar e mitizuar. Dhe, në përmbushje të këtij misioni nuk ngurrojnë të pështyjnë e hedhin baltë mbi të gjithë ata që guxojnë t’iu kundërvihen me argumente ose t’i kontestojnë ato që i kanë kthyer në kult. Ndaj kujtdo që i kritikon, nxjerrin arsenalin e ndytë të sharjeve e fyerjeve, kërcënimeve e shtantazheve, pa përtuar ta bëjnë edhe AND’në e secilit, për të gjetur një pikë antishqiptarizmi e antipatriotizmi.

Sepse, kushdo që provon t’ua prishë rehatinë që ua jep pushteti i ndërtuar mbi pseudopatriotizëm e folklorizëm, është armik i tyre. Është armik i shtetit – i atij shteti që e rrejpin duke e vjedhur. Është dorë e zgjatur e Serbisë, është “zog shkine”, është lahper, legen, idiot, udbash, titist e çka jo tjetër. Kauzë të tyre i kanë sharjen, fyerjen, kërcënimin e denigrimin e tjetrit.

* * *

Dhe armata e kërcënuesve nuk mbaron këtu. Së fundi janë aktivizuar sërish ata që provojnë të na disciplinojnë në aspektin fetar dhe të na imponojnë ideologji të tyre.

Nëpërmjet portaleve e blogjeve të ndryshme, ata hedhin “fatwa” dhe kërkojnë kokën time. Arrijnë deri aty sa mua dhe disa të tjerëve na quajnë fashistë. Krejt për shkakun se përpiqemi t’ua dekonstruktojmë të vërtetën dhe agjendën e tyre. Krejt për shkakun se nuk pajtohemi me kauzën e tyre të dëmshme, të rrezikshme. Krejt për shkakun se nuk mendojmë si ta, nuk përshtatemi me matricën e tyre. Kërcënues dhe banalë janë treguar edhe këto ditë, pas deklarimeve tona për rastin e arrestimit të të dyshuarve për terrorizëm.

Ata me qëllim i keqinterpretojnë dhe keqlexojnë ato që flet e shkruan. Me qëllim iu japin tjetër konotacion. Të vënë në log të sulmit e të godasin nga të gjitha anët. Bëjnë me gisht kah ti, kërkojnë burgosjen tënde, kërkojnë kokën tënde. Të bëjnë mish për top. Pastaj thonë se besojnë në kulturën e dialogut e të mirëkuptimit. Pastaj flasin për demokraci.

Nuk ke si të bësh dialog me ta, sepse ata nuk e dinë çfarë është dialogu. Provon të kesh mirëkuptim në raport me ta, por s’e dinë çfarë është mirëkuptimi. As demokracia.

Ata provojnë të të frikësojnë e kërcënojnë, sepse kërcënimin e kanë të vetmen kauzë. Por më fisnike është kauza për ta shprehur mendimin e lirë, për ta thënë të vërtetën./express/

Më Shumë

Lajmet e Fundit