Takimet me banorët e Komunës së Prizrenit, kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë mbrëmjes i ka vijuar në Lubizhdë të Hasit.
Bashkë me Haskukën, në këtë takim ishin edhe deputetët e Parlamnetit të Kosovës, Rexhep Selimi, Arbër Rexha, Drita Millaku, si dhe kandidati për asamble komunale, Halim Muqaj.
“Jemi subjekti i parë në Parlamentin e Kosovës, VV në Prizren ka më së shumti deputetë nga Komuna e Prizrenit , e më 22 tetor do të jemi edhe subjekti i parë edhe këtu. E them me plot gojën se Komuna me qeverisjen tonë në katër vitet e ardhshme, do të jetë më transparentja deri më tash, sepse ne japim llogari para jush” tha Haskuka.
“Jemi subjekt politik, ku qytetarët më shpesh i takojmë pas zgjedhjes, se sa në kuadër të fushatave të zgjedhjeve, kjo po ndodh në Prishtine me Shpend Ahmetin dhe këtë do ta bëjmë edhe këtu, për të vetmin qëllim, për t’i vendosur bashkarisht prioritet tona”.
“43 zotimet tona i kemi bërë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se ku jetojnë ata. Pengesë e Komunës së Prizrenit ka qenë mungesa e zhvillimit ekonomik dhe papunësia, por ne nëpërmjet programit tonë qeverisës do të krijojmë kushte të favorshme për biznese që të kemi rritje ekonomike dhe vende të reja pune. Aktualisht, kështu si është gjendja tani, nuk mund të krijohen vende pune”.
“As kur ka qenë fjala për të marrë vendime të rëndësishme, Komuna nuk ka qenë transparente, vendimet i kanë marrë dy – tre veta. Kjo praktikë do të ndryshojë me Lëvizjen Vetëvendosje, vendimet do të merren bashkarisht me qytetarët. Një projekt të tillë të dështuar e keni edhe në vendin tuaj, pos prerjes së shirtit, aty nuk është bërë asgjë. Si ky projekt janë bërë edhe shumë të tilla, pa planifikim, pa analizë të mirëfilltë. Kështu janë bërë edhe shpimet për kërkimin e ujit. Një nga 43 zotimet tona është edhe kjo, ku të gjitha fshatrat dhe të gjitha lagjet e qytetit do të kenë ujë. Po të kishte vetëm pak ndërgje, gjendja nuk do të ishte kështu”.
“Hasjanët në diasporë do të kenë mundësi të investojnë në Komunën e Prizrenit, nëpërmjet programit për zhvillim, i cili në vetvete përmban këshillë për investimet e diasporës, për zhvillimin e biznesplaneve, për aplikimin në grante ndërkombëtare, bashkëfinancim deri 10% për grante ndërkombëtare dhe subvencionimi i pjesëmarrjes së bizneseve në panaire ndërkombëtare. Sa i përket subvencionimit, do të kemi kritere të qarta dhe mjetet e ndara nuk do të shkojnë më tek matrapazët e sotëm. Për këtë ju siguroj që tani.”