14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Pas zgjedhjeve të gjithë analistët bëhen të mençur

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Rezultatet e pritura dhe të papritura: Kanë mbetur të numërohen vetëm edhe votat e diasporës, votat me kusht dhe ato që kanë ardhur me postë dhe të dihet rezultati përfundimtar ku LV-ja del të jetë fituese absolute e zgjedhjeve e që edhe pak mund të rritet me këto vota. Sa i përket fituesit të zgjedhjeve, për këtë nuk ka pasur asnjë mëdyshje, vetëm përqindja e votave të fituara ka mundur të diskutohet. Edhe partitë e tjera garuese e kanë pasur shumë të qartë fituesin e zgjedhjeve ndonëse, për shkak të ngritjes së moralit të votuesve, kandidatëve dhe vetë partive, thuaja të gjitha janë deklaruar si fituese. Njerëzore dhe ngushëlluese! Tash, pas bërjes publike të votave të gjithë analistët, parashikuesit dhe fallxhorët janë bërë më të mençur, në mesin e tyre edhe unë! Po pse ndodhi kjo përmbytje aq e madhe? Të shkojmë me radhë:

1. Vetëvendosje!: Disa ditë para zgjedhjeve e takova njërin nga krerët e LV-së që ka dalë dhe mundohet të mendojë dhe sillet si kryekoka, Albin Kurti, qoftë edhe kur flenë. Realisht, emri i fillon me A, por nuk është Albini mirëpo, nëse e thirrni me emrin Albin, menjëherë përgjigjet. Në bisedë e sipër, isha me gruan dhe njihemi për faktin se kemi një lidhje miqësore: “bisht pas gardhit..” i thashë se LV-ja mund të fitojë 44-45 deputetë. E pranoi më shumë si provokim duke më thënë: “ja, po shihet se kush nuk na do të mirën …”. Aty u binda se në kokën e LV-së, çdo shifër nën 61 deputetë është thuaja humbje. Në këtë kontekst, Albin Kurti në çdo paraqitje publike ka deklaruar se na duhen 61 vota dhe se këto zgjedhje janë referendum në kohën kur në Kosovë nuk lejohet as referendum për tredhje të qenve! Albini ka përdorur sugjestionin për t’i bindur anëtarët e LV-së, kandidatët, votuesit, opinionin sikur që ka dekurajuar partitë e tjera garuese. Albin Kurti në këto gara e ka përdorur matematikën si mjet për të fituar aq shumë vota. E ka bombarduar opinionin me shifra të larta, e bëri një “shock” listë në të cilën i futi të gjitha profilet, të gjitha moshat, të gjitha profesionet, të gjitha orientimet politike dhe jopolitike, të vuajtur, të stërvuajtur, hedonista, të pastër, me aktakuza, hoxhallarë dhe enveristë të Maqellarës, ekzibicionistë dhe delikuentë seksualë, artistë dhe sportistë, proletarë, përkrahës të Tanzanisë dhe mercenarë të Shqipërisë.

