18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kur shteti “merr“ jetë!

Shkëlqim HysenajShkruan: Shkëlqim Hysenaj

Po bënte plane prej çunaku: Do të vrapoj në rrugët me baltë, do të futem mes turmës së shokëve që të luaj, të rrëzohem, të ngrihem dhe të bëhem copash pas topit… do të grindem dhe pastaj mezi do të pres që të pajtohem për të vazhduar lojën symbyllazi sikur të mos ketë ndodhur kurrgjë. Këto qenë hesapet qe po bënte me veten, teksa i nemitur në spital morri lajmin nga kryeministri i vendit, i cili ka dhënë urdhër për të lëshuar paratë që i bënin derman për të rindezur shpresën për jetë.

Korridoret e QKUK-së, tashmë ishin kthyer në ambiente të njohura për të. Prej kohësh dergjej i shtrirë duke pritur… nuk e di se kë. Jetonte mes vdekjes dhe shpresës. Dhe xhevapi që dha shteti se do ndihmonte me para kesh njerëzit që janë të prekur nga leukemia i kishte dhënë zemër për të mundur sëmundjen. Ditët kalonin dhe sëmundja avanconte ndërsa premtimi i kryeministrit gjithnjë e më shumë linte të kuptonte se ishte një fjalë goje. I pambajtur kuptohet. Një teatër që po luhej para syve tanë.

Dhe ajo që solli ky ‘mashtrim’ nuk qe si të tjerët. Nuk mund të ngushëllohet me fjalë, para… Gjëma që solli ky ‘premtim’ është satanik. Është mizor. Ai vdiq, duke parë nga ne dhe na bërë me dije se sa të këqij jemi. Sa të pashpirt. Spitali ku ai gjëmonte duke na thërritur për të bërë sevap i morri frymën e fundit. Mungesa e shtetit në një sistem shëndetësor që “fut ujë” nga të gjitha anët, dëmton, lëndon.

Por premtimet e pambajtura, zvarritjet në një rast të tillë vrasin! Nuk thonë kot që zakonisht në raste të tilla janë gjithnjë të pafajshmit që e pësojnë, në një mënyrë që asgjë nuk mund t’i kompensojë. Asnjë fjalë e thënë në një moment kur fjala vlen më shumë se çdo gjë. T’i premtosh një fëmije që shtratin e spitalit e ka konsideruar për shumë kohë si kënd lojërash, se shumë shpejt do të çohet nga aty, dhe më pas të zvarrisësh pa fund në emër të burokracisë, ndihmën që për atë është jetësore, ndërsa për shtetin një detyrim… kjo nuk është aspak njerëzore. Fatlum i quanin, por fati më së paku ishte me të.

Luftoi i vetëm në atë që doli të jetë beteja e fundit. Ndërsa histori e tij tek ne la vragë të thellë, të pashlyer. Fatlum Haxhiu ndërroj jetë atëherë kur pikërisht institucionet ia premtuan ndihmën të cilën s’arrinte t’ia ofronte familja. I ngjallën shpresën, ia kthyen besimin. Ju premtua ndihma financiare dhe dërgimi për shërim jashtë vendit. Ai parashihej të ishte ndër përfituesit e parë, duke iu referuar një premtimi për themelimin e një Fondi nga Qeveria. Në fillim të këtij viti kryeministri Hashim Thaçi kishte premtuar një Fond për fëmijët që vuajnë nga Leukemia, nga i cili nuk arriti të përfitonte Fatlumi. 5.5 milion euro kishte premtuar. 5% e kësaj shume do të mund t’i ndihmonte në rifitimin e jetës Fatlumit. Sikur të kishte vullnet shteti, Fatlumi mund të ishte sot mes nesh. Sikur shteti të ishte në shërbim të qytetarit, Fatlumi s’do të nxirrej në arkivol nga qendra spitalore.

Do të ishte mes nesh. Do të ndiqte shkollën do të bëhej një zanatlinj, profesionist, sportist… a kush e di se çka. Me pak do të ndiqte ëndrrën si gjithë ne. Kush e di mund ti kontribuonte shtetin që ia ‘mori’ jetën. Shtetit që hodhi tutje. Sot nuk vdiq vetëm ai. Vdiqëm të gjithë, institucionet dhe shteti dhe ne. Vdiq dhe ndjenja e fundit e solidaritetit, vdiq njerzillëku. Përgjegjësia kolektive.

Tek kush më shumë e kush më pak, por në këtë rast duhet kërkuar llogaridhënie. Duhet dënim kolektiv. Duke nisur nga vetja jonë dhe për të vazhduar më tej tek të tjetër. Tek ata që në mënyrë të drejtpërdrejt e lanë të na ikën nga dora Fatlumi. Ata që rropatnin institucioneve burokratike njerëzit e Fatlumit duke insistuan në procedura. Ata duhet dhënë përgjegjësi penale dhe morale, dhe jo vetëm. Këta njerëz duhet t’i dënojë shoqëria. Nëse për asgjë tjetër, për Fatlumin, të cilit shteti ia ka borxh jetën.

Më Shumë

Rreth 60 aksidente trafiku për 24 orë

Brenda 24 orëve në Kosovë u shënuan 59 aksidente trafiku. Kështu bën me dije raporti i policisë. Po ashtu u regjistruan 24 aksidente me të lënduar...

Sot nis Sunny Hill Festival

Festivali i njohur tashmë në vendin tonë hapë dyert sonte në Bërnicë të poshtme në “Sunny Hill Park”. Emrat e artistëve tashmë janë bërë të...

Lajmet e Fundit