-1.7 C
Prizren
E shtunë, 4 Janar, 2025

Lamtumirë, nipi im i dashur, Faridin Tafallari!

Nga Selman Pireci

Ditët e fundit të vitit 2024 paskan qenë të hidhura për ne.

Faridini ynë i dashur mbylli sytë përjetë. Për të nuk do të lind as nuk do të perëndojë dielli më. Do të duam ta shohim, të flasim me të, të kuvendojmë e të qajmë ndonjë hall, ta marrim në telefon, po nuk do t’ia dëgjojmë më zërin e ëmbël, as fjalët e urta, nuk do ta shohim buzagazin e tij, as shkrepëtimën e butë të syve plot dritë e shpirtmadhësi.
E kisha nip të dashur, e kisha vëlla, e kisha shok të jetës. Do ta kujtoj deri sa ta kem frymën, do ta nderoj deri sa të kem jetë.

Ndër ne dhimbja është ende e ngrohtë dhe therëse, që ma mjegulloi ftohtësinë e mendimit, por edhe në gjendje tjetër, fjalët e mia nuk do të arrinin kurrë të përcjellin emocionet që ndjej. Megjithatë ndjej qortimin e të ndjerit i cili porosiste gjithmonë për gjakftohtësi e vetëpërmbajtje, për qëndrim burrëror në momente të vështira. E kam parasysh si do të më vështronte në këto momente shumë të rënda. Jeta, sado e gjatë të ishte, mbetet e kufizuar. Brezat përcjellin njëri tjetrin e jeta përtërihet.

Faridini lindi në Struzhën e tij të bukur që e deshi aq shumë, më 1 shkurt të vitit 1951, muaj ky, kur lindi edhe Republika e Kosovës së Pavarur, për të cilën punoi tërë jetën. Struzhën e deshi aq shumë dhe ia kushtoi edhe librin: Fat lumbardhi dhe Struzha e tij, në viti 2008. Asaj i fali dashurinë e tij të pakufishme, udhë e pa udhë erdhi tek ajo duke rrezikuar jetën edhe aso kohe kur regjimi titist ia kishte ndaluar të shkelte në vendlindje, për këtë jam vetë dëshmitar i gjallë, sepse nën përcjelljen e vëllëzërve Voka nga Tetova e nën menaxhimin tim realizoi atë vizitë ilegale në Kosovë në vitin 1993. Nisur nga Struzha, Faridini deshi krahinën e tij, deshi Prizrenin e bukur, luftoi për Kosovën, për Shqipërinë, për ëndrrën e tij të madhe për Bashkim Kombëtar, të cilin e deshi më shumë se vetvehten, por që nuk arriti ta jetësoj. Struzhës i fali shpirtin, i fali dhe trupin e tij që do të prehet përjetësisht atje.

Vitet ’50 qenë të vështira për shqiptarët e Kosovës mbi të cilët ra barbaria e dhunës ç’njerëzore të regjimit Rankoviqjan. Kjo barbari i mprehu atij ndjenjën e atdhedashurisë, të qëndresës, revoltës dhe të reagimit si njeri i lirë.

Në mars të vitit 1973, në moshën 22 vjeçare në lule të rinisë u detyrua të marrë udhët e mërgimit. Por, kthimin në atdhe e kishte gjithnjë në mëndje. Dielli i tij mbeti liria e Kosovës. Hafijet e regjimit e ndiqnin ditë e natë , me kë rrinte, me kë fliste, ku punonte, çfarë shokësh kishte. Mësoi t’i njihte njerëzit. Prapa fjalëve mësoi të shohë shpirtrat. Dhe shpirtrat e zi dallohen. Faridini nuk trembej prej tyre. Mbante familjen, gruan Zade, një zonjë e çeliktë e cila e mbështeti deri në frymën e fundit, dhe fëmijët: Besimin, Bekimin, Kosovaren dhe Besnikun, që zoti ia solli njërin pas tjetrit, si yje drite. Lidhej me prindërit dhe të afërmit në Struzhë, i ndihmonte vazhdimisht, kujdesej për shokët në nevojë, dhe ruante gjithashtu hisen e nevojshme për ta dorëzuar në shërbim të luftës së tij dhe të Kosovës.

Faridini pati miq të shumtë. Dashuria shpërblehet, siç thuhet me të drejtë: qite në det se e gjen në kripë. E deshën dhe i besuan, e respektuan, e admiruan. Ishte për tu admiruar dhe do të admirohet përjetësisht.

Prizreni ruan me krenari moshën e tij qytetare, mbijetën në shekuj e mijëvjeçarë. Nuk ishte thjesht fati i mirë që e ruajti qytetin, po e mbrojtën dhe e lartësuan bijtë e këtij vendi, ndër ta ishte edhe Faridini, që i mbijetoi pushtimeve dhe barbarive të panumërta. Malet janë të pavdekshme, ato nuk tunden nga rrebeshet e motit, po edhe njerëzit ashtu si malet kanë diçka të pavdekshme. Kjo është vepra e tyre. Veprat nuk harrohen, kthehen në histori, në mësuese të jetës për ta bërë më të mirë jetën.

Faridin Tafallari e shkroi veprën jetësore të tij. Një vepër krenare që do të rrojë në breza. Ai pati fatin që krahas punëve të përditshme, shpesh në ilegalitet të thellë e shpesh krejt haptas në ballë të demonstratave kundër regjimit për Kosovën e lirë dhe sovrane, të grumbulloj materiale voluminoze të punës së tij dhe të bashkëluftëtarëve. Një punë e përditshme, e përjavshme, muaj pas muaj e vit pas viti, gjithnjë në përballje e nën sulmet tinzare të armikut fashist, që shpesh arrinte të depërtonte edhe në gjirin e ilegalëve. Gjarpërinjtë e gjakut, megjithatë, nuk arritën ta helmojnë perspektivën, as t’i vrasin ëndrrat e përpjekjet titanike për ta afruar ditën e madhe të lirisë. Gjaku i heronjve u bë drita për ta gjetur më mirë udhën e shpëtimit.

Faridini u gjet në zemër të ciklonit. E përballoi forcën shkatrrimtare të pabesisë kriminale dhe arriti të shndërrohet në një kronikan të veprimtarisë së brezit të tij. Falë punës së tij sot jemi krenar për qëndresën e pamposhtur dhe heroike të shqiptarëve që punuan dhe luftuan larg atdheut në emigracion. Prej kësaj pune vetmohuese sot kemi një trashëgimi të pasur të veprave të tij jetësore.

Pjesën më të madhe të jetës dhe angazhimit të tij në kauzën kombëtare, Faridini e ka përshkruar në shtatë librat e tij: “Terror, dhimbje, qëndresë” (1997); “Dhimbje krenare (1998); “Zot të kësaj toke jemi ne” (2003); “Fat lumëbardhi dhe Struzha e tij” (2008); “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme” (2010); “Për kohën e artë” (2015), dhe “Shqiptarët e rrezikshëm për Jugosllavinë (2017).

Mijëra faqe libri që janë hartuar bazuar mbi qindra e mijëra dokumente rreth veprimtarisë së parreshtur të organizatës së tij. Ruajtja e kësaj baze të gjerë dokumentare në kushtet e rënda të emigracionit tregon vizionin e kthjelltë, pjekurinë intelektuale dhe devocionin e autorit. Ai e dinte rolin e tij prej misionari në shërbim të së vërtetës historike. Nga vëllimi i veprave të tij dhe bisedat që kemi pasur, unë nuk njoh njeri që e do Kosovën e shqiptarinë më shumë se ai, nuk njoh njeri që ka dhënë kontribut për Kosovën më shumë se ai, e në veçanti për Bashkimin Kombëtar.

Vepra voluminoze e Faridinit është vlerësuar nga lexues të shumtë, nga gazetarë e studiues historie, nga miqtë e tij të misionit. Janë libra që i shërbejnë kujtesës sonë historike, ndaj do të kemi nevojë gjithmonë për ato nisur nga përmbajtja dhe mesazhet që përcjellin. Mesazhet që nxjerrim nga librat e tij psh. për PATRIOTIZMIN ai thoshte: Patriotizëm është t’ia duash të mirën kombit tënd dhe të jesh i gatshëm të sakrifikosh me jetë kur të jetë nevoja. Të gjithë shqiptarët anë e mbanë kudo që janë, të kthehen në trojet e tyre dhe ti përvishen punës si gjermanët. Ndërsa për Nacionalizmin thoshte: Nacionalizmi është një version pak më ekstrem i patriotizmit.

Nacionalistët përveç krenarisë për vendin e tyre, kanë ndjenja superioriteti mbi kombet tjera. Do thoja se Nacionalizmi i tepruar është i dëmshëm sepse i hap rrugë dhe justifikon veprime agresive kundrejt vendeve të tjera, siç veprojnë fqinjët tanë, serbët dhe grekët thoshte Faridini. Nga sfondi i kësaj arkive voluminoze, Faridini krijoi Bibliotekën e tij personale familjare, në shtator të vitit 2019, për të cilën ka lënë amanet që kur të vdes, arkivoli i tij të qëndrojë së paku një orë para derës së bibliotekës, kështu edhe ndodhi.

Ky vend tashmë i lirë nga thundra e huaj e ka ngritur prej kohësh institucionin e mirënjohjes. Nderon martirët, heronjtë, ndër ta edhe miqtë e ngushtë të Faridinit si: Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Adem Demaçin, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Avdyl Krasniqin, Remzi Ademajn e shumë e shumë atdhetarë të tjerë që e kam të pamundur ti përmend të gjithë, dhe për këtë kërkoj falje. Në luftën e fundit të UÇK-së, të cilën e ndihmoi me mish e me shpirt, ku ranë mijëra dëshmorë, i kemi kujtuar dhe do ti kujtojmë gjithnjë. Martirët janë yjet nën dritën e të cilëve do të çelet e ardhmja jonë kombëtare e shoqërore, përparimi ynë i pandalshëm.

Mirënjohja na lartëson si njerëz. Edhe kjo veprimtari e parë përkujtimore e e tij e ngre lartë institucionin e mirënjohjes.Faridini ishte një besimtar i devotshëm i misionit të tij. Puna dhe vepra e tij kanë përmasat e një martiri. Duke nderuar Faridinin, kemi nderuar njeriun fisnik që ngriti lartë kultin ndaj të parëve tanë, që nderoi gjakun e tyre, sakrificat historike të brezave. Jeta është e shkurtër, por, mirënjohja do të jetojë gjatë në këto troje.

Prehu i qetë në tokën e babës e të nanës nipi im i dashur, vëlla e shok i shtrenjtë!
U kujtofsh gjithmonë me nderim e lavdi!

Prizren, 2 janar 2025

Më Shumë

Skiatorja që e përfaqëson Shqipërinë, rënditet e dyta në Kupën e Botës

Skiatorja Lara Colturi që garon për Shqipërinë është renditur e dyta në Kupën e Botës në Ski. Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë,...

Prizreni përballet me Yllin në ndeshjen përmbyllëse të vitit

Sot, zhvillohet ndeshja e fundit e xhiros së 14-të të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll. Përballja ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle...

Lajmet e Fundit