Rugovistëve të përbetuar ua mori Ibrahim Rugovën dhe vazhdoi me goditje duke e marrë, thuaja krejtësisht diasporën. Hasan Prishtinën e bëri Agim Bahtir, Vjosën, Shotë Galicë virtuale dhe në disa raste e përmendi edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si dhe Korin e Burrave të Jakovës. Me t’u kthyer nga varri i Ibrahim Rugovës, mori në thua te varri i Adem Demaçit dhe tha se: “Adem Demaçi është Mendela i shqiptarëve … sikur që e thonë të gjithë për Bacën Adem Demaçi, sa për të larë duart, si Pont Pilati..”. Ka qenë përtej se të thuhet fer me Vjosa Osmanin, i tha presidente dhe do ta bëjë presidente ndërkaq, ua bëri votat kandidatëve nga Lista Vjosa e që në rrethanat ekzistuese do të ishte mision i pamundur që ta kalonin pragun zgjedhor. Mënyra se si ka luftuar Kurti për të ardhur në pushtet e dëshmon thënien e Çerçillit për: “shumë djersë dhe gjak..”. Struktura organizative e LV-së është më e sofistikuar dhe më e organizuar se struktura e AKI-së, kurse bindja ndaj liderit është e barabartë me bindjen e një besimtari budist ndaj Dalaj Lamës dhe Budës, Gotamës. Mund edhe mos të pajtoheni me Albin Kurtin dhe LV-në, mirëpo duhet ta respektoni votën që e kanë marrë dhe nuk duhet të pengohet me asgjë në realizimin e programeve dhe premtimeve. Albin Kurti dhe LV-ja nuk rrezikohen nga opozita e ardhshme mirëpo, proceset, nëse nuk menaxhohen mirë nga Albin Kurti dhe LV-ja do ta krijojnë një opozitë të fuqishme. Varësisht prej zhvillimit të bisedimeve me Serbinë dhe rimëkëmbjes ekonomike, qeveria Kurti do ta përfundojë mandatin ose, mund të marrë në thua pas 12 muajve. Uroj që të punojë mirë dhe të përkrahet nga të gjithë. E kam përkrahur LV-në në kohët më të vështira, ka kohë që i kemi ndarë rrugët por, në asnjë mënyrë, nuk do t’i gëzohem dështimit të saj. Krejt në fund, kur të studiohet mënyra se si ka ardhur në pushtet Albin Kurti dhe LV-ja, Princi – Sundimtari i Makiavellit do të mbetet literaturë për fëmijë të enteve parashkollore!

2. Partia Demokratike e Kosovës: Në bisedë me disa miq që i kam aty, kam thënë se, nëse i fitojnë 20 deputetë, mund të llogariten se janë fitues apo në “kali të bardhë”. Më thoshin se janë më mirë se në zgjedhjet e fundit dhe se do t’i fitojnë së paku 27 deputetë. PDK-në e ka shpëtuar të pësojë më shumë vetëm një angazhim i jashtëzakonshëm në terren dhe një grup deputetësh që e kanë çkyer prapanicën për të siguruar një mandat dhe, në këtë mënyrë, kanë siguruar vota edhe për partinë. Arrestimi i udhëheqësve, aktualë dhe shpirtërorë të PDK-së e ka dobësuar këtë parti mirëpo, gabimin më të madh e kanë bërë kur e rrëzuan qeverinë Kurti, në kohë pandemie. Unë në atë kohë pata reaguar në media duke kërkuar që PDK-ja mos ta votojë mocionin për rrëzim të qeverisë. Pastaj, çfarë kuptimi ka rrëzimi i qeverisë dhe ju përsëri të mbeteni në opozitë. Tutje, në emër të partneritetit me amerikanë, Grenellin dhe Trampin e rrëzuan qeverinë, kurse pikërisht amerikanët i arrestuan dhe i dërguan në Hagë. PDK-ja një kohë ua ka parë hairin disa mujsharëve dhe banditëve, kurse më vonë ua kanë parë sherrin dhe do t’ua shohin derisa të lirohen nga ta. Nuk ka aferë pas lufte ku nuk janë përmendur këta mujsharë dhe PDK-ja shumë mirë ka kaluar. Kadri Veseli kishte vullnet të bënte reforma brenda PDK-së, ta bëjë vetingun, ta kërkojë formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për Krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë, por u pengua nga vetë partia që e drejtonte. PDK-ja si opozitë nuk duhet të hezitojë në formimin e institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, prandaj duhet ta votojë çdo propozim të pozitës dhe, pas kësaj, të kalojë në opozitë!

Mgid

HERBEAUTY
6 Strong Female TV Characters Who Deserve To Have A Spinoff
LEARN MORE?

