Analistët politikë konsiderojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë menjëherë pas formimit të institucioneve të reja dhe që marrëveshjet e arritura të zbatohen.
Analisti Halil Matoshi konsideron se dialogu do të vazhdojë sipas agjendës së Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
“Dialogu do të vazhdojë, pa marrë parasysh se kush do ta ndërtojë qeverinë e re. Madje, liderët e koalicionit opozitar janë deklaruar se do ta vazhdojnë dialogun. Mirëpo, në këtë situatë ndërhyrja e Vetëvendosjes e ka ashpërsuar në një masë retorikën politike”, thotë Matoshi.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga partitë politike opozitare (në rast të formimit të qeverisë nga ana e tyre), që të riformatizojnë dialogun që, siç kanë thënë ata, në radhe të parë të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe që ky dialog të mos zgjas në pafundësi.
Matoshi konsideron se janë edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar që çështja e dialogut të kuptohet si çështje e pezulluar.
“Në këtë çështje, kanë ndikuar serbët e veriut të Kosovës, po ashtu edhe partitë politike kosovare, posaçërisht Vetëvendosje. Ka ndikuar në zvarritjen e marrëveshjeve po ashtu edhe konstituimi i i komunave të reja në veriun e Kosovës. Por, edhe kjo performancë cinike mbi urën e lumit Ibër ka bërë që dialogu i mëtutjeshëm të shihet me dyshim”, deklaron Matoshi.
Edhe analisti Imer Mushkolaj mendon se vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beogradi është i domosdoshëm. Ai thotë se pas formimit të institucioneve të reja, Qeveria e ardhshme duhet të shkojë tutje me dialogun politik, jo vetën në kuptimin formal, por të arrihen qëllimet e dialogut.
“Brukseli nuk do të lejojë që një gjë e tillë të dështojë. Por, prapë po them se varet shumë nga institucionet e reja, varet shumë nga koha kur këto institucione do të formohen që të vazhdohet dialogu, respektivisht të shihen mbase modalitetet e reja se si ky dialog të vazhdohet. Para se të vazhdohet, normalisht, i rëndësishëm është zbatimi i të gjitha atyre marrëveshjeve që janë arritur më herët”, vlerëson Mushkolaj.
Ndryshe, në këtë javë që po e lëmë pas, zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit, ka pasur takime bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Siç është bërë e ditur nga kabineti i saj, në agjendën e këtyre takimeve ka qenë analizimi i zbatimin të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.
Tahiri në takimin që ka pasur me drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, Fernando Gentilini, në mënyrë të veçantë thuhet se ka ngritur çështjen e barrikadave të reja në urën e lumit Ibër dhe ka kërkuar angazhime të shtuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e tyre dhe mundësimin e lëvizjes së lirë sa më shpejtë, ashtu siç është premtuar. /REL/