5.8 C
Prizren
E premte, 7 Tetor, 2022

Mentaliteti mesjetar serb dhe tragjedia shqiptare

qemajl krasniqiQemajl Krasniqi

Nuk është thënë kot, “bëmë baba se të ngjava, vendin nuk ta thava (lashë bosh)”. Filozofia serbe e mbijetesës ka qenë vetëviktimizimi dhe mbi këtë filozofi ata e kanë ndërtuar identitetin e tyre kombëtar. Fakti se një deklaratë e një ministri serb në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i deleguar nga qeveria serbe e Beogradit, bën aq shumë bujë dhe shkakton aq shumë trazim shpirtëror, është dëshmi se këtu nuk ndodh asgjë rastësisht dhe pa dashje. Të jetosh në fqinjësi me të tjerët dhe të mos e njohësh historinë e atij vendi, vërtet është për keqardhje. Pavarësisht pozitës shoqërore, secili njeri duhet të përpiqet të ambientohet në mesin ku jeton, sepse ky është edhe ligji i mbijetesës. Prandaj, të pohojë dikush, me përgjegjësi publike, se nuk e di çka ka ndodhur në Kosovës në këto 20 vitet e fundit, është më shumë se hipokrizi. Një njeri me dy palë mend në kokë nuk do të mund ta kapërdijë një pretendim të tillë. Askush nuk mund t’na e mbushë mendjen se nuk e di çka ka ndodhur në Kosovë që nga heqja e autonomisë së Kosovës dhe pushtimi klasik i saj nga forca të shumta ushtarake e policore. Askush që ka jetuar në Kosovës gjatë kësaj periudhe, nuk mund të pretendojë të na bindë se nuk ka parë lëvizje të këtyre forcave, rrahjen, torturimin, gjymtimin, vrasjen, djegien e kufomave, shtëpive, shkatërrimin e plaçkitjen e pasurisë së shqiptarëve dhe ushtrimin e shumë mizorive mbi njerëzit e pambrojtur, kryesisht shqiptarë. Pra, na del se arsyetimi i ministrit serb është farsë dhe kamuflim. Në anën tjetër, duke njohur filozofinë serbe të vetëviktimizimit, si mënyrë mbijetese, na shtyn të mendojmë në diçka shumë, shumë të rrezikshme dhe aspak progresive. Mënyra mesjetare e të menduarit dhe e të vepruarit, e kombinuar me një strategji agresive mediale, vazhdon të dominojë mendjet e shumicës së serbëve, në Kosovë por edhe gjetkë në Ballkan. Mjafton të kujtojmë rastin “Martinoviç” në vitet ’80, “dhunimet e grave e vajzave serbe” në atë periudhë dhe rastin “Panda” në Pejë gjatë luftës së fundit. Inskenime dhe skenarë të kuzhinës serbe.

Më ka rënë të dëgjoj e lexoj për shumë pak serb që janë kundër kësaj filozofie. Shumica vazhdon të përqafojë të menduarit konvencional dhe këtë ta transmetojë tek pasardhësit. Kjo ndërlidhet me faktin se krijimi i identiteteve kolektive kalon nëpër një periudhë të gjatë transformimi gradual dhe ky transformim po ecën tepër ngadalë tek serbët, edhe pse jetojnë në Evropë. Madje konsiderohet herezi nëse një serb i kundërvihet kësaj mënyre të menduari. Raste të likuidimeve fizike e linçimeve kemi parë vazhdimisht të ndodhin në Serbi dhe në Kosovë, nga vetë serbët. Mirëpo, nuk e kam ndërmend të merrem me “edukimin” e serbëve. Jemi të shqetësuar dhe duhet të jemi të shqetësuar për sjelljet tona individuale e kolektive. Të parët tanë na kanë treguar shumë histori për pabesitë e “kumarëve” serb, të cilët e mbanin një sëpatë nën jastëk për të vrarë fqinjin shqiptar që e vizitonte shpesh si “kumarë i zorit”. Pra, ka munguar sinqeriteti dhe miqësia në këto marrëdhënie shqiptaro-serbe.

Konflikti i pazgjidhur shqiptaro-serb
Edhe tani nuk është më ndryshe. Të dyja palët, të detyruar nga shtetet e fuqishme të botës, u detyruan të ulen në tryezë dhe të bisedojnë një marrëveshje. Në këto bisedime si duket nuk u mor parasysh historia, e kaluara e këtyre dy popujve. Derisa Serbia është palë në këto bisedime, Shqipëria as nuk u ftua dhe as nuk u pyet. Krijimi i një shteti “multietnik”, ku mungon brumi për një trajtim të tillë të çështjes, si duket u gjet si kompromis. Mirëpo, kjo nuk ka funksionuar deri më tani dhe nuk do të funksionojë as në të ardhmen. Konflikti nuk është serbo-kosovar, por është konflikt i vjetër shqiptaro-serb, që me ardhjen e sllavëve në Gadishullin Ilirik. Shtohet pyetja nëse në rastin konkret na shërben shumë kjo histori e vjetër. Mendoj se po.

