10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Një vit burgim me kusht për ish-inspektorin e ndërtimit në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me një vit burgim me kusht ish-inspektorin e ndërtimit, Nexhmedin Musliu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Musliu akuzohej se nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Musliu, u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi.

Gjykatësja Elezi, të akuzuarin Musliu e ka dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda afatit të verifikimit prej dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, sipas aktgjykimit i akuzuari është obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 100 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohej se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

Mourinho mund të jetë zëvendësues i Kloppit në Liverpool

Të zëvendësosh Jurgen Kloppin nuk është aspak e lehtë, trashëgimia që tekniku gjerman ka lënë në Liverpool është shumë e madhe, por tifozët e...

Lajmet e Fundit