8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Kurti kujton 25 vjetorin e sulmit të dytë të forcave të Serbisë mbi Jasharajt: Përkulje me nderime të thella për qëndresën e tyre

Kryeministri Albin Kurti përmes një shënimi në Facebook ka përshkruar kronologjinë e ngjarjeve të 22 janarit të vitit 1998, që njihet si sulmi i dytë i forcave të Serbisë mbi kullat e jasharajve të Prekazit.

“22 janar 1998, ditë e enjte, ora 05:25 minuta! Në Prekaz të Poshtëm të Drenicës, tri predha hidhen në drejtim të shtëpive të familjes së Shaban Jasharit: një mbi ahër, një në derë dhe një në oborr. Janë të shtëna prej distancës nga njësitet speciale të policisë së Serbisë, që ishin stacionuar prej kohësh në fabrikën e municionit të gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të Shabanit. Duke sulmuar herët në mëngjes, ata kishin menduar t’i zënë në befasi apo të fjetur anëtarët e familjes Jashari, që sapo kishin ngrënë vaktin e syfyrit, që atë ditë të muajit të agjërimit të Ramazanit, lihej në ora 05:17”, kujton Kurti.

“Ky ishte sulmi i dytë i policisë serbe mbi Jasharët e Prekazit, pas sulmit të parë të kryer 6 vite më herët më 30 dhjetor 1991. Qëllimi ishte të kapeshin a të vriteshin veçanërisht Ademi dhe Hamza, por pa u kursyer familjarët e tjerë, gra dhe fëmijë, e aq më pak shtëpitë dhe pasuria. Atë natë, Ademi nuk ishte aty, kishte shkuar mysafir te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nga tre djemtë e Shabanit, aty ishte Hamza, kurse vetë Shabani e kishte në odë për mysafir të nipin Bajram Gashin. Siç ka rrëfyer ai, natën që i parapriu sulmit, Hamza i kishte thënë: “Unë e di mirë që ne jemi në thumb dhe kurdoherë që të kenë mundësi ata do t’na sulmojnë me tërë fuqinë, për t’na shkatërruar dhe për t’na zhdukur nga faqja e dheut. Por, ne kemi vendosur që tu kundërvihemi dhe të bëjmë rezistencë deri në vdekje, me të gjithë anëtarët e familjes dhe kurrsesi të gjallë mos t’u bijmë në dorë dhe aspak nuk ua kemi frikën atyre.””, vijon rrëfimin kryeministri.

“E nesërmja i provoi për të vërteta fjalët e Hamzës: pritjet për sulm dolën të kishin qenë reale, kurse vendosmëria për rezistencë u sprovua nga luftimet që Hamza i bëri në përballje të drejtpërdrejtë duke shtirë dhe hedhur bomba dore mbi policët. Teksa predhat dhe plumbat po godisnin gjithandej nëpër shtëpitë e tij, nga oda, Shaban Jashari bashkë me tre nipat e tij fare të rinj në moshë, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), iu përgjigjën me armë automatike trupave policore speciale të Serbisë, që tentuan të hyjnë edhe brenda shtëpive”, shton tutje ai.

“Pas rreth gjysmë ore luftimesh, ky aksion i rrufeshëm mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, përfundoi me tërheqjen e policisë serbe rreth orës 06:05, bashkë me disa policë të plagosur dhe shumë predha e municione të lëna pas. Atë mëngjes, nga të shtënat e policisë u plagosën Selvete Hamëz Jashari (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jashari (25) në dorë”.

 

“Ndërkaq, kur po tërhiqeshin për t’u kthyer në fabrikën e municionit, policia shtiu mbi një kalimtar të rastit duke e vrarë. Ai ishte Hysen Nezir Mangjolli nga Mikushnica, që po shkonte në punë në fabrikën e materialit ndërtimor në Skënderaj. Rreth 20 000 njerëz morën pjesë në varrimin e tij pas dy ditësh, më 24 janar 1998 në fshatin Mikushnicë. Ky martir i lirisë, la pas gruan dhe tetë fëmijë. Atë kohë sikur edhe më pas, autoritetet e Serbisë e mohuan plotësisht kryerjen e këtij aksioni nga ana e tyre dhe krimet e pasojat që lanë pas. Por media vendore dhe shumë të tjera ndërkombëtare, bën reportazhe dhe morën intervista nga Prekazi, duke e dëshmuar historinë e sulmit të policisë së Serbisë, më 22 janar 1998, mbi familjen Jashari”, tregon tutje Kurti ngjarjen e asaj dite.

I pari i Qeverisë thotë se në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë mbi shtëpinë e kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit.

“Një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ata u rrethuan siç u rrethua edhe gjithë Prekazi, në sprovën e madhe përballë shumë qindra policëve të Serbisë, ku Jasharët e Prekazit rezistuan duke e kthyer kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës”, përmbyll rrëfimin Kurti për ato ngjarje që kthyen historinë e Kosovës.

“Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij”, ka përfunduar shkrimin e tij kryeministri Albin Kurti.

Më Shumë

“Kur t’bon be ‘frajeri’ që kurrë nuk e përsërit më të njëjtin gabim”, Liberta shkakton polemika me postimin e saj

Moderatorja e njohur shqiptare, Liberta Spahiu, ka shkaktuar mjaft polemika dhe të qeshura me postimin e saj të fundit në Instagram. Ajo publikoi një video...

Berisha: Në Prizren, kërkesat për qasje në dokumente trajtohen me profesionalizëm duke ruajtur qytetarin

Ymer Berisha, udhëheqës i Njësisë për Komunikim me Publikun në Komunën e Prizrenit, tha se kjo Komunë, kërkesat për qasje në dokumente i trajton...

Lajmet e Fundit