Ndahen çmimet “Kult” për vitin 2013

Cmimet KultAkademia Kult në Tiranë ka organizuar ndarjen e çmimeve për personalitete më të shquara të kulturës për vitin 2013 në 11 kategori të ndryshme.

Mbrëmë në Tiranë u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimeve “Kult”, ngjarje kjo e organizuar nga Akademia Kult më qëllim të shpërblimit të më të mirëve të vitit në fushën e kulturës.

Edicioni i nëntë i këtij aktiviteti, mblodhi në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit artistë të vjetër dhe të rinj, në një natë Gala të mbushur me emocion dhe falënderime.

Ky edicion solli fituesit në kategori të ndryshme kulturore si në artin skenik atë muzikor, artin pamor, për librin artistik, përkthimin më të mirë, etj, transmeton Kultplus.

Çmimin e aktorës më të mirë të vitit e mori Marsela Lena për rolin e saj Afroviti në shfaqjen “Karnavalet e Korçës” të regjisores Elma Dorezi.

Fitues i çmimit aktor i vitit u shpall Robert Ndrenika për rolin e Doktor Shusterit në shfaqjen me të njejtin emër “Doktor Shuster”.

Çmimi për regjinë më të mirë i takoi regjisorit Spiro Dunit, për inskenimin e shfaqjes “Doktor Shuster” të autorit serb Dushan Kovaçeviç.

Përkthyesi i vitit u shpall Rudi Erebara për përkthimin e romanit “Më e mira e botëve” të autorit Aldous Huxley ndërsa Elina Duni mori çmimin kryesor për albumin muzikor “Matanë Malit”.

Në këtë edicion u ndanë edhe çmimet për interpretuesin lirik të vitit, instrumentistin më të dalluar, artistin pamor dhe librin artistik të vitit.

Ndryshe nga edicionet e tjera, Kult Awards sivjet ndau dy çmime speciale, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Bëhet fjalë për Botimin e Pavarësisë të cilin e fitoi arbëreshi Matteo Mandala për librin “Lekë Matranga, njeriu, koha, vepra”. Këtë çmim e ndanë studiuesja nga Kosova, Shefkije Islamaj dhe Jorgo Bulo nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Ndërsa çmimi për Dokumentarin mbi Pavarësinë iu nda Petrit Rukës për dokumentarin “Kryekënga e Kombit – 100 Vjet me Himnin e Flamurit”, çmim këtë që e pranoi nga Kim Mehmeti, nga Maqedonia dhe Francesko Altimari arbëresh i Italisë.

Drejtori Ekzekutiv i Akademisë “Kult”, Ylli Sula ka vlerësuar se edicioni i nëntë i Çmimeve Kult 2013 është vazhdimësia e sistemit të vlerave që mbështet dhe stimulon krijuesit shqiptarë, duke i vlerësuar për punimet më cilësore përgjatë një viti. Shndërruar në një traditë, gjithmonë duke promovuar art, ky organizim e mbështet gjithë punën e tij në besimin se, vetëm në këtë mënyrë mund të marrë formë qartësisht mozaiku i referencave dhe vlerave, ka theksuar Sula.

Më Shumë

Haxhiu bën homazhe për Ukshin Hotin në ditëlindjen e tij

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot në ditëlindjen e profesor Ukshin Hotit, ka bërë homazhe në Shtëpinë Muze...

Vedat Muriqi mbërrin në Stamboll, pritet nga tifozët e Fenerbahçes

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, para pak çastesh ka mbërritur në Stamboll, pasi ka kompletuar rikthimin e tij në ekipin Fenerbahçe. Gjatë ditës,...

Lajmet e Fundit