-1 C
Prizren
E diel, 12 Janar, 2025

Largimi i hershëm jo gjithnjë është garanci për sukses

Një tjetër futbollist nga Kosova ka kaluar në futbollin evropian. Sulmuesi i krahut, që në vjeshtë veshi fanellën e Trepçës ’89, Milot Avdyli, është prezantuar tek Aarau në Zvicër, të hënën. Te ky klub i kategorisë së dytë, 18-vjeçari ka qenë në prova që nga fillimi i vitit dhe ia ka dalë që t’i bindë drejtuesit e Aaraut për të nënshkruar kontratë profesionale.

Avdyli është lojtari i vetëm nga Kosova në këtë afat kalimtar ku u transferua në një klub evropian, ndonëse jo të ndonjë niveli shumë të lartë. Verën e kaluar, Jetmir Topalli nga Ballkani ishte transferuar në Superligën e Turqisë tek Yani Malatyaspori, kurse Arb Manaj te Keçiorengucu i kategorisë së dytë turke. Manaj, të hënën, ndryshoi skuadër duke bërë hap prapa, në ligën e njëjtë.

Rruga drejt Evropës ka qenë jo e lehtë për shumë lojtarë kosovarë, të cilët janë kthyer sërish në Superligën e Kosovës, pasi nuk ia kanë dalë që të zënë vend në klubet e tyre. Avdyli, që vlerësohet talent i madh, natyrisht shpreson të mos jetë në atë grup.

Klubi i kategorisë së dytë të futbollit zviceran, Aarau, ka bërë të ditur se me të riun kosovar, Milot Avdyli, ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023. Ai do të bartë numrin 20 tek ekipi zviceran.

Për KOHËN, Avdyli ka deklaruar se ndihet krenar që ka arritur t’i bindë drejtuesit e klubit zviceran. Ai është paraqitur në dy ndeshje miqësore, ndaj Baselit dhe Young Boysit. Pra, po vazhdon trendi që të rinjtë kosovarë përmes provave të sigurojnë angazhim.

“Po ndihem shumë mirë dhe jam krenar që kam kaluar tek Aarau. Meritat më të mëdha i kanë familja, të gjithë që më mbështetën gjatë rrugëtimit deri këtu, e sidomos menaxheri im, Leonard Berisha. Niveli i lojës është më i lartë dhe nuk e kam pasur të lehtë, por me paraqitjet e mija në ndeshjet miqësore dhe në stërvitje i kam bindur drejtuesit e klubit”, tha Avdyli, i cili i ka synimet e qarta që përmes Aaraut të kalojë në ndonjë klub më të madh evropian.

“Fillimisht të ambientohem dhe më pas të kem hapësirë për ta treguar veten dhe aftësitë e mija. Besoj se ky klub do të jetë një trampolinë e shkëlqyeshme për të arritur kampionatet e mëdha evropiane”.

Klubet ende pa përfitime nga dëmshpërblimi

Për kalimin e të riut vushtrrias ka folur edhe presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Sipas tij, 50 për qind e kartonit të lojtarit e posedon klubi nga Mitrovica.

“Ne nuk kemi dashur ta pengojmë Milotin, i cili është një djalë shumë i mirë dhe talent i madh. Nuk kemi marrë dëmshpërblim nga kalimi i Avdylit tek Aarau, por unë do ta kem 50 për qind të kartonit të lojtarit. Kjo është marrëveshja që kemi bërë”, tha Zeka.

Image

Mirlind Daku po realizon vazhdimisht për Ballkanin. Në Kroaci forma e tij nuk ishte as e përafërt

Pra, klubet kosovare ende nuk përfitojnë njëjtë si klubet e tjera nga transferimi i lojtarëve. Kjo po ndryshon gradualisht, por jo me hapat e synuar.

“Avdylit i është siguruar banimi, klubi ia ka dhënë një banesë dhe pritet t’ia japë edhe një veturë. Për pagën e tij nuk do të flasë, pasi nuk na intereson neve paga e lojtarit, ajo është çështje vetëm e lojtarit. Si president i klubit jam shumë i kënaqur që edhe një talent nga klubi që unë drejtoj do të luajë në futbollin evropian. Ky është vetëm fillimi, do të ketë edhe disa talente të tjerë që nga Trepça ’89 do të kalojnë në Evropë”, përfundoi Zeka.

Me Trepçën ’89, sulmuesi nga Vushtrria ka luajtur 25 ndeshje dhe ka shënuar katër gola dhe pesë asistime. Si lojtar është rritur te shkolla e futbollit, Kurda, e cila ka reaguar duke i uruar shumë suksese Avdylit në futbollin evropian. Te Kurda ishte rritur edhe Milot Rashica, i cili tani luan në Bundesligë te Werder Bremeni. Sulmuesin e Kosovës dhe skuadrës gjermane, e kishte model Milot Avdyli. Ai kishte thënë për KOHËN në qershor të vitit të kaluar se ëndërron të ndjek hapat e Rashicës, të cilin përveç që e ka emnak, e ka edhe bashkëvendës.

