8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Lamtumira për violinisten Dida nën tingujt e Chopinit

Drita DidaTë veshur në të zeza, pesë muzikantë nën tingujt “Marshi i funeralit” të Frederic Chopinit ia dhanë lamtumirën koleges së tyre, violinistes Drita Dida.

Ajo u nda nga jeta të shtunën në moshën 31-vjeçare, ndërsa shkaqet e vdekjes së saj janë të panjohura.

Nën përcjelljen e kortezhit prej qindra njerëzish, trupi i saj u pre tek varrezat në lagjen “Arbëria”.

E ata që e njohën thanë se ajo është shquar për energjinë pozitive.
Violinisti Festim Fanaj, i cili për gati katër vjet ka pasur rastin të interpretonte krah saj bashkë me Filarmoninë e Kosovës, ka thënë se vdekja e saj është humbje për të gjithë.

“Ka qenë një kolege shumë e dashur dhe shpirtmirë. Me të vërtetë ka qenë shumë energjike dhe do të na mungojë të gjithëve edhe si person, edhe në aspektin profesional si violiniste”, ka thënë Fanaj, tek ka treguar për afërsinë që ka pasur me të. “Nuk është se kam hyrë në atë listën e shokëve të saj të ngushtë ndoshta, por ne kemi qenë së bashku në Filarmoni, në fakultet dhe më pas edhe përmes shoqërisë familjare. Nuk e kam pasur fatin të jem pjesë e rrethit të saj të ngushtë, por e kujtoj si person me shumë pozitivitet”, ka shtuar ai.

Të tillë e kujton edhe kolegu i saj, çelisti Antonio Gashi.

“Unë nuk di çka të them, veçse ka qenë një artiste dhe një vajzë shumë e mirë dhe akoma nuk po mund ta pranojmë lajmin e hidhur. Ka qenë një njeri shumë pozitiv, ka sjellë freski kudo që ka shkuar, njeri shumë pozitiv dhe e hapur ndaj të tjerëve, e kjo mund të them se ka qenë një karakteristikë e saj”, ka thënë Gashi.

E drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, vdekjen e saj e konsideron humbje jo vetëm për familjen, por edhe për artin kosovar.

“Nëse nuk gabohem, në vitin 2009 ka hyrë në Filarmoninë e Kosovës. Unë pata shumë besim në të dhe ka qenë një prej violinisteve të para që kishte përfunduar shkollën në Gjermani, nga e cila akademi më pas kemi marrë edhe instrumentistë të tjerë”, ka thënë Jashari, tek ka treguar për angazhimin e saj. “Drita Dida ka qenë instrumentiste shumë e mirë, e dobishme për Filarmoninë. Ajo me vetëdëshirë, për shkak të disa angazhimeve të saja që kishte, para gati dy vjetësh u largua nga Filarmonia e Kosovës”, ka shtuar ai.

Vëllai i së ndjerës, Mentori, tha se ajo ka qenë person i lumtur. “Jam i sigurt se dëshira e saj kishte me qenë të mos mërzitemi”, është shprehur i pikëlluar Mentori, të dielën pasdite, kur violinistes iu dha lamtumira e fundit.

E rritur në një familje muzikantësh, Drita qysh e vogël do të zbulonte dashurinë për muzikën. Që nga viti 1990 e deri në vitin 2002 ajo do të mbante orë private me profesoreshën Sihana Badivuku. Më pas, katër vjet të shkollës së mesme i kreu në Prishtinë në Shkollën e Muzikës, në drejtimin për violinë. Gjermaninë e zgjodhi si vendin ku do t’i vazhdonte studimet. Dida ka diplomuar në Universitetin e Munster për violinë. Me t`u kthyer nga Gjermania ajo më pas u bë pjesë e Filarmonisë së Kosovës, si violinistja e parë.

Hapja e një shkolle të muzikës dhe angazhime të tjera që pati ishte arsyeja që Dida vendosi të largohej nga Filarmonia. Në vitin 2011 ajo hapi shkollën e muzikës në Suharekë dhe Malishevë “Bluestar” bashkë me dy motrat e saj, Jeta dhe Bardha Dida.

Nga shtatori i këtij viti ajo ishte paraparë të kthehej sërish në Filarmoninë e Kosovës.

Në bazë të një biografie të shkurtër, thuhet se në vitin 2001 ajo ka interpretuar me “Munster Musik Hochschule Orchestra”, koncert ky që u dedikohet artistëve të rinj kosovarë. Më pas performanca me “Baroque Chamber Orchestra” në Heford të Gjermanisë. Ka qenë edhe pjesë e orkestrës “Balkans Chamber Orchestra” në Tokio të Japonisë. Më pas një numër i masterklasave të ndryshme do të ndikonin në formimin e saj si artise, si dhe koncertet në kuadër të festivaleve “DAM”, “ReMusica”, “Tingujt e Flautit” në Prishtinë dhe “Ohridsko Leto” në Maqedoni.

Legjenda: Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, vdekjen e violinistes Drita Dida e ka cilësuar humbje jo vetëm për familjen, por edhe për artin kosovar./Koha Ditore/

Më Shumë

Mbi 7 mijë kosovarë shkuan në Shqipëri në orët e hershme të së shtunës

Kjo e shtunë ka nisur me një fluks automjetesh në pikën kufitare të Morinës. Shumë qytetarë kanë zgjedhur të udhëtojnë nga Kosova drejtë Shqipërisë, duke...

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lajmet e Fundit