Bashkëluftëtari i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, Nait Hasani ka treguar në “RTK Prime” se takimin e parë me komandantin e kishte bërë në vitin 1994 në Kullën e Jasharajve, atë e kishte njohur përmes Rexhep Selimit dhe Sylejman Selimit, me të cilët kishte shkuar në takim me Adem Jasharin.
Ai ka thënë se në këtë takim kishin shkuar si UÇK, pasi paraprakisht organizata Lëvizja Popullore e Kosovës kishte vendosur për krijimin e njësive të armatosura.
“5, 6 dhe 7 marsi shënojnë daljen publike dhe qëndresën heroike të Jasharajve dhe të UÇK-së, si një ushtri që i del përballë për herë të parë policisë, ushtrisë dhe shtetit serb për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Njohja me Ademin dhe takimet me të janë pjesë e punës sonë të përbashkët në organizimin e UÇK-së para kësaj date, kur ata bëhen themeltarë të gjakut për liri e që bien në altarin e lirisë në shtëpinë e rrethuar nga policia dhe ushtria serbe”, tha Hasani në “RTK Prime”.
Ai ka thënë se kur kanë shkuar në Kullën e Jasharajve fillimisht ka qenë vetëm Shaban Jashari, e më pas kanë ardhur edhe Adem, Hamëz e Sahit Jashari. Sipas Hasanit, Adem Jashari nuk e kishte njohur atë me emër, derisa për shkak të rrethanave dhe veprimeve ai kishte shkuar aty i maskuar, me mustaqe e me syze. Megjithatë, sipas tij ata kanë shkuar të organizuar dhe pritja nga Adem Jashari ka qenë në formë të organizuar.
“Jemi prezantuar se ne jemi prej UÇK-së dhe jemi të interesuar të bashkëpunojmë dhe t’i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Kemi biseduar me Ademin në odë si të fillojmë aksionet e përbashkëta në organizimin e UÇK-së në luftën për liri. Ai ishte një figurë që e përmbledh të gjithë pjesën e njerëzve të rezistencës dhe të familjes Jashari. Diskutimet me Ademin, Hamzën, Sahitin e Shabanin tregonin gatishmërinë e tyre dhe përgatitjen profesionale dhe shpirtërore të luftës sonë për liri. Kur e shihje Ademin me mjekrën, me mustaqet dhe me gjoksin e tij dëshmohej se kemi të bëjmë me një njeri të gatshëm për të luftuar për lirinë e vendin. Aty kemi qëndruar atë natë, kemi biseduar për organizimin e UÇK-së dhe njësiteve guerile që i kishim në atë kohë për shtrirjen e tyre në tërë territorin e Kosovës. Ne kemi shkuar aty sepse themelimi i UÇK-së ishte një etapë kohore e gjatë e organizimeve të grupeve dhe përmbyllja e të gjitha atyre grupeve në njësi dhe në një organizim të vetëm ishte një etapë kohore”, shtoi ai.
Sipas Hasanit dalja e UÇK-së dhe marrja e përgjegjësisë së aksioneve tregoi konsolidimin e kësaj force të armatosur.
“Ne kemi pasur organizim, ne nuk kemi qenë komitë, por ne kemi qenë njësi të themeluara nga një organizatë. Lëvizja Popullore e Kosovës ka nxjerrë vendime, ka mbajtur kongrese, konferenca e Prishtinës, e mbajtur më 26 korrik të 1993 në Vranjevc (Kodrën e Trimave, v.j.), ka nxjerrë vendime për krahun e armatosur të LPK-së dhe nga këto vendime janë krijuar edhe njësitet dhe ka ardhur deri te themelimi i UÇK-së”, nënvizoi Hasani.
Ai tutje ka thënë se të gjithë ata kanë qenë anëtarë të LPK-së, e madje edhe Adem Jashari. “Kur them ka qenë, ka qenë. Unë po e them”, tha ai.
“Shumë para nesh kur kanë shkuar dhe kanë kërkuar të qëndrojmë e të durojmë përkundër maltretimeve dhe dhunës që po bëhej nga Serbia. Unë kam me shkuar me qëllimin se nuk duhet të durojmë më. Kishte kaluar koha e durimit. Ne e kishim provuar durimin, që ishte një fazë kalimtare mjaft e frytshme, por jo një fazë e përhershme. Dhe durimi kishte kuptimin në vitet 1991-92, aty këtu 1993, por durimi i mëtutjeshëm ishte sakrificë brenda vetës, ishte migrim, sepse u humb shpresa. Ishte lufta në Kroaci e Bosnje, televizionet i prezantonin ato tmerre, krime e gjenocide. Në anën tjetër forcat politike të asaj kohe tregonin me gisht se çfarë po bëjnë atje e çfarë mund ta bëjnë këtu. Ky ishte ai tmerri që iu fut njerëzve tanë. Njerëzit tanë kërkonin shpresë. Shpresa ishte ose të iknin jashtë të migronin, ose ta kapnin armët. Na erdhëm në momentin e duhur, me vendimet e organizatës së LPK-së. Në kapitullin e tretë ku thotë LPK është organizatë e cila çlirimin e Kosovës e kërkon me mjete demokratike, nëse nuk ka efekt me mjete demokratike ne jemi të gatshëm ta realizojmë qëllimin final me luftë të armatosur”, shtoi Hasani.
Ai tutje ka thënë Ademi ka qenë i njoftuar me këto qëndrime. Sipas Hasanit, Adem Jashari ishte dërrmuar dhe kishte filluar t’i humbë vullneti i qëndresës prej pritjeve dhe durimit.