Në të gjitha shkollat e mesme në vend, nesër do të hapet konkursi për pranimin e nxënësve të rinj, kur edhe do të bëhen publike rezultatet e testit të arritshmërisë për nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë. Ndërkohë, në Komunën e Prishtinës, janë gjimnazet ato që kanë kërkesa të shumta nga nxënësit. Për këtë qëllim udhëheqësit e arsimit të kësaj komune i kanë dhënë rëndësi përfshirjes së nxënësve në shkollat profesionale.
Komuna e Prishtinës ka bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2013/2014. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi, tha për Radio Kosovën, se në shkollat e kryeqytetit ka vend për të gjithë nxënësit,trasmeton rtk.
“Duke e marrë parasysh se në testin e arritshmërisë në komunën tonë janë 3 mijë e 500 nxënës dhe këtë numër e kam krahasuar me numrin e nxënësve që do të regjistrohen në shkolla të mesme. Pra, do të këtë vend për secilin nxënës që e kryen klasën e nëntë në shkollat e mesme të Prishtinës”, theksoi ai.
Halimi theksoi se këtë vit do t’i kushtohet rëndësi e veçantë përfshirjes së nxënësve në shkollat profesionale. Atë e çuditë fakti që nxënësit vrapojnë të regjistrohen në gjimnaze e jo në shkolla profesionale, ku pastaj mund të gjejnë punë më lehtë pas përfundimit të shkollimit.
“Ne e kemi një dukuri që zakonisht nxënësit orientohen në gjimnazin “Sami Frashëri”. Këtë vit nuk do ta rrisim numrin e nxënësve nëpër klasa, në mënyrë që nxënësit të orientohen në shkolla profesionale ose shkollën e mesme bujqësore, të cilën tani e kemi emërtuar si Shkolla e Mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë. Kështu që, vetë emri do të jetë më joshës për nxënësit. Në këtë drejtim edhe lëndët kanë ndryshuar. Nëse nga kjo shkollë nxënësit do të dalin mirë profesionalisht, atëherë do të gjejnë punë në bujqësi”, tha Halimi.
Drejtori i drejtorisë së arsimit në Komunën e Prishtinës, Halimi, tha se orientimi i nxënësve nëpër shkolla do të bëhet në bazë të pikëve që ata arrijnë në testin e arritshmërisë, duke theksuar se çdo nxënës që ka kryer klasën e nëntë do të përfshihet në arsimin e mesëm.