15.8 C
Prizren
E premte, 24 Maj, 2024

Paralajmërimet e SBAShK-ut për greva, njohësi i arsimit thotë se Jasharaj po sillet si despot

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka paralajmëruar grevë të përgjithshme para shtatorit, kur është paraparë të nisë viti shkollor.

Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se të gjitha institucionet shkollore, administratat në komuna, por edhe të punësuarit e tjerë, do të jenë në grevë të përgjithshme nga shtatori, deri sa Qeveria Kurti të gjejë zgjidhje për kërkesat e tyre.

Lidhur me këtë, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se kërcënimi me grevë në arsim nga ana e SBASHK-ut është i papranueshëm.

“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë. Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci

Pas kësaj deklarate ka reaguar Jasharaj, duke thënë se nëse ministrja Nagavci dhe Qeveria e Kosovës vërtetë brengosen për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva atëherë duhet të angazhohen dhe të hapin dyert për dialog për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.

“Ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim dhe tregon se as ajo e as Qeveria nuk e kanë në mendje ta ndryshojnë qasjen me sindikatat e as nuk do të qajnë kokën për kërkesat e tyre dhe prandaj ky paralajmërimi ynë, që nuk është kërcënim, por alarm, do të kthehet në realitet dhe greva e përgjithshme do të ndodh fatkeqësisht dhe fajtori i vetëm për këtë është Qeveria Kurti”.

Kreu i SBAShK-ut tutje ka thënë se “ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë znj. Nagavci”.

“Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBAShK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se ‘greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes’ për të shtuar, veç tjerash edhe se …sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBAShK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre”.

“Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës. Ministre atëherë dhe tani SBAShK-u ishte dhe mbetet po ky i njëjti dhe kërkesë kryesore edhe tani lidhet me Ligjin e pagave, por tani ju mundoheni ta arsyetoni Qeverinë pa as edhe një argument dhe se është fajtorja e vetme dhe e kritikoni pa as edhe një fakt SBAShK-un. Sa shumë ju ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku juve znj. Nagavci”, ka deklaruar tutje Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

Lidhur me paralajmërimet për greva në arsim dhe replikat Nagavci-Jasharaj, Telegrafi ka kontaktuar me njohësin e çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, i cili ka thënë se veprimtaria e SBAShK-ut është shndërruar në faktor shkatërrues të sistemit arsimor në Kosovë.

“Me kërcënimet dhe shantazhet utilitare për organizimin e grevave, SBAShK-u është transformuar në një strukturë oligarke, e cila duke koketuar me parti politike për pushtet e ka marrë edhe rolin dhe fuqinë e Ministrisë së Arsimit, duke sjell vendime të dëmshme dhe destruktive me të cilat atakohet pandërprerë cilësia e edukimit dhe e arsimit”, deklaroi Hyseni.

Sipas tij, kërcënimet e shpeshta për organizimin e grevave janë cinike dhe hipokrite, pasi siç tha, nuk bëhen për të përmirësuar statusin social të personelit mësimor, por për interesat e kryesisë së sindikatës.

“Rrahman Jashari po e luan rolin e ministrit. Ai sillet si despot. Kërcënon se sa të jetë kryetar i SBAShK-ut, nuk do të ketë testim të mësimdhënësve. Jo pse nuk ka të drejtë për këtë sepse kjo çështje është shumë më komplekse meqë performanca e personelit mësimor nuk mund të përcaktohet me teste administrative e të pastandardizuara, por se SBAShK-u nuk ishte organ ekzekutiv në zhvillimin e politikave arsimore”, u shpreh tutje Hyseni.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni

Por, ndryshe nga Hyseni, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), kanë thënë se e përkrahin çdo protestë të SBASHK-ut që është në kuadër të veprimeve sindikaliste.

“KMDLNj konsideron se greva e paralajmëruar nga SBAShK-u duhet të përdoret vetëm si mjet i skajshëm pasi të jenë shterur të gjitha mundësitë e tjera. Gjithashtu, KMDLNj është kundër tendencës që kërcënimi me grevë të shndërrohet në një instrument shantazhimi dhe presioni”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.

Tutje, thuhet se nxënësit nuk duhet të pësojnë për shkak të mosmarrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me SBASHK-un, pasi “ekzekutivi po e mbron një interes politik kurse sindikata një interes material”.

Në fund, KMDLNj thotë se pret që Qeveria e Kosovës të sillet në mënyrë korrekte me SBAShK-un duke bashkëpunuar si partnerë për një interes të përbashkët në mënyrë që të mos e dëmtojnë procesin mësimor.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Qeverisë dhe SBASHK-ut del të jetë më problematik se normalizimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje. Reagimin e MAShTI-t ndaj SBAShK-ut, KMDLNj e konsideron si arrogant, të papërshtatshëm dhe joprofesional”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)

Sindikata e Arsimit tash e sa muaj kërkon që në Ligjin e Pagave të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve. /Telegrafi/

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të mbajë me diell dhe vranësira. Kohë pas kohe pritet të ketë rrebeshe lokale shiu në shkallë vendi, sidomos gjatë orëve të...

‘Ma ndjeu zemra’ – serbi ia vrau dy djemtë binjakë, përlotet lokja nga Prizreni

Nëna Mihrije Daçaj, djemtë binjakë të së cilës u vranë në Prizren gjatë luftës, tregoi në emisionin Kosova Today në Klan Kosova se zemra e saj...

Lajmet e Fundit