5.2 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Kur kali përdorej për ndarjen e pleqësive dhe marrjen e nuseve në Has

Kali është përdorur për ndarjen e pleqësive të shumta në Has, shprehet Nexhat Çoçaj. Ai thotë se kali është kafsha më fisnike që e do njeriu dhe nëpër kohë e shekuj ka qenë e lidhur një bashkë- jetesë mes kalit e njeriut që ka qenë simbol pune, ekzistence, jetese dhe mbijetese, por edhe një metaforë bukurie dhe ndjeshmërie artistike. “Më shumë se çdo kafshë tjetër, ai ka qenë i pranishëm në përfytyrimet mitologjike dhe në gjurmët gjuhë- sore. Pegasi fluturues që nga mitologjia është personifikim i përfytyrimeve më të guximshme të ndjenjave njerëzore” shpjegon ai.

Çoçaj tregon se në shumë raste kali është përdorur për të mësuar kur njeriu është i vdekur apo jo, ngase kali as sot nuk e kalon njeriun e vdekur. Ai shton se është vetmja kafshë fisnike që e kupton shpirtin e njeriut. “Kur pleqtë kanë ndarë ndonjë pleqësi e kanë marrë kalin si dëshmi. Sepse kali varrin e hapur nëse aty ka njeri të cekur nuk e kalon për asnjë torturë. Bile në Has është përdorur shpesh për të mësuar kur njeriu ka rënë në komë, për të provuar se a është i gjallë apo i vdekur”, është shprehur ai. Profesor Shaban Çerreti ka bërë shumë hulumtime në këtë drejtim në krahinën e Hasit, ku ka kushte të favorshme për mbarështimin e kuajve. “Që nga kohët e vjetra, hasjanët e kanë çmuar kalin më shumë nga të gjitha kafshët e tjera, të cilët e kanë ndihmuar”, është shprehur ai.

Toponimet hasjane

Studiuesi Çoçaj thotë se çdo hasjan ka në zemër një qoshe dashurie për kalin.”Krahina e Hasit ajo e Përdrinisë ishin të njohura edhe për traditën e rritjes së kafshëve, e sidomos për kalin e bukur, të shpejtë dhe të fortë, që njihet si kali Hasit apo i Podrimes”, është shprehur ai. Toponimet përbëjnë një argument më shumë për vendin që zë kjo kafshë fisnike, në Përdrini e Has. “Ato janë të shumta në vendbanimet e këtyre anëve, si: Samari i Kalit, Qafa e Kalit, Gropa e Kalit, Guri i Kalit në Has, një gur me përmasa normale e me emër. Sipas një zakoni mbetur kushedi nga ç’kohë këtu burrat me nam hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë. Ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e fisnikërisë së tyre, si dhe përcaktonte edhe rëndësinë hierarkike, sepse të mbaje kalë në këto dy vende patjetër duhet të ishe i pasur apo i shtresës së mesme fshatare. Një dëshmi tjetër e qartë janë edhe gdhendjet e lashta në vendbanimet ku tregohet simpatia e të parëve tanë për shpendët, kafshët, e sidomos për kuajt. Ata që i kanë parë me sytë e tyre këto gdhendje i tregonin me një ndjenjë adhurimi dhe simpatie”, është shprehur ai.

Krismat e pushkëve

Murat Berisha, tani në moshën 92- vjeçare, tregon se me kalin e tij shpesh e kanë thirrur që me jargët e kalit të shërojë sëmundjen e eshtrave. Por, kuajt përveç të tjerave janë përdorur në detyrimet shtëpiake, për punë të ndryshme në lëmenj, mulli, drutë e zjarrit, duke qenë se plotësonin edhe transportimin e materialeve luftarake, të sendeve të domosdoshme të tregtimit në pazaret e kohës, në udhëtimet e gjata për të arritur kohën, si një mjet me leverdi të lëvizjeve nga njëri vendbanim në tjetrin, të lidhjeve me krahinat e largëta për halle, gëzime dhe miqësi.

Në rrëfenjat e ndryshme tregohej për miqtë që në dasma udhëtonin kaluar kuajve të zgjedhur. Në traditën shqiptare është tepër i njohur edhe riti i marrjes së nuses me kalë. Në Has zakonisht preferohej kalë i bardhë i zbukuruar me lule, shami, rruaza. Kur merrej nusja, krushqit përmbi kuaj qëllonin me armë dhe krismat bashkë me dollinë, këngët dhe vallet gjallëronin atmosferën për një kohë të gjatë. Krahina e Hasit nga pozicioni gjeografik që ka kufizohet me shumë krahina të tjera fqinje nga Hasi i Shqipërisë apo Podrimja në rrafsh, ndaj për ta kaluar në kohë dimri, stërvisnin kuajt që e bënin kalimin e lumit të sigurt. Ka shumë episode të tilla. Refik Hasi tregon se në fshatrat e Luginës së Lumëbardhit ka disa fshatra që ende lidhen pikërisht me kalin dhe ka rrugë që quhen “rrugëkalim” apo rrugica të ngushta mali.

Më Shumë

Publikohen faturat e tatimit në pronë për vitin 2025

Janë publikuar faturat e tatimit në pronë për vitin 2025. Faturat mund të shkarkohen në sistemin publik ekosova ose në komunat përkatëse. Kësti i parë mund...

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren shënon përmirësim në ranglistën botërore të universiteteve sipas platformës Webometrics

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka bërë të ditur se në janar 2025 është renditur 1,864 vende më lart në ranglistën botërore të universiteteve...

Lajmet e Fundit