13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Numri i vetëvrasjeve në rritje – ekspertët e shëndetit mendor thonë se pandemia dhe izolimi janë ndër shkaktarët kryesorë

182 është numri i personave që i kanë dhënë fund jetës së tyre gjatë pesë viteve të fundit në Kosovë – ndërsa 604 të tjerë kanë tentuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Në këto statistika të cilat Policia e Kosovës i ka dërguar në adresë të Telegrafit, nuk janë përfshirë tre muajt e parë të vitit 2022.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin pandemik (2020) është regjistruar numri më i lartë i vetëvrasjeve – gjithsejtë 40, nëntë më shumë se në vitin 2019.

Rritja e numrit të vetëvrasjeve dhe tentim vetëvrasjeve nga viti në vit është shqetësuese sipas profesionistes së shëndetit mendor, Antigona Qenaj-Sejdiu, pasi sipas saj, përveç jetëve të humbura, tregon edhe për rritjen e problemeve të shëndetit mendor dhe rritjen e faktorëve social ekonomik që çojnë deri tek ky akt.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo përmendi pandeminë dhe izolimin si faktor që kanë ndikuar në rritjen e numrit të personave të prekur nga ankthi dhe depresioni dhe rrjedhimisht edhe atë të vetëvrasjeve.

“Pandemia ka bërë që njerëzit të ballafaqohen me shumë ngjarje traumatike, sëmundje, vdekje të familjarëve, izolim dhe vetmi, humbje e punës dhe krizë ekonomike etj, faktorë këta që ndikojnë në rritjen e numrit të vetëvrasjeve”, tha ajo.

Megjithatë, sipas psikologes, ka edhe faktorë të tjerë që mund të çojnë një person deri tek vetëvrasja. Këtu ajo përmendi problemet me shëndetin mendor, stresin postraumatik, përdorimin e substancave narkotike dhe alkoolit, humbjen e shpresës, dhimbjet kronike dhe sëmundjet, ndjenjën e barrës për të tjerët, izolimin social, vetëvrasjet aksidentale, etj.

E pyetur se si mund të dallohen personat me mendime vetëvrasëse, ajo tha se shpeshherë është e vështirë të bëhet një gjë e tillë, por se “ajo që mund të shohim janë simptomat si depresioni dhe problemet jetësore me të cilat ata ballafaqohen”.

“Këto më mirë mund t’i vërejnë personat e afërt, por ka persona që kanë mendime vetëvrasëse por kurrë nuk ndërmarrin veprime të tilla dhe është shumë e vështirë të dallohet kur një person ka vendosur të kryejë një akt të tillë. Megjithatë ekzistojnë disa sinjale të cilat mund të na ndihmojnë. Familja dhe miqtë mund të vërejnë nëpërmjet të folurit ose sjelljes së një personi se ata mund të jenë në rrezik të përjetimit të ideve për vetëvrasje”.

Qenaj-Sejdiu dha edhe disa këshilla se si mund të ndihmohen personat me mendime vetëvrasëse.

“Ata mund të ndihmojnë duke folur me personin dhe duke kërkuar mbështetjen e duhur. Pyetini nëse po mendojnë për vetëvrasje. Studimet tregojnë se pyetja nuk rrit rrezikun. Mbani ata të sigurt duke qëndruar përreth dhe duke hequr çdo mjet për të kryer vetëvrasje, si thikat, apo mjete tjera, aty ku është e mundur. Dëgjoni ata dhe jini aty për ta. Nxitini ata të telefonojnë një linjë ndihme profesionale ose të kontaktojnë dikë të cilit mund t’i drejtohen për mbështetje, si p.sh. një mik, anëtar i familjes ose udhëheqës shpirtëror”.

E për të ulur numrin e vetëvrasjeve ajo tha se qeveria dhe institucionet shëndetësore duhet të përmirësojnë kushtet elementare të jetesës, funksionimin e ligjit, funksionimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor, kështu duke rritur ndjenjën e shpresës, lumturisë dhe kujdesit institucional tek qytetarët. “Kjo do të ndikonte në një stabilitet psikologjik dhe stabilitet në të gjitha aspektet jetësore të personit dhe me këtë rast numri i vetëvrasjeve do të zvogëlohej si rezultat i zvogëlimit të faktorëve që çojnë deri tek vetëvrasjet”.

Në mënyrë krejtësisht vullnetare, një grup prej 65 personash janë angazhuar në një projekt të titulluar “Linja e Jetës”.

Për t’i parandaluar vetëvrasjet, në linjë, vullnetarë të trajnuar nga ekspertë internacionalë i përgjigjen telefonatave të personave të cilët kanë mendime për të kryer një akt të tillë.

Drejtori i kësaj qendre telefonike, Bind Skeja, në një prononcim për Telegrafin tha se çdo thirrje është plotësisht anonime dhe trajtohet pa gjykime nga ana e vullnetarëve.

Ai theksoi se për shkak të ruajtjes së privatësisë, nuk mbledhin të dhëna të thirrësve dhe rrjedhimisht nuk publikojnë statistika rreth tyre.

Skeja bëri të ditur se “Linja e Jetës” punon çdo ditë, duke përfshirë ditët e pushimit, nga ora 10:00 deri në 02:00.

“Mund të na telefononi në 0800 12345 – pa pagesë, me anonimitet të plotë dhe me konfidencialitet”, tha ai, duke shtuar se deri tani kanë pasur kapacitete të mjaftueshme për të iu përgjigjur telefonave, por se vazhdimisht punojnë në zgjerimin e ekipit të vullnetarëve.

I pyetur se sa telefonata pranojnë brenda një dite, Skeja tha se “ka raste kur nuk kemi thirrje brenda një dite, por ka raste kur vinë një pas një”.

Sa i përket shifrave të vetëvrasjeve, sipas tij, janë të pritshme “duke konsideruar situatën post-pandemike”.

Por, shqetësuese tha se është fakti që “institucionet qëndrojnë në gjumë dhe mbetet në dorë të organizatave joqeveritare që ta vëzhgojnë situatën pa përkrahje”.

“Kemi hasur mos-interesim nga Ministria e Shëndetësisë për bashkëpunim dhe përkrahje. Pse, nuk e di. Hapi i parë do duhej të ishte komunikimi dhe bashkëpunimi me Linjën e Jetës, meqë jemi me fokus të veçantë në parandalimin e vetëvrasjes. Ndërthurja dhe zbatimi i një strategjie për parandalim të vetëvrasjes, rritja e buxhetit për shëndet mendor, monitorimi i psikologëve shkollorë, etj. Ka shumë gjëra që mund të bëhen”, përfundoi Skeja./Telegrafi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit