22.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Mustafa: Vetëvendosje duhet të sqarojë shumë çështje para bashkëqeverisjes me LDK-në

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa thotë se është obligim moral, politik e njerëzor që Lëvizja Vetëvendosje të dalë dhe të sqarojë të gjitha sulmet, kërcënimet, dosjet e dërguara në prokurori dhe shumë çështje tjera të bëra ndaj tij.

Megjithatë, në një intervistë për KosovaPress, kreu i LDK-së, thekson se nuk dëshiron ta lidhë fatin e shtetit dhe funksionimit të institucioneve të vendit me rastet individuale, prandaj ka autorizuar përfaqësuesit e LDK-së që të flasin me ata të Vetëvendosjes për të shikuar mundësinë e një bashkëpunimi nëse arrihet të harmonizohen programet për shumë çështje të rëndësishme.

Kryeministri Mustafa kërkon nga PDK-ja dhe partnerët e saj të koalicionit që të procesojnë me kryetarin e Kuvendit dhe t’i hapin rrugë themelimit të qeverisë, e të mos e zvarrisë këtë proces.

“Po tash unë nuk kisha dashur që fati i shtetit ose funksionimi i qeverisjes së vendit të ndërlidhet me rastet individuale, as me rastin tim. Është çështje edhe e obligimit politik dhe obligimet njerëzore dhe morale të Vetëvendosjes që ata t’i sqarojnë këto çështje, sepse në qoftë se sulmohet shtëpia e një kryeministri, në qoftë se sulmohet familja e kryeministrit, në qoftë se një kryeministër shpallët tradhtarë, ose në qoftë se ndaj një kryeministri jepen 70 dosje dhe pastaj gjithë ato në një moment harrohen dhe thua se jo, jo, unë me ty po dua të lidhi koalicionin sepse me ju mund të qeverisi, atëherë këtu diçka nuk është në rregull, ose nuk e kanë pasur mirë atëherë, ose nuk e kanë mirë tani, do të thotë këtu një defekt është në politikat tona”, tha Mustafa.

Mirëpo, Mustafa sqaron se nuk kishte kërkuar asnjëherë nga Vetëvendosje që t’i tërheq dosjet nga prokuroria, porse të dalë dhe të deklarojë se ato i ka bërë vetëm për efekte politike, pasi prokuroria ka dhënë fjalën e saj dhe nuk ka gjetur asgjë në to që e inkriminojnë atë.

“Që të mos keqkuptohet unë asnjëherë nuk kam kërkuar nga VV-ja që t’i tërheq dosjet sepse ato janë dërguar para 4 viteve, dosjet janë trajtuar në prokurori dhe prokuroria ka dhënë vlerësimin e tyre për dosjet, sepse unë po të doja kisha kërkuar më herët, por është çështje e drejtësisë. Mirëpo meqë është dal që ato dosje kanë qenë të pabaza sa më përket mua, bile iu takon që ta dalin dhe të thonë se kemi bërë për efekte politike, që katër vjet e kemi mbajtur kryeministrin peng, ia kemi nxirë fytyrën para komunitetit ndërkombëtarë me dosje të rrejshme dhe akuza të rrejshme sepse nuk është vetëm çështje e imja ajo, është çështje që e bie mbi një kryeministër të vendit që ai kur të ulet me partnerë ndërkombëtarë të mendojnë se ai është një kryeministër që peshon me 70 dosje e sot askush nuk e pranon që ato 70 dosje kanë qenë të pavërteta ndaj meje. Jam kundër asaj që ata i kanë dërguar, sepse kanë menduar se mund ta sqarojnë një proces, por që nuk ka qenë i lidhur me mua”, u shpreh kreu i LDK-së.

Megjithatë, kreu i LDK-së, thotë se ai nuk dëshiron që rasti i tij si kryeministër i sulmeve të bëhen tani shkas i mosfunksionimit të shtetit.

Sipas tij, për të bashkëpunuar me VV-në, ajo duhet të tregojë për orientimin e saj dhe për shumë çështje me rëndësi, si është zhvillimi ekonomik, dialogu, ushtria, liberalizimi që lidhet me demarkacionin dhe çështje tjera.

“Në qoftë se LDK-ja, jo Isa Mustafa, gjen arsye politike që të qeverisë me VV-në do të bashkëqeveriset, mirëpo duhet të shihet cilat janë orientimet e VV-së sa i përket zhvillimit ekonomik, çfarë ne mund të bëjmë dhe programet qeverisëse, çfarë zgjidhje ofron VV për problemet e mëdha, atyre kyçe që kemi, liberalizimin e vizave që ndërlidhet me demarkacionin, dialogun me Serbinë që nuk mund të kalojë sepse është kusht edhe i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, themelimi i ushtrisë së Kosovës që ka mbet një prej proceseve dhe marrëveshjeve që ne kemi nënshkruar si shtet me Serbinë në Bruksel dhe çfarë do të jetë fati i tyre. Do të thotë janë shumë çështje që duhet të sqarohen për këtë arsye edhe jam pajtuar që njerëzit tanë të zhvillojnë dialog dhe të shihet se deri ku mund të ofrohen. Çështje tjera mbetet të shihen të cilat herdo-kurdo do të sqarohet”, theksoi ai.

Më Shumë

Osmani: Plagët e mizorive sikurse kjo në Korishë, na sjellin në vëmendje çmimin e lartë të lirisë

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Korishës. Osmani ka thënë se mizoritë e kësaj Masakre na sjellin në vëmendje çmimin e...

Ylli e barazon serinë finale ndaj Trepçës

Golden Eagle Ylli e ka barazuar serinë ndaj Trepçës, duke fituar me rezultat shumë të ngushtë në Suharekë. Ylli triumfoi me një pikë diferencë 80:79...

Lajmet e Fundit