22.8 C
Prizren
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Kurti vizitoi Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, vizituan sot në Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë.

Aty u mirëpritën nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi, studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai i falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë, dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Sipas njoftimit, vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit tonë, Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti u shpreh padyshim se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.

“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, tha kryeministri.

Teksa i falënderoi për pritjen dhe shoqërimin brenda Qendrës Kulturore, të pasur me fotografi të figurave e momenteve historike e libra të ndryshëm, ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.

”Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim të vizitës së Qendrës Kulturore, në Librin e Përshtypjeve kryeministri Kurti shkroi:

“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë”.

Më Shumë

Sot shënohet Dita e Çlirimit të Prizrenit

Me aktivitete të ndryshme do të shënohet sot Dita e Çlirimit të Prizrenit. Data: 12.06.2024 Programi i aktiviteteve: Ora 09:00: Seanca Solemne e Kuvendit të Prizrenit ...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se sulmoi partneren e tij

  Është arrestuar një burrë në Prizren, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht partneren e tij. Viktima kishte edhe urdhër mbrojtje nga gjykata. “Është arrestuar i...

Lajmet e Fundit