13.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Krasniqi kërkon që Kosova të bëhet anëtare e Asamblesë Parlamentare e Evropës Juglindore

Jakupkrasniqi10-6Në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, po merr pjesë në sot punimet e Asamblesë Parlamentare të shteteve të Evropës Juglindore, në të cilën po marrin pjesë kryetarë të parlamenteve të vendeve të rajonit: Rumanisë, Shqipërisë, Kosovës, Greqisë, Malit të Zi, Kroacisë, Turqisë, Bullgarisë.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i është drejtuar Asamblesë me një fjalim, të cilin po e publikojmë në tërësi:

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për prezencën në këtë ngjarje të rëndësishme të themelimit të Asamblesë Parlamentare, në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Kjo Asamble Parlamentare është rezultat dhe institucionalizim i vullnetit dhe angazhimit të vendeve themeluese në një proces të gjatë që nga 1996, për fqinjësi të mirë, stabilitet, siguri, mirëkuptim dhe bashkëpunim, sidomos në dimensionin parlamentar, në Evropën Juglindore.

Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për rajonin tonë, por e kemi përcjellë me vëmendje zhvillimin e tij dhe kurorëzimin me themelimin e Asamblesë Parlamentare, pikërisht në mandatin e kryesimit të Rumanisë, kryeqyteti i së cilës na ka bashkuar në këtë eveniment.

Megjithatë, ne jemi angazhuar fuqishëm, që në një formë a tjetër ta kompensojmë këtë mungesë në proces. Kuvendi ynë tashmë ka një përvojë të mirë dhe të gjatë të bashkëpunimit me Parlamentin Evropian, (nëpërmjet të takimeve të rregullta vjetore, të konferencave të ndryshme, të pjesëmarrjes në seminaret që ai organizon për anëtarët e parlamente të paranëtarësimit), me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Asamblenë Parlamentare të NATO-s (në sesionet e saj të rregullta, në mbledhjet e komiteteve dhe seminarin parlamentar), Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor (Konferenca e fundit në Budapest, në shtator të vitit të kaluar), Seminarin ndërparlamentar (Sofje e Bullgarisë, mars 2014), Takimet e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrim Evropian të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabizimim Asociimit (COSAP), (Shkup, 25.11.2013 dhe Sarajevë, 22 mars 2013), Takimet në Rrjetin e Komisioneve Parlamentare për Ekonomi, Financa dhe Integrime Evropiane të Ballkanit Perëndimor etj. Me një diplomaci të mirëfilltë parlamentare, ne kemi vendosur marrëdhenie bilaterale ndërparlamentare me vende fqinje dhe me shumë vende të botës, me të cilat bëjmë shkëmbim të përvojës, dialog dhe bashkëpunim. Qëllimi ynë parësor ka qenë dhe mbetet bashkëpunimi rajonal ndërparlamentar, shkëmbimi i përvojave në fushën e legjislacionit dhe harmonizimit të tij me acquis të Bashkimit Evropian, formave të bashkëpunimit lidhur zhvillimin e kapitalit njerëzor etj. Në këto fusha jemi mbështetur bujarisht edhe nga donatorë të shumtë gjatë viteve.

Kosova tashmë ka mbyllur negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian. Pritet që kjo Marrëveshje të nënshkruhet deri në fund të vitit vijues, për t’u hapur rruga e aplikimt të Kosovës për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.

Duke përshëndetur Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe duke i uruar punime të mbara e të suksesshme, shpreh vullnetin dhe kërkesën e Kosovës që të bëhet pjesë e procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe të Parlamentit tonë për të qenë anëtar i kësaj Asambleje Parlamentare.

Inkuadrimin e Kosovës në këtë proces dhe në iniciativa e institucione parlamentare, rajonale e botërore e ka lehtësuar edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog, i lehtësuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe baronesha Eshton, ka rezultuar me një varg marrëveshjesh, të cilat synojnë normalizimin e raporteve midis këtyre dy vendeve. Dialogu dhe marrëveshjet janë mënyra më e mirë, madje e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura bilaterale, për normalizimin e marrëdhënieve dhe për stabilizimin e rajonit tonë.

Ne i çmojmë lart rolin dhe synimet e Asamblesë Parlamentare, e cila pa dyshim do t’u kontribuojë bashkëpunimit të gjithanshëm e në veçanti atij ndërparlamentar në Evropën Juglindore, paqes e stabilitetit në rajon e në Evropë, harmonizimit të kornizës ligjore të vendeve anëtare, shkëmbimit të përvojave të avancuara, vendosjes së raporteve të shëndosha me iniciativat, forumet dhe institucionet tjera rajonale, zhvillimit demokratik e ekonomik, avancimit të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente, respektimit të drejtave universale të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, komunikimit më të mirë dhe bashkëpunimit efektiv me institucionet e Bashkimit Evropian e zbatimit të standardeve evropiane legjislative, përparimit të agjendës integruese evropiane etj.

Në punimet e Asamblesë, delegacioni ynë do të jetë i gatshëm të kontribuojë me diskutimet për ekonomi, infrastrukturë, energji, drejtësi, punë të brendshme, bashkëpunim në fushën e sigurisë si dhe në çështjet për zhvillim social, arsim dhe shkencë.

Më Shumë

Detaje për aksidentin në Malishevë, ku vdiq këmbësorja shtatzënë

Një aksident tragjik ka ndodhur dje në fshatin Astrazub të Malishevës. Policia sot në raportin 24-orësh ka dhënë detaje në lidhje me rastin ku thuhet...

Prizren, e gjen një kuletë me para dhe ia kthen pronarit

Një qytetar nga Komuna e Prizrenit, me inicialet XH.V., ka dhënë një shembull të shkëlqyer të ndershmërisë, duke dorëzuar një kuletë të gjetur në...

Lajmet e Fundit