16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Nesër nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut

Salma-film“Salma”, filmi i njohur i regjisorit Kim Longinoto, fitues i “Sundance Film Festival”, do të hapë siparin e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili do të mbahet nga datat 23-29 shtator në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, në Tiranë. Filmi do të prezantohet nga vetë protagonistja e ardhur nga India, aktivistja legjendare, politikania dhe poetesha tashmë e njohur në të gjithë botën me emrin “Salma”, shkruan Gazeta-Shqip. Nga rreth 350 filma të ardhur nga mbarë bota, publikut shqiptar do t’i paraqiten 43 filma të metrazhit të plotë, dokumentarë e filma me metrazh të shkurtër. Rreth 18 autorë të ardhur nga vende të ndryshme do të prezantojnë veprat e tyre dhe do të zhvillojnë debate me spektatorët rreth tematikave që filmat e tyre trajtojnë.

“Temë qendrore e këtij edicioni është dhuna në familje, por njëherësh gjatë ditëve të festivalit spektatorë do të shohin filma me tematika të mprehta shoqërore si krimi i organizuar, korrupsioni, kapja e shtetit, skllavëri moderne, si një formë e re shfrytëzimi, revolucionet virtuale dhe pushtetit mediatik, çmemorizimi kulturor dhe efemerizmi i përditësuar, bombardimi i butë i trurit dhe mbajtja e tij nën kontroll, etj.”, tha drejtori i Festivalit, regjisori Kujtim Çashku.

Për ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson, “tema e këtij viti, dhuna në familje, është shumë e gjetur” .Detlef Palm, përfaqësuesi i UNICEF-kryetar i bordit të IHRFFA është optimist duke thënë se “unë jam i sigurt se filmat do të ofrojnë më shumë njohuri në fushën e të drejtave të njeriut, mbi mënyrën se si vendet dhe kulturat e tjera merren me këtë çështje dhe se vetë ky festivali i rëndësishëm – dhe të gjithë ne – do të kontribuojmë për të bërë një ndryshim edhe në Shqipëri”.

President nderi i IHRFFA-s, prof. Theodor Orlin i Utica College, Nju Jork, SHBA, shprehet “le t’i konsiderojmë tematikat e këtij festivali si mënyra që ne mund të kërkojmë politika, praktika e modalitete në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në mënyrë që brezat e ardhshëm mund të gëzojnë jetën në respektim më të thellë të të drejtave universale të njeriut”.

Festivali është mbështetur çdo vit nga Delegacioni i Komisionit Europian, OSCE, UNICEF, UNDP, Instituti i Mediave, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Koperacioni Austriak, Këshilli Britanik, Fondacioni “Fridrik Ebert”, Instituti Italian i Kulturës, ambasadat e vendeve perëndimore si Franca, Gjermania, Holanda, Izraeli, Suedia, Zvicra etj., dhe këtë vit ka si partnerë kryesorë fondacionin suedez KVNNA TIL KVINNA. IHRFFA është një platformë politike e kulturore që konsiston në përcjelljen e mesazhit për të drejtat e njeriut nëpërmjet imazhit dhe që kontribuon në procesin e integrimit europian të Shqipërisë në përputhje me standardet e kërkuar nga Europa, pjesë e së cilës ne jemi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit