13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Kosova në zgjedhje, pa reformë zgjedhore

Zgjedhje-kosove-logoReforma zgjedhore është zvarritur qëllimisht nga liderët kryesorë politikë në Kosovë, për shkak se problemet zgjedhore në Kosovë, vijnë nga pamundësia e institucioneve dhe partive politike që ta respektojnë mandatin dhe përgjegjësinë e tyre. Kështu vlerësojnë për Telegrafin analistë dhe ekspertë të zgjedhjeve.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se mënyra se sillen partitë politike dhe institucionet e Kosovës, janë përcaktuesit kryesorë për një procesi të ndershëm zgjedhor.

Ai ka theksuar se pret që partitë politike do t’i shfrytëzojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve për të ndërtuar strategjitë dhe modelin e kërkesave në kuadër të reformës zgjedhore në Kosovë.

“Reforma zgjedhore përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit nuk mund të bëhet realitet, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit të partive politike në Kosovë. Duhet sqaruar që debati për reformën zgjedhore në Kosovë ka lindur si reagim për keqpërdorimin e jashtëzakonshëm të votave, që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit në Kosovë”, tha Doli për Telegrafin.

Sipas tij, reforma zgjedhore ka shërbyer si mjet për të zëvendësuar debatin publik mbi vjedhjen e votave në Kosovë dhe paaftësinë e institucioneve dhe partive politike (përjashtuar disa prej tyre), për të respektuar rregullat e zgjedhjeve dhe “problemi me reformën zgjedhore qëndron pikërisht mbi këtë pikë”.

“Unë besoj që korniza ekzistuese ligjore mbi zgjedhjet Kosovës është e mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve të ndershme, por është vullneti i partive politike dhe institucioneve të Kosovës që determinon fatin e tyre”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Leon Malazogu nga Instituti D4D, shprehet se është gabim të lidhet fati i reformës me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, që iu ka mundësuar kundërshtarëve të reformës që të vonojnë ato.

Sipas tij, armiqtë e reformës nuk janë domosdoshmërisht parti të caktuara, por edhe individë brenda partive kryesore, të cilët llogarisin se mund të fitojnë më lehtë duke përdorur komisionerët për qëllimet e tyre.

“Komisioni i Venedikut parasheh që nuk duhet bërë ndryshime legjislative në ligjin e zgjedhjeve 6 muaj para zgjedhjeve. Aq më tepër që Kuvendi praktikisht nuk do të funksionojë sepse të gjithë deputetët do të ngarendin për fushatë. Hapësira për reformë mund të paraqitet në janar, nëse zgjedhjet nacionale llogaritet që të mbahen si është me orar dhe jo më herët”, tha Malazogu.

Ai ka theksuar se zgjedhjet e 3 nëntorit gjithsesi hyjnë me sistemin e vjetër, sepse planifikimi i reformës është dashur të bëhet më herët, në mënyrë që të mund zbatohej edhe nga KQZ-ja.

Më Shumë

Bëhen të ditura terminet për ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve të playoffit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar sot në faqen zyrtare të saj terminet e ndeshjeve të dyta të serive gjysmëfinale të playoffit. Peja, që...

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

Lajmet e Fundit