MSc. Shaban Osmanollaj
Stambolli – një qytet ku historia takon modernitetin, ku perëndimi përshëndet lindjen dhe ku rrjedha e Bosforit i jep jetë çdo momenti. Kur organizuam udhëtimin tonë turistik, pritshmëritë ishin të larta: muzetë, xhamitë e mëdha, tregjet e gjalla dhe shëtitjet me anije në ujërat mesdhetare premtuan një eksperiencë të paharrueshme. Dhe padyshim që ishte, por për një arsye të pazakontë: “patatja e pjekur”.
Qyteti na magjepsi që në fillim. Shëtitëm ndërmjet minareve madhështore të Xhamisë Blu, u ngjitëm te kështjellat historike dhe përshkuam tregjet e zhurmshme të “Kapaliçarshis”. Një nga kulmet e udhëtimit ishte shëtitja me anije në Bosfor, ku pamja e qytetit të ndriçuar nga dritat e perëndimit na la pa frymë. Por askush prej nesh nuk e kishte menduar se momenti më i përfolur i këtij udhëtimi do të ishte diçka kaq e thjeshtë: “një patate”.
Në një kënd të Stambollit, pas një dite të gjatë vizitash, aroma e një gatimi të veçantë na tërhoqi drejt një stende të mbushur me njerëz. Ishte patatja e famshme turke, e pjekur dhe e mbushur me përbërës që s’mund t’i imagjinoje: djathë të shkrirë, ullinj të grirë, misër të ëmbël, salca shumëngjyrëshe dhe madje edhe kastravec turshi. Pamja e saj ishte aq joshëse, sa nuk mundëm t’i rezistonim. Çdo gjë dukej perfekte, deri sa pamë çmimin, një shifër që na bëri të dyshojmë për një moment, por që nuk na ndaloi.
Kur e provuam, e kuptuam menjëherë pse të gjithë qëndronin në radhë për të marrë një të tillë. Shija ishte e mrekullueshme, një kombinim i ëmbël, i kripur dhe i kremtë që të mbushte jo vetëm barkun, por edhe shpirtin. Megjithatë, kjo patate e shtrenjtë u bë shënjestër e humorit tonë gjatë kthimit.
Në autobus, të gjithë kishin diçka për të thënë. “E dini që ne udhëtuam deri në Stamboll për një patate?” tha dikush me një buzëqeshje ironike. Të tjerë filluan të propozonin ide për suvenire të çuditshme: “Mund të kthenim një patate si kujtim për këtë udhëtim.” Bisedat vazhduan gjatë gjithë rrugës, me secilin që shtonte diçka më humoristike ose më sarkastike.
Kur menduam për të gjitha udhëtimet tona në Paris, Berlin, Vienë apo Budapest, asnjë përvojë nuk u tregua aq unike sa kjo. Në një mënyrë të çuditshme, patatja e pjekur e Stambollit na bëri të kuptojmë se ndonjëherë janë gjërat më të thjeshta ato që mbeten më gjatë në kujtesë. Dhe kështu, ajo patate e pjekur u bë simboli i një udhëtimi që do ta kujtojmë gjithmonë me shije dhe me buzëqeshje.
Por derisa flasim për këtë, kthehemi në vendin tonë dhe themi se qyteti i Prizrenit ka një traditë të pasur kulinare që mund të shërbejë si bazë për të krijuar një përvojë të veçantë turistike. Prizreni, me bukurinë e tij historike dhe kulturën mikpritëse, ka gjithçka që një vizitor mund të kërkojë ose të vizitojë, si: Kalanë e Prizrenit, Ura e Gurit, Xhamia e Sinan Pashës, Kisha e Shën Premtes, Teqetë, Shatërvani, Hamami i Gazi Mehmet Pashës, Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, Marashi, Teatri i hapësirave të hapura (Lumbardhi) apo edhe Shpella e Vrima e Pëllumbit, një qytet me aktivitete kulturore e festivale të ndryshme. Por ajo që mbetet në kujtesë për një turist është shija unike e traditave kulinare si qebapat dhe suxhuku që mbushin rrugët me aroma, duke u kthyer në një simbol të qytetit.
Në anën tjetër, flija është një emblemë e kulinarisë tradicionale në të gjithë vendin. Por jo vetëm këto, në Prizren gatuhen edhe ushqime tradicionale si pitja (byreku), japrakët (sarmët), kaçamaku, mishi i pjekur nën saç, tava e Prizrenit, ajvari, speca të mbushur, hallva e Prizrenit, bakllava, mantia e jufkës dhe shumë gatime të tjera si pjesë e kulturës tradicionale.
Ashtu si patatja e Stambollit që mbeti në kujtesën tonë, edhe këto gatime të veçanta mund të jenë arsyeja pse turistët do të vijnë në Prizren e në rajonet tjera. Është shija dhe përvoja e këtyre ushqimeve që flasin për traditat dhe shpirtin e këtij vendi, një përvojë që nuk harrohet lehtë. Le të promovojmë këto elemente të thjeshta, por të fuqishme, që turistët të ndihen pjesë e historisë sonë, kulturës sonë dhe jetës sonë.
Andaj, ashtu si një patate e pjekur e përgatitur me mjeshtëri mund të bëhet një simbol i një udhëtimi të paharrueshëm, edhe vendet tona mund të krijojnë elemente unike që mbeten gjatë në kujtesën e turistëve. Nuk është nevoja për madhështi apo luks, mjafton një përvojë e thjeshtë, autentike dhe emocionuese që prek zemrat e vizitorëve. Ndoshta ajo që i lidh njerëzit me një vend është një shije, një histori, apo një moment humori që kthehet në një kujtim të paharrueshëm. Le të krijojmë përvoja që flasin për shpirtin dhe kulturën tonë, duke e bërë vendin tonë një destinacion që vizitorët nuk e harrojnë kurrë.
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”