11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Një rast i humbur për të ndenjur shtrembër e folur drejt për Thaçin me shokë

 

Në marrëdhëniet ndërkombëtare qeveria ka nëpër këmbë pengesa  të pragmatizmit dhe konjukturës. Opozita më pak, ose hiq. Opozita është fjala që nuk e thotë dot qeveria për disa çështje të caktuara.  Janë këto “ndarje” rolesh që e bëjnë pluralizmin pjellor, të dobishëm. Kur interpretohet me zgjuarsi, me mendje të hapur

Shkruan: Preç Zogaj

Paraqitja sot e një projektrezolute nga grupi i PS-së në lidhje me pretendimet e famëkeqit Dick Martin kundër  UÇK-së rreth dhjetë vite më parë shërbeu për të rrotulluar në skenën e debatit çështje të tjera të  historisë së re.  Ku spikati mbajtja  në burg në  Hagë,  tashmë prej dy vjetësh, pa një akuzë të qartë  dhe kuptohet, pa një vendim  fajësie, të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit.

Hetimet ndërkombëtare në Kosovë  dhe në  territorin  e Republikës së Shqipërisë  nuk kanë gjetur asnjë provë që të mbështesë pretendimet e Dick Martin  për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore nga njerëz  të UÇK-së. Koha i ka bërë  pluhur e hi si fiksime paranojake apo  si shpifje të porositura  nga armiqtë e Kosovës  dhe Shqipërisë në një moment të ri  kur falë  rolit të SHBA-së dhe vendeve mike të Europës historia  ishte kthyer më në fund në anën  e kombit shqiptar.

Por “jehona“ e këtyre pretendimeve  ka mbetur  si rudiment në rezolutën e Këshillit të Europës së asaj kohe dhe ka shërbyer në fakt  për të  krijuar frymën e nismave juridike speciale në Kosovë dhe për Kosovën, siç është Gjykata Speciale.

Projekrrezoluta e grupit të PS-së kërkon që pretendimet tashmë të paarguemtuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova  e fakte të raportit të Dick Martin të konsiderohen të tilla nga gjithë institucionet ndërkombëtare. Në kuadrin e nismave parlamentare  të Kuvendit të Shqipërisë, që kanë lidhje me ngjarjet në Kosovë, kjo e sotmja ka specifikën që kërkon  të heqë gjurmët e njollës që kanë lënë shpifjet  në dokumentet  ndërkombëtare dhe  të riktheje edhe në këtë rrafsh nderin e Kosovës dhe Shqipërisë. Rrjedhimisht, të hapë një shteg për të goditur në themel pasojat që  këto sajime e shpifje kanë prodhuar në shtetndërtimin e Kosovës dhe në  kalvarin e ish presidentit Thaçi dhe të tjerëve të burgosur me të.

Nisma i ka gjithë elementët që i sugjerojnë opozitës se qendrës së djathtë të shkojë përtej qeverisë. Pra ta sfumojë qeverinë, duke e tejkaluar, duke qenë para saj, më kërkuese, pse jo më “ekstremiste” në kuptimin e mirë të fjalës.

Sot, pas dy vjetësh, është bërë gjithnjë e më e qartë se Thaçi dhe ish drejtuesit e tjerë të UÇK-së mbahen peng në Hagë me një proces akuzator të zgjatur jashtë çdo logjike njerëzore dhe juridike, jashtë çdo krahasimi me kohën  që ka marrë hetimi dhe gjykimi i kasapëve të ish Jugosllavisë të cilëve u është provuar botërisht lyerja e duarve me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Ngulmimi  e prokurorisë speciale  për t’i trajtuar si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, pa sjellë asnjë provë për një akuzë të tillë, madje duke fshehur në mënyrën më  të paturpshme provat e kundërta,  siç janë raportet e CIA-s apo të ambasadorëve të OSBE-së në Kosovë,  synon vetvetiu të damkosë gjithë Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës.