3. Lidhja Demokratike e Kosovës: As në imagjinatën më improvizuese nuk kam paramenduar se LDK-ja do të përgjysmohet në këto zgjedhje, prandaj edhe u rritë aq shumë LV-ja. LDK-ja ka qenë subjekti që ka pësuar më së shumti nga ndarjet e brendshme. Në fillim ishte Daci që e përçau LDK-në duke e formuar një subjekt politik, të përafërt me LDK-në. Pastaj, LDK-në e ka dëmtuar shumë Fatmir Sejdiu. Pas kësaj, LDK-në e dëmtoi shumë Vjosa Osmani, të cilën e rriti dhe e forcoi. Vjosa Osmani jo që nuk formoi subjekt të vetin politik, por iu bashkua partisë e cila me të gjitha mjetet ka punuar për ta dobësuar LDK-në e ajo është LV-ja. Duke ditur se me AAK-në dhe PDK-në nuk mund të tregojë muskuj, Albin Kurti u orientua kah LDK-ja dhe plotësisht ia arriti qëllimit. Mendoj se pa asnjë arsye sulmohen Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti sepse, Isa Mustafa arriti ta rrisë LDK-në pas ndarjes sikur që u tregua bashkëpunues me LV-në ndonëse kjo e sulmoi me të gjitha mjetet e mundshme, e fyeu personalisht dhe familjarisht dhe, së fundi, ia montoi një bombë shpërthyese, Vjosa Osmanin. Kur Isa Mustafa i fitonte kundërshtarët, e lavdëronin se me një këmbë po i mund kundërshtarët. Po të njëjtët tani duan ta kryqëzojnë, pa arsye. Avdullah Hoti bëri një fushatë normale dhe pati sjellje normale. Ai nuk kishte shtab zgjedhor dhe fitohet përshtypja se i kanë vënë shumë ndërskamca disa nga bashkëpartiakët. Jo që nuk e ndihmuan, por e sabotuan. LDK-ja as që duhet të mendojë për Vjosa Osmanin, por duhet ta kujtojë si një ëndërr e keqe, si një ankth dhe si një makth që, rrinte në parti dhe ishte më shumë e LV-së se vetë Albin Kurti. LDK-ja duhet ta zgjedhë një kryetar që nuk ka hipoteka nga e kaluara, që nuk ka pasur pushtet në të kaluarën, por që ka njohuri politike dhe vullnet për rimëkëmbje të LDK-së. Nëse i ndërmerr këto veprime LDK-ja do të forcohet, në të kundërtën do ta pësojë si Partia e Prosperitetit Demokratik në Maqedoni. LDK-ja ka potencial, mundësi dhe dije, nëse e bën përzgjedhjen e duhur, të bëjë reforma dhe të rikthehet. LDK-ja është e rëndësishme për Kosovën në këtë fazë dhe për proceset që e presin në të ardhmen Kosovën. Aktualisht LDK-së, Rugovën ia mori Albin Kurti dhe LDK-ja duhet të krijojë një identitet tjetër. LDK-ja është parti me orientim djathtist dhe, si e tillë, i duhet Kosovës. Nuk janë fajtorë për këtë humbje as Isa Mustafa, as Avdullah Hoti, as Agim Veliu dhe të tjerët, por pushteti i gjatë i ka konsumuar dhe ndarjet e shpeshta dhe të mëdha e kanë dëmtuar shumë. Ndërkaq, LV-ja përmes Vjosa Osmanit e ka kryqëzuar në zgjedhjet e fundit. Shiheni kush e sulmon LDK-në, një delikuent seksual që ka blerë shërbime seksuale, pa e marrë kuponin fiskal, duke i ikur tatimit. Vjosa Osmanit nuk i ha palla më për LDK-në për faktin se bëhet presidente me mandat pesëvjeçar. Vetëm nëse ka zhvillime të paparashikueshme dhe nuk i bën numrat për presidente, Vjosa Osmani do të bëjë përpjekje t’i kthehet LDK-së, duke u liruar nga kundërshtarët politikë brenda partisë dhe duke e bërë LDK-në, pjesë të LV-së.

4. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Ka mbetur në kornizat e së pritshmes. Ka bërë llogari të gabuar se do të jetë përcaktues i formimit të institucioneve të Kosovës duke e kushtëzuar me postin e presidentit. Këto matematika ua ka prishur Albin Kurti dhe LV-ja, me një përmbysje të madhe, thjesht të paimagjinueshme për një sistem proporcional. AAK-ja duhet t’i bashkohet opozitës dhe të ndërtojë një bllok opozitar konstruktiv. Për fillim duhet ta votojë zgjedhjen e qeverisë, zgjedhjen e presidentes dhe pastaj ta luajë rolin opozitar.

