Një ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri të ditur se në Kosovë ende nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë i Lisë së Majmunëve, ndërsa infektologu Hamdi Ramadani në një intervistë për Telegrafin ka bërë të ditura simptomat, mënyrën e përhapjes, shërimit e çështje tjera.
Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka thënë se po përcjell me vëmendje epidemiologjinë e Lisë së Majmunëve, që nga paraqitja e rasteve të para jashtë kontinentit të Afrikës, në SHBA, Evropë dhe Izrael, me mbi 100 raste të raportuara deri më tani.
IKSHPK njofton se në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket Lisë së Majmunëve.
Po ashtu, IKSHPK ka përpiluar dokumentin e parë, me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve, i cili është shpërndarë të gjitha institucioneve shëndetësore në vend, dhe do të përditësohet me të dhënat e reja.
“Ju njoftojmë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë.
Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, IKSHP njofton se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera.
IKSHPK në vazhdimësi po monitoron nga afër situatën epidemiologjike në shtetet e rajonit dhe në botë, dhe konform situatës do të njoftoheni menjëherë në kohë reale”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.
Derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka paralajmëruar përhapjen e sëmundjes së quajtur ‘Lija e Majmunëve”, shumë shtete kanë vënë alarmin e përhapjes së sëmundjes virale.
Deri tani më shumë se 100 raste të infeksionit viral janë konfirmuar në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë, Suedi, Holandë dhe Britani. Disa raste janë identifikuar edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi.
Në një intervistë për Telegrafin, infektologu Hamdi Ramadani bëri të ditur se përhapja e kësaj sëmundje bëhet përmes pështymës dhe gjakut të njeriut të infektuar.
Kurse në momentin që një njeriu ka kontakt me kafshë të egra, brejtësit dhe majmunët, automatikisht është i rrezikuar.
“Shkatari i sëmundjes është një virus, prandaj quhet sëmundje virusale që kryesisht kap kafshët e egra, brejtësit e majmunët. Normalisht në kontakt me këto kafshë njeriu që eksponohet para tyre e fiton edhe sëmundjen. Kurse përhapja e sëmundjes që është e rëndësishme për ta ditur bëhet me anën e infeksiozitetit apo pështymës së infektuar por edhe përmes gjakut të personit të infektuar mund të përhapet”, tha ai.
Temperaturë e lartë, ethe, dhimbje të muskujve, nyjave, kokës dhe lodhje permanente janë disa prej simptomave me të cilat manifestohet kjo sëmundje, njofton Ramadani.
Kurse simptomë tjetër me të cilën karakterizohet “Lia e Majmunëve”, është edhe skuqja e fytyrës dhe e duarve të ekspozuara.
“Bazuar në të dhënat e paraqitura nga autoritetet shëndetësore të vendeve, nga ku është shfaq por edhe ato të mëparshme. Simptomat e kësaj sëmundje janë: temperatura e cila është e lartë deri 39 gradë po ashtu fillojnë ethet, pastaj dridhjet, dhimbje të muskujve, të nyjave, të kokës dhe përveç këtyre lodhja është një simptom permanent i sëmundjes, më vonë shfaqen edh ajtje të nyjave limfatike përkatëse, po ashtu sëmundja karakterizohet edhe me skuqje të fytyrës dhe të duarve ”, deklaroi Ramadani.
Kryetari i Infektologëve të Kosovës vlerësoi e ata të cilët veç preken nga kjo sëmundje duhet të izolohen dhe të hospitalizohen për dhjetë ditë.
“Ecuria e sëmundjes shkon nga shtatë deri në dhjetë ditë e në rrallë deri në 14 ditë. Tash për tash sëmundja kalon pa ndonjë komplikim. Të sëmurët me ‘Linë e Majmunëve’, rekomandohet të ndalen të izolohen dhe të hospitalizohen për shtatë ose dhjetë ditë shkak të kufizimit dhe përhapjes”, tha ai.
Se kjo sëmundje nuk kursen as moshë as gjini, e konfirmon edhe infektologu Ramadani.
Ai pohoi se në momentin që një njeri ka kontakt me personin e infektuar ose me kafshë është i rrezikuar.
“Kjo sëmundje nuk kursen ndonjë moshë. Është ajo që quhet ekspozim, njeriu kur i ekspozohet një infeksioziteti në afërsi të ngushtë, me personin e infektuar apo me kafshën e infektuar mundësia që të paraqitet sëmundja është e madhe. Pra kjo nuk dallon ndonjë moshë ose gjini të caktuar”, përfundoi ai.
Disa informacione të përgjithshme:
- Lia e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae;
- Lia e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera;
- Lia e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjave limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore;
- Lia e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%;
- Lia e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin;
- Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati;
- Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda;
- Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve;
- Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve. /Telegrafi/