Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një konference për media të mbajtur bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se pas nënshkrimit të kontratës për energjinë me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, ky program do t’i kursejë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, derisa ka njoftuar se zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit.
“Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, specifikat e programit janë që diversifikimi i burimeve të energjisë dhe decentralizimi i rrjetit me prodhues kërkon që të ketë kapacitete për të menaxhuar me përfshirjen e burimeve të ripërtërishme në rrjet.
“Bateritë shërbejnë si rezerva të energjisë që do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Këtë shërbim aktualisht Kosova e kontrakton në tregun e rezervave të Shqipërisë, por shpesh ndodhë të kontraktojmë edhe tregun evropian me çmime akoma më të larta kur nevoja tejkalon ofertën”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se me arritjen e kësaj marrëveshje janë thelluar edhe më shumë marrëdhëniet me SHBA-në.
‘’Ky është granti më i madh në histori të Kosovës së çliruar”.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes së Programit Kompakt për sektorin e energjisë, qeveria jo vetëm që i ka thelluar marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor Perëndimor, konkretisht ka filluar punën për transformimin e sektorit energjetik duke pasur për bazë pavarësinë energjike”, shtoi Kurti.
Kreu i qeverisë, ka bërë të ditur se në Uashington DC ‘’nënshkruam marrëveshjen me të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë’’.
Çka përmban konkretisht marrëveshja?
Programi ka tri pika kryesore.
Ruajtja e Energjisë – Projekti i Ruajtjes së Energjisë ka për qëllim të krijojë siguri energjetike, të zvogëlojë çmimet e energjisë dhe të lehtësojë një tranzicion drejt energjisë së pastër në të ardhmen, duke investuar në një sistem të ruajtjes së energjisë prej 350 megavatesh, që mund të ndihmojë në mbushjen e zbrazëtirave energjetike për periudha të gjata.
Kjo sidomos në raste kur, sikur vitin e kaluar, ka lëvizje të mëdha në tregjet energjetike të çmimeve të energjisë.
Programi mbështetë pikërisht ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe administrative që mbështetën nga reformat institucionale dhe politike. Pjesë e kësaj pike është edhe promovimi i punësimit dhe ndërmarrësisë, veçanërisht për gratë në këtë sektorë.
Edukim për energjinë dhe trajnim për të gjithë – Projekti i Përshpejtimit të Tranzicionit të Drejtë dhe të Duhur do të etablojë programe të reja që mësojnë punëtorët për teknikat e reja në sektorin e energjisë dhe sektorë të tjerë ndërlidhës. Brenda programit është edhe edukimi për praktika të barazisë gjinore brenda sektorit të energjisë. Gjithashtu, jepet asistenca teknike për të ndihmuar që të rritet prezenca e grave në sektorin energjisë dhe në kompanitë energjetike në Kosovë.
Kjo do të bëhet edhe duke mbështetur këto kompani me trajnime dhe monitorimin e dhënies së mundësive për gratë.
Qëndrueshmëria e Sektorit Privat – Projekti i Katalizatorit Amerikan për Zhvillim do të tentojë të promovojë investime shtesë në sektorin privat të energjisë në Kosovë në bashkëpunim me Korporatën amerikane për Zhvillim, duke ndihmuar fondet nga MCC dhe duke zgjeruar participimin e sektorit privat në investimet për energji të qëndrueshme.
MCC marrëveshje të tilla ka nënshkruar me shumë shtete të tjera në zhvillim, siç ishte marrëveshja e Kompaktit me Ganën muajin e kaluar me vlerë prej 316 milionë dollarësh. Programi kishte filluar në vitin 2016 dhe u mbyll me nënshkrim në vitin 2022.
/Albanianpost.com