5. Lista Srpska: Është parti e Serbisë në Kosovë. Është kundër Kosovës dhe gjithnjë deklarohet se shteti i tyre është Serbia, kurse kryetar është Aleksandër Vuçiq. Këtë e thotë haptazi dhe nuk lë asnjë dyshim në këtë drejtim. E ka përkrahjen e ndërkombëtarëve. Para dy muajve pata shkruar se Lista Serbe do të forcojë Iniciativa në Veri të Kosovës për ta përkrahur mercenaren Adriana Hoxhiq që vazhdimisht ka qenë instrument i Listës Serbe apo qarqeve shoviniste serbe në Kosovë dhe, në Graçanicë, Gazmend Salijeviqin që ka qenë po në të njëjtat valë. LS-ja edhe ia arriti qëllimit dhe me këta deputetë të kontrabanduar, thuaja barazohet me deputetë me LDK-në. Çfarë krimi elektoral!

Si do të shkojë formimi i institucioneve: Albin Kurti deklaroi se nuk do të bëjë asnjë koalicion me partitë shqiptare sepse paska bërë një koalicion me Vjosa Osmanin. Nuk do të bëjë as koalicion me Listën Serbe që nënkupton se do ta kemi një qeveri të pakicës. LV-ja, me disa deputetë të pakicave joserbe. Në anën tjetër kërkon votën nga opozita të cilën botërisht e poshtëron. Në një politikë inatçore, opozita do t’i përgjigjej me një injorim të plotë, kurse mendoj se opozita duhet ta bëjë të kundërtën, ta votojë propozimin për qeveri dhe për president. Ky do të ishte sinjal se opozita e ka përnjëmend vullnetin për t’u reformuar dhe do t’i ndihmonte opozitës qysh në zgjedhjet lokale. Ndërkombëtarët janë përcaktuar që institucionet të formohen nga partitë fituese, LV-ja, Lista Serbe dhe pakicat joserbe. Ashtu edhe do të bëhet dhe me këtë përcaktim të ndërkombëtarëve përjashtohen zgjedhjet e reja. Albin Kurti, për shkak të komplikimeve të mundshme kushtetuese, përkohësisht mund ta vendosë në postin e kryeministrit, klonin e tij, Arben Vitinë i cili, pastaj, në shtator, do të lëvizte prapanicën nga posti i kryeministrit, për t’ia liruar Albin Kurtit. Mirëpo, përfundimisht Vjosa Osmani, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si person unifikues për faktin se nuk është a pavarur politikisht, është në konflikt të hapur me LDK-në sepse ka punuar për shkatërrimin e kësaj partie dhe se ka shfaqur urrejtje të madhe dhe hakmarrëse ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe PDK-së. AAK-ja e ka kandidatin për president. Vetëm një presion ndërkombëtar mund ta bëjë Vjosa Osmanin presidente apo edhe një thyerje tjetër brenda LDK-së. Vjosa Osmani nuk mund të bëhet presidente pa votat e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dhe, së paku, 14 deputetëve të Aleksandër Vuçiqit në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër, nëse duam ta forcojmë demokracinë duhet ta respektojmë vullnetin e votuesve dhe, në këtë rast, 50 për qind e votuesve kanë votuar për LV-në, prandaj do të ishte krejtësisht e pamoralshme dhe kundër interesave të Kosovës që shpërfillet apo shantazhohet ky vullnet. Po këto zgjedhje kanë prodhuar dy efekte shumë pozitive, e para mikes time Kimete Berishës i është plotësuar dëshira që Albin Kurti u bë Xhingis Kani i Kosovës e për të cilin qëllim ka luftuar me të gjithë dhe, e dyta, më në fund u krijuan mundësitë që Besnik Bislim ta bëjë një sy gjumë!

Më Shumë

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit