PaMUR është një nismë e re artistike në formë qendre, që synon të nxisë dhe të mbështesë krijimtarinë artistike në fushën e arteve pamore, duke pasur si qëllim një bashkëpunim të gjerë dhe sa më cilësor me të gjithë ata njerëz të artit (artistë, studiues, kuratorë, menaxherë etj.), që janë të interesuar për një klimë sa më produktive artistike, pa ato klishe, konvencione apo stereotipa që më shumë se çdo gjë tjetër shkaktojnë ndasi dhe ngërçe, të cilat përkthehen si mure penguese dhe ndarëse; prandaj dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore që edhe nisma jonë e mori emrin paMUR.
Ka kohë që në skenën e artit pamor në kryeqytet e më gjerë, ka një ndarje si me thikë të zonave të influencës, ku secili grupim mjaftohet e gëzohet me atë që bën, pa pasur pothuajse asnjë interes të mirëqenë për ta njohur tjetrin nga afër e për t’u shkëmbyer metë. Është një klimë e atillë saqë të bëhet të besosh se secili e ka ndarë mendjen një herë e mirë se ç’është arti e çfarë duhet bërë dhe për pasojë nuk ka kohë për të humbur me tjetrin!
PaMUR (1)Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë jemi të bindur tanimë, sikurse dëshmon edhe historia e artit botëror, se vlerën apo mungesën e saj te një vepër e përcakton koha më drejtë e më mirë se kushdo; kështu që, ajo që na mbetet ne është të bëjmë shkaqet për të arritur më të mirën e mundshme. Por, në këtë drejtim, mendojmë se pengesa më e madhe janë pikërisht muret për të cilat po bëjmë fjalë, ku më konkretisht akoma dhe në veçanti është fjala për muret në mënyrën e të menduarit, që më pas bëhen edhe mure konkrete, gjeofizike.
Merret me mend se çdonjëri nga ne ka një koncept apo një botëkuptim të caktuar se si mund të jetë një vepër arti, gjë që edhe sikur të duam ne të mos e kemi, nuk e shmangim dot, dhe deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Problemi shfaqet atëherë kur dikush shkon me mendimin se vepra e artit duhet të jetë medoemos kështu apo ashtu, ndërkohë që de facto ka me qindra e me mijëra “kështu” e “ashtu”, që po t’u bëjmë vendin e duhur përmes një bashkërendimi të hapur shndërrohen në mirëqenie kulturore, qoftë për ne, qoftë për publikun e gjerë. Le të kujtojmë këtu atë që thotë Kandinski, por edhe shumë të tjerë, se “në art nuk mund të ketë një ‘duhet’”, kjo sepse sa herë është ngritur një “duhet” arti është bërë skematik, i parashikueshëm dhe i “dobishëm”; domethënë, është çmagjepsur dhe ka përfunduar pjesë e së ashtuquajturës kulturë masive. Edhe në këtë drejtim historia e artit na thotë shumëçka.
Duhet theksuar se ne nuk jemi për të ndërtuar një sistem të ngurtë që i mbivendoset krijimtarisë artistike, duke dalë pastaj në përkufizime dhe në ndarje të paevitueshme të gjërave me thikë, gjë që është në natyrën e çdo sistemi, de jure e de facto. Vetë arti si i tillë është një “sistem”, që nuk i duron dot sistemet; ose më shkoqur është një modus vivendi, kurse ne jemi ata që duam të banojmë brenda tij dhe sipas tij, – ashtu si ai është, i papërcaktuar – si në një shtëpi brenda të cilës nuk mund të ngresh shtëpi. Të gjithë jemi të barabartë brenda kësaj shtëpie. Se cili do të jetë më i barabartë, këtë nuk mund ta mësojmë tani – kjo i mbetet kohës. Për ta përmbledhur në një fjali: le ta lëmë rrjedhën të rrjedhë, e të mos ndërhyjmë duke e devijuar, se ajo e di vetë rrugën e saj; ne na mbetet të kujdesemi që ajo të mos cenohet. Një fokus më vete i nismës paMUR është edhe njohja dhe afrimi i artistëve të rinj që japin shenja të një autenticiteti që premton në të ardhmen dhe ajo që kanë më shumë nevojë këta të rinj nuk është mbështetja financiare, por mbi të gjitha klima e hapur dhe afruese artistike që mungon.
Gjithashtu, një tjetër fokus i yni është edhe orvatja për të ngritur një diskurs të mirëfilltë për artet pamore, që ndërlidhet dhe përfshin edhe filozofinë, letërsinë, çështje të ndryshme të shkencës sot, raporti i krijimtarisë artistike me teknologjinë, ekonominë, politikën etj. Ky diskurs mund të marrë trajtë në konferenca me të ftuar të caktuar, në biseda të hapura (ku një grup të ftuarish trajtojnë një temë të shpallur paraprakisht), pas ngjarjeve të ndryshme artistike me rëndësi brenda ose jashtë kufijve shtetërorë etj. Në këtë kuadër, një tjetër angazhim i paMUR-it do të jetë edhe fusha e botimeve në lidhje me artin, ku kemi parashikuar katalogë, libra studimorë (autorialë ose në grup), antologji me autorë të ndryshëm për zhvillimet e artit sot, përkthime të caktuara që do të shihen të përshtatshme për kontekstin tonë etj.
Duke pasur parasysh sa më sipër, jo rastësisht aktiviteti i parë i paMUR-it është konceptuar me një natyrë përfshirëse, ku si hap i parë, në formën e një konkursi, janë ftuar të gjitha galeritë/entet kryesore që ushtrojnë veprimtari të ndryshme artistike në artet pamore, të cilat marrin pjesë duke u përfaqësuar me një artist dhe një kurator. Vlen të theksohet se pjesa më e madhe e këtyre artistëve janë të rinj, që sapo kanë nisur të ravijëzojnë profilin e tyre.
Gjithnjë në kuadër të asaj çfarë thamë për nismën paMUR, në këtë aktivitet të parë, pesëditor, ku do të jepet edhe çmimi “Danish Jukniu”, të gjitha galeritë do të kenë mundësinë të prezantojnë për publikun jo vetëm artistin me të cilin marrin pjesë në konkurs, por edhe vetë profilin e tyre.
Po ashtu, aktiviteti do të pasqyrohet në një katalog, i cili do të përfshijë veprën e çdo artisti, një biografi të shkurtër të tij, tekstin kuratorial dhe një profil të galerisë. Ne na mbetet të bëjmë përpjekjen, ndërsa rezultatet i takojnë kohës.
Nisma paMUR është fryt i bashkëpunimit ndërmjet Vladimir Myrtezait (drejtues projekti), Edison Çerajt, Ilir Kasos, Altin Likës dhe Florian Haxhihysenit, si dhe Alketa Kurrizos, si koordinatore në këtë hap të parë tonin.Edison Çeraj