Në fakt qeveritë serbe asnjëherë nuk kanë mundur të shkëputen nga mentaliteti mesjetar, sepse në thelb të edukimit të tyre qëndrojnë mësimet e kishës mesjetare ortodokse serbe për Kosovën si “Tokë e shenjtë serbe”. Këto mësime përcillen nga brezi në brez edhe sot. Klasa politike serbe e ka program veprimi këtë filozofi mbijetese në një territor që e pushtuan që në shekullin VI-VII. Vendasit vazhdojnë të trajtohen si të huaj në këto territore, prandaj duhet të vriten, shkombëtarizohen dhe dëbohen nëse nuk i nënshtrohen kësaj filozofie. Historia e dhimbshme e popujve jo-serb e dëshmon këtë. Nëse ndonjë ditë ndonjë intelektual i guximshëm serb do të guxojë të shpalosë arkivat e kishës ortodokse serbe, do ta gjejë të vërtetën.

A ka të tillë serb, unë dua të besoj se ka dhe do të ketë, ashtu siç ka pasur edhe në të kaluarën. Mirëpo, klasa aktuale politike që përfaqëson serbët, ose thënë më mirë, të dërguarit e Serbisë në Kosovë, të instaluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nuk janë të tillë. Ata e kanë lexuar vetëm njërën faqe të historisë, prandaj komunikimi normal intelektual me këta është i zorshëm. Çështja qëndron tek mohimi i gjithçkaje që nuk është serbe dhe përvetësimi i vlerave kulturore e historike të të tjerëve. Ky përvetësim do të përforcojë edhe bindjen se serbët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë viktima të popujve tjerë, ndërsa serbët vetëm janë vetëmbrojtur. Këtë filozofi e kanë edhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, të cilët mbi të gjitha frymojnë ende në Mesjetë. Madje edhe deklaratat fyese e poshtëruese në adresë të viktimave të tyre i bëjnë pikërisht në objektet e kultit dhe me të njëjtën gjuhë mesjetare.

Këtej buron edhe vjen refuzimi i shumicës autoktone për këto objekte kulti, që ende shërbejnë si vende frymëzimi të kësaj mendësie. Pakënaqësia qytetare ndaj kishave ortodokse serbe, që në vitin 2004 ishte e madhe dhe i solli shumë dëme Kosovës, u shfry pikërisht në këto objekte guri. Kishat ortodokse serbe vazhdojnë të luajnë rolin e strehës mesjetare, ku gjejnë prehjen ideologjitë arkaike. Kjo Kishë do të ishte më e pranuar nëse aty do të kryheshin vetëm ritet fetare dhe nga aty njerëzit do t’i drejtoheshin vetëm Zotit dhe ku do të kultivohej fryma e tolerancës dhe e mirëkuptimit reciprok. Por Kisha është burimi i miteve për Tokën e premtuar.

“Gjarpri” nën gur dhe “Skilja” e “Haribda”sundojnë në kaos
Edhe më shqetësues është fakti se karshi kësaj fryme kundërshtuese vazhdon heshtja e atyre që i kontribuuan kësaj situate konfuze. Në filozofinë e disave vazhdon të dominojë ideja se më mirë është të heshtet dhe vetëm pasi që ketë thyer kokë e dhëmbë të tjerët të dilet në sheshin e luftës si triumfues apo si shërues i plagëve. Kjo përgjumje dikujt do t’i kushtojë shtrenjtë, por çmimin më të lartë do ta paguajë Kosova. E dikush do të mbledhë thërrmijat e mbetura dhe me to do të gatuajë një kulaç që nuk mund ta hajë askush. Zaten vetëm në kohë krizash disa elita politike dinë të sundojnë, duke mos u përballur me furtuna. “Gjarpri” vazhdon të flejë nën gur dhe po guxoi dikush ta ngacmojë pasojat do të jenë fatale, sepse Gjarpri di edhe të tërhiqet edhe të pickojë me helmin vdekjeprurës. E kujt i duhet përgjumja e tij?

Shitja e heshtjes, si politikë e urtë dhe e mençur, si filozofi e sundimit të masave, nuk vlen në kohë krizash e revoltash kur njerëzit janë në udhëkryq. Deklarimi në funksion të mbrojtjes së identitetit dhe nderit të kombit vjen si nevojë dhe domosdoshmëri. Heshtja dhe futja e kokës në rërë sikur struci në rrezik, nënkupton frikë nga përballja me realitetin. Nuk mund të bëhet politikë e jashtme me barkun bosh dhe me njëmijë e një probleme të brendshme. Madje në situata të tilla burrështetasit ndërpresin vizitat zyrtare dhe përballen me situatat e brendshme.

Në anën tjetër një kryeministër me të kaluar të turbullt nuk ka guxim të ndërmarrë asnjë masë ndaj vartësit të tij, sepse anija e tij mund të fundoset nga “Haribda” serbe. Fatkeqësia qëndron në faktin se populli duhet të kalojë skaj këtyre rreziqeve dhe këtë do ta bëjë patjetër. Duket sikur këta tre aktorë kanë gjetur një mes të artë, ku nevojë imediate mbetet mbrojtja e njëri-tjetrit ose fundosja eë gjithëve s bashku.

Më Shumë

329 mijë gjoba janë shqiptuar në pandemi – opozita për faljen e gjobave, pozita kundër

Policia e Kosovës ka shqiptua 329 mijë gjoba ndaj qytetarëve përgjatë kohës së pandemisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Krahas gjobave nga Policia e Kosovës,...

Mike Tyson “hedh” karrigen me rrota dhe ngjitet në ring

Disa javë pasi u pa në një fotografi ku shfaqej në një karrige me rrota, duke i trembur jo pak fansat, legjenda e boksit,...

Lajmet e Fundit