Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja nuk ka pranuar që të ketë në mbrojtje më shumë se dy avokatë. Gjatë procesit gjyqësor, Muja do të mbrohet vetëm nga avokati Ruzhdi Berisha dhe avokatija Bahrije Besimi.
Nënkryetarja e Odës së Avokatëve të Kosovës, Bahrije Besimi, në seancën e parë shqyrtuese të aktakuzës, ka deklaruar se një numër i avokatëve kanë shprehur dëshirën që vullnetarisht t’i dalin në mbrojtje kryetarit Ramadan Muja. “Unë jam nënkryetare e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe kryetare e avokatëve të regjionit të Prizrenit. Dua të ju them i nderuari gjykatës se është një numër i avokatëve të cilët kanë shprehur dëshirën që ta mbrojnë kryetarin Muja”, kishte deklaruar Besimi.
Ndërkaq, avokatja Besimi, nuk ka pranuar të flasë më rreth kësaj çështje. Ajo deri më tash është e vatmja që i ka dalë në mbrojtje vullnetarisht Mujës. Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i Mujës tha se nuk është në dijeni për vullnetin e avokatëve për t’i dalë në mbrojtje Mujës. “ Unë dhe Bahrija jemi avokatë të Mujës, për gjëra të tjera nuk di. Ligji përcakton numrin e avokatëve”, tha shkurt Berisha.
Burimet e “PrizrenPress-it”, ndërkaq bëjnë të ditur se kryetari Muja nuk ka pranuar që të angazhojë më shumë se dy avokatë mbrojtës. “ Muja ka konsideruar se mjaftojnë dy avokatë,prandaj nuk ka pranuar që të ketë më shumë avokat të angazhuar në proces”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë akuzohen se me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, përkundër një vendimi të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës pa përfillur procedurat ligjore.Të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, janë Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi.
Në pikën e katërt të aktakuzës, thuhet se në periudhën midis datës 20 gusht 2011 dhe 26 janar 2012 në Prizren, Ramadan Muja, Minir Krasniqi, Abdullah Tejeci në së paku shtatë raste të padive civile, kanë marrë pjesë në nxjerrjen e një konkluzioni, me anë të së cilit ekspertët kadastral të punësuar në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, janë ndaluar që të marrin pjesë në seancat gjyqësore.
Të akuzuarit në tri seancat e para gjyqësore kanë mohuar të gjitha akuazat e ngarkuara nga prokuroria e EULEX-it. Ata kënë deklaruar se janë të pafjashëm.Seanca gjyqësore kundër Ramadan Mujës dhe pesë drejtorëve të tij do të vazhdojë me 12 shtator./PrizrenPress.com/