Me gjithë sa kemi mësuar e lexuar gjatë këtyre dy viteve, e themi me plot gojën se ajo që po ndodh  me ish drejtuesit e lartë të UÇK-se dhe shtetit të ri të Kosovës në Hagë,  në sytë  e gjithë botës, është një dhunim i  pashembullt në kohërat moderne  i normave të drejtësisë ndërkombëtare, një abuzim kolosal me vullnetin e liderve politikë dhe deputetëve të Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale në vendin e tyre, për veten e tyre.

Ngritja e kësaj gjykate ka patur mbështetje edhe në Shqipëri për faktin se  do të ishte pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Do të ishte gjykatë e  Republikës së Kosovës me mbështetje  dhe asistencë ndërkombëtare.

Çfarë ka ndodhur? Sot ajo nuk është as gjykata Speciale e Kosovës, as ndërkombëtarja e  Hagës që njohim, që ka dënuar Millosheviçin e Mlladiçin me shokë. Ajo ngjan të jetë diçka  si private pa lidhje me prerogativat e krijimit dhe  sistemin ndërkombëtar. Ajo praktikisht nuk u bë kurrë siç u projektua,  por edhe nësë qe  bërë një ditë, ka pushuar së qeni e tillë. Ndaj ose duhet të kthehet në binarët e ligjit si gjykatë e Kosovës, ose të pushojë së ekzistuari.

Populli ka një shprehje të mrekullueshme: të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Filozofia e saj e vendos traditën e kuvendimit të të parëve tanë në lartësinë e mençurise dhe etikës që Borhesi u lavdëron japonezëve. Të cilët, thotë ai, gjejnë kënaqësi tek e drejta e tjetrit. Nuk them që opozita jonë të shkojë deri këtu, por ajo  humbi rastin  të rrinte shtrembër  dhe të fliste drejt  për Hashim Thaçin dhe shokët e tij në seancën e djeshme.  Duke treguar se deputetët e saj, në tërësi, jo vetëm  berishistët e  shpallur, por edhe ata që nuk i janë  bashkuar Rithemelimit, vazhdojnë të ndikohen  e frenohen në qëndrimet e tyre nga “stigmat” e Sali Berishës për  kundërshtarët e tij. Vetë Berisha, që është deputet, që ka legjitimuar pa një vendim gjykate të formës së prerë uzurpimin e Partisë Demokratike, që zhvillon aktivitet politik intensiv në kushtet me të mira, që e kundërshton shpalljen non grata nga SHBA me argumentin e  vetëm që ngjit akoma të ndjekësit e tij, “të më japim një provë të vetme”-,  edhe pse e di se Departamenti i Shtetit  nuk është Prokurori, nuk i hedh  provat  në Senë apo në Lanë pa ia kërkuar ndonjë institucion i drejtësisë,  por do ti jepte  në  SPAK nëse SPAK i kërkon  zyrtarisht, nuk u kujtua  të  ngrinte zërin për  Hashim Thaçin dhe shokët e tij që mbahen  në burg  pa prova prej dy vjetësh.  Jo se fjala e Sali Berishës do të kishte jehonë në ndonjë kryeqytet politik të perëndimit. Por për të nderuar të  drejtën e  të vërteten, edhe kur e drejta dhe  e vërteta  janë në anën e kundërshtarit.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare qeveria ka nëpër këmbë pengesa  të pragmatizmit dhe konjukturës. Opozita më pak, ose hiq. Opozita është fjala që nuk e thotë dot qeveria për disa çështje të caktuara.  Janë këto “ndarje” rolesh që e bëjnë pluralizmin pjellor, të dobishëm. Kur interpretohet me zgjuarsi, me mendje të hapur.

Më Shumë

Vdes në QKUK personi që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

Ka vdekur në QKUK personi i cili u aksidentua gjashtë ditë më herët në Prizren. Policia ka bërë të ditur se viktima ishte duke u...

52 vite më parë Bekim Fehmiu vizitoi për herë të parë Shqipërinë

Më 21 prill 1972 aktori kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936...

Lajmet e Fundit