Milot Avdyli ishte pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës, ku me U-17 ka triumfuar në turneun e mbajtur në Romë. Ndërkaq, nga viti i kaluar ka kaluar te grupmosha U-19.

Avdyli kishte marrë edhe çmimin e sportistit më të mirë të ri për vitin 2019 nga Grupi KOHA.

Lojtarët e kthyer

Milot Avdyli do të kërkojë depërtimin në futbollin evropian nga liga e dytë e Zvicrës. Ai do të luftojë për një vend në përbërjen bazë të ekipit zviceran. Rrugën e Avdylit e kishin bërë edhe disa lojtarë të tjerë nga Kosova, të cilët kishin dështuar të zënë vend tek ekipet ku u transferuan.

Leotrim Kryeziu, në vitin 2018 kishte kaluar nga Drita te Lugano. Ishte huazuar edhe te Chiaso, kurse tani është i huazuar te Prishtina në Superligën e Kosovës. Nga Kryeziu është pritur shumë në momentin kur kishte firmosur me ekipin zviceran. Në miqësore, Kryeziu kishte shënuar gol edhe kundër Interit, por që nuk ishte përcaktues që ai të fitonte një vend në ekipin e Luganos. Kryeziu ka kontratë me Luganon deri në vitin 2022, kurse te Prishtina do të qëndrojë deri në fund të këtij sezoni.

Mirlind Daku që po shkëlqen këtë edicion me Ballkanin duke shënuar 21 gola në 19 ndeshje, nga Llapi kishte kaluar te Osijeku në Kroaci në verën e vitit 2018. Te kjo skuadër nuk kishte mundur të ambientohet dhe siç kishte thënën për KOHËN muaj më parë, nuk i kanë dalë në fjalë kroatët. Ai është huazuar fillimisht te Kukësi në Shqipëri, kurse që nga janari i vitit të kaluar i është bashkuar Ballkanit. Kartonin e tij vazhdon ta mbajë Osijeku, më të cilin klub ka kontratë deri në vitin 2022.

Një tjetër lojtar që nga Llapi kishte kaluar në futbollin e Kroacisë ishte Festim Alidema. Ai iu bashkua Slaven Belupos në verën e vitit 2019. Alidemës iu dha mundësia të luajë për ekipin e parë në vetëm pesë ndeshjes, kryesisht si zëvendësues. Ai nuk ia doli të shënojë asnjë gol. Më pas, Alidema nuk bënte pjesë në planet e trajnerit të ri të skuadrës. Ai është rikthyer në futbollin e Kosovës, duke iu bashkuar Dritës në formë huazimi. Kontrata me Slaven Belupon i skadon në verën e këtij viti.

Në Kroaci te Hajduku i Splitit ishte edhe Lumbardh Dellova, i cili në verën e vitit 2018 kishte kaluar tek ekipi i dytë kroat, për të cilin nuk e ka luajtur asnjë ndeshje në elitën e futbollit kroat. Në fillim të këtij sezoni, i është bashkuar Prishtinës si formë huazimi, ndërkohë kontrata me Hajdukun i përfundon në vitin 2022.

Rrugë jo të suksesshme në Evropë kanë pasur edhe Rron Broja, Enis Gavazaj e disa të tjerë. Broja tani është te Partizani, kurse Gavazaj pas shumë aventurave, po luan te Prishtina.

Kalimet e lojtarëve nga Kosova në klubet evropiane janë shtuar viteve të fundit, sidomos pas pranimit në UEFA dhe në FIFA në vitin 2016. Ka edhe disa lojtarë, si Milot Rashica, Edon Zhegrova, Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Florent Hasani, që ia kanë dalë në Evropë.

Por, numri i lojtarëve që nga Kosova transferohen në Evropë vazhdon të jetë fare i vogël.

Më Shumë

Shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren, brenda 7 ditëve raporti mbi dëmet

Sipas raporteve fillestare, shpërthimi që ndodhi në lagjen Bazhdarhane të Prizrenit natën festive të ndërrimit të moteve, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Për ta adresuar...

LDK-së në Prizren i bashkohet ish-komandanti i UÇK-së, Nexhmedin Kastrati

Ish-komandanti i UÇK-së, Nexhmedin Kastrati, i është bashkuar LDK-së në Prizren. Ai është mirëpritur nga kryetari i degës së këtij subjekti politik, Driton Selmanaj dhe...

Lajmet e Fundit