9.6 C
Prizren
E hënë, 5 Janar, 2026

Monopoli mbi fishekzjarret

Pra, edhe kësaj here u zgjuam vonë dhe morëm vesh që diku 150 qytetarë të Prishtinës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në spital, për shkak të lëndimeve të fituara nga plumbat qorr dhe nga përdorimi i gabuar i fishekzjarrëve.

Nuk ka qenë më mirë as në ambientet/ komunat e tjera të vendit. Dihet. Ka të ri që kanë mbetur pa gishta, të tjetër janë dëmtuar diku tjetër në trup, e të gjithë ata, së bashku me familjet e tyre kanë përjetuar një traumë që do të kujtohet (mbase), për çdo festë të fundvitit.

Të lëmë anash këtu faktin që një javë para 31 dhjetorit dhe disa ditë më pas, kemi qenë të gjithë, në Prishtinë por edhe më qytetet e tjera të Kosovës, të torturuar nga zhurma dhe pëlcitja e fishekzjarrëve. Nuk ka qenë rend i pushimit.

Komunat e Kosovës, në anën tjetër, kinse e kanë kufizuar përdorimin e të gjitha mjeteve eksploduese të këtij lloji vetëm në natën e Vitit të Ri. Sa është respektuar ky vendim i tyre nuk ka çka të diskutohet fare.

Shteti këtu i ka mjetet në duar për ta rregulluar si duhet këtë çështje dhe që tash e tutje, të kemi një fundvit më të organizuar edhe në këtë aspekt që shfaq çorodinë e gjithanshme. Ka fusha ku shteti realisht, përkundër të gjitha mekanizmave që i përdor, nuk mund ta jetësojë atë rezultatin e synuar final. Ta zëmë, në temën e sigurisë në trafik, janë ndërmarrë masa dhe veprime të shumta për ta përmirësuar gjendjen dhe për t’i ulur aksidentet tragjike. Por, realisht, është e pamundur që ato të shmangen plotësisht. Zaten, aksidente në trafik ka edhe në shtetet më të organizuara të Perëndimit.

Megjithatë, kur flasim për fishekzjarrët, është e mundur që të sigurohet një organizim i duhur në importimin dhe përdorimin e tyre, duke evituar një herë e mirë skenat e përvitshme në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë.

Këtu na vjen në ndihmë definicioni i njohur për shtetin i Max Weberit, sociologut namëmadh gjerman. Elementi kyç i shtetit, sipas tij, është monopoli në përdorimin e forcës fizike (dhunës) në një territor të caktuar brenda të cilit funksionon një shtet.

Përkufizimi i shtetit i Max Weberit është definitiv për të gjitha shtetet demokratike.

Në rastin e kundërt, ku shteti nuk ka monopol mbi dhunën, nisë zhbërja e tij. Në njërën apo tjetrën mënyrë. Dikush mund të thotë këtu që është paksa e tepërt të krahasohet monopoli i dhunës në një shtet me atë të përdorimit të fishekzjarreve. Por ato, siç e dimë të gjithë, po shkaktojnë dëme për njerëz dhe madje, ka pasur raste kur edhe janë shënuar viktima.

Po si do të mund të adaptohej definicioni i sociologut gjerman në rastin konkret të furnizimit dhe të përdorimit të fishezjarreve?

Shumë lehtë. Ta zëmë, do të mund të miratohej një kornizë ligjore, e cila do të lejonte vetëm pushtetin qendror dhe atë lokal (të komunave), për të blerë fishekzjarre dhe për të ndezur ato në mesnatën që lidhën 31 dhjetorin dhe 1 janarin.

Ato do të mund të bliheshin edhe prej partive politike, kur ka vit zgjedhor. Edhe prej klubeve sportive. Por jashtë tyre, askush nuk do të kishte të drejtë që të blejë fishekzjarre dhe t’i përdorë ato.

Dogana e Kosovës do të mund të siguronte zbatimin e plotë të këtyre vendimeve që do të mund të miratoheshin gjatë këtij viti. Në këtë mënyrë tash e tutje do të mund të shmangeshin skenat e rënda kur qytetarët e lënduar do t’ia mësyjnë spitaleve për të gjetur ilaç për marrëzinë e përdorimit të këtyre fishekzjarreve.

Në anën tjetër, do të mund të ashpërsohen masat për përdorimin e armëve në natën e fundit të vitit.

Janë këto gjëra që mund të bëhen. Pa dyshim./Klan Kosova

 

Më Shumë

Nis numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në qendrat komunale të numërimit (QKN), ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për...

Sot Dita e Veteranit të UÇK-së

Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin...

Lajmet e Fundit