ZëvendësKryeministrja Edita Tahiri thotë se ende nuk ka rezultate nga negociatat që ka zhvilluar Bashkimi Europian me përfaqësuesit e Veriut, gjatë ditës së sotme në Bruksel, për konstituimin e katër Komunave.
Në një prononcim për lajmi.net, në orët e mbrëmjes, Tahiri është shprehur se ka pak gjasa që të arrihet ndonjë ujdi mes palëve rreth mënyrës së konstituimit të katër Komunave në Veri të Kosovës.
Sipas saj, nëse nuk ndodh një gjë e tillë në afatet e përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, atëherë Qeveria e Kosovës do të shpallë zgjedhje të parakohshme.
“Situata nuk ka ndryshuar. Gjatë ditës së sotme takimet kanë vazhduar vetëm midis Bashkimit Europian dhe Përfaqësuesve të Komunave dhe nuk ka pasur rezultate”.
“Deri më tani kemi marrë njoftime nga Bashkimi Europian se nuk ka pasur rezultate”.
“Në qoftë se nuk ndodh – dhe gjasat janë reale se nuk do të ndodhë – meqenëse nuk ka pasur dakordim mes BE`së dhe këtyre përfaqësuesve, atëherë ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi të obliguar të veprojmë sipas ligjeve të cilat vlejnë për situata të tilla”.
“Në këto momente, BE nuk është duke zhvilluar takime. Më vonë nuk e di se çfarë mund të ndodhë”.
“Edhe në këto dy ditë në Bruksel Bashkimi Europian ka negociuar drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Komunave në Veri”.
Ndërsa Emir Azemi, Këshilltar Komunal i PDK`së për Veriun e Mitrovicës, njofton për lajmi.net e nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth mundësisë të mbajtjes së ceremonisë inauguruese deri në fund të ditës së sotme.
“Është vonë tani. Deri më tani kemi pritur një përgjigje dhe nuk e kemi marrë përgjigjen zyrtare. Tani jemi shpërndarë nëpër shtëpitë tona. Sonte nuk besoj se mund të ndodhë ndonjë gjë”, ka thënë